Kolumnist

Kanadaja duhet ta ratifikojë të vetmen marrëveshje me Shqipërinë! - Nga Taulant Dedja

Kaluan gati tre vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjen së Sigurimeve Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Të paktën shumica prej nesh që jetojmë këtu, e kujtojmë 30 Prillin 2019, ditën kur këtë lajm e shpalli e para Chrystia Freeland (numri 2 i qeverisë Trudeau, në atë kohë Ministre e Jashtme) e cila bashkëfirmosi dokumentin më Ambasadorin shqiptar në Ottawa z. Ermal Muça.

Ishte pa diskutim një arritje e konsiderueshme për diplomacinë shqiptare si e para dhe e vetmja deri tani, marrëveshje dypalëshe që nënshkruhej mes dy vendeve në 3 dekada marrëdhënie diplomatike. Krahas marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore (ose siç e quajmë rëndom “Marrëveshja e Pensioneve”) u nënshkrua edhe Rregullorja Administrative ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë.

https://www.canada.ca/en/services/benefits/publicpensions/cpp/cpp-international/albania.html

Ambasadori Ermal Muça dhe Zëvendëskryeministrja kanadeze Chrystia Freeland

Siç dihet, kjo marrëveshje do të mundësojë për shqiptarët që jetojnë në Kanada njohjen e viteve të punës në Shqipëri dhe do të ndikojë në përllogaritjen e masës së pensionit, pra do të mundësojë koordinimin e përfitimeve nga kontributet shoqërore për qytetarët që kanë jetuar ose punuar në të dy vendet. Po kështu, sipas shpjegimit të zyrtarëve shqiptarë kjo marrëveshje do të shmangë mbulimin e dyfishtë për të njëjtën periudhë dhe realizojë bashkimin e periudhave të sigurimit të realizuara në dy vendet. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë nga kontributet e paguara, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet. Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’iu paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë. Kujtoj që Kanadaja ka nënshkruar mbi 50 marrëveshje të kësaj natyre me shtete të tjera

Po çfarë ka ndodhur me marrëveshjen në fjalë që nga dita e nënshkrimit? Këtë pyetje ma kanë drejtuar dhe vazhdojnë të ma drejtojnë jo pak miq, të njohur e të interesuar për temën, sidomos bashkatdhetarë që kanë emigruar prej vitesh këtu e që jane në prag ose e kanë mbushur moshën e pensionit. Sigurisht, kjo nuk është një temë që i përket vetëm kësaj kategorie, se vitet do kalojnë e ky numër do rritet.

Rob Oliphant, deputet i Don Valley West, Toronto

Pala shqiptare dihet që i ka kryer “detyrat e shtëpisë”. Marrëveshja është ratifikuar prej Parlamentit Shqiptar qysh prej Shtatorit 2019. Ndërkohë, sipas informacioneve nga burime qeveritare në Ottawa, dokumenti është depozituar për ratifikim në Dhomën e Komunave qysh më 5 Shkurt 2020 nga Deputeti Liberal i Zonës Don Valley West në Toronto, z. Robert Oliphant, i cili, sikurse para dy vitesh, vazhdon të kryejë edhe funksionin e Sekretarit Parlamentar të Ministrit të Punëve të Jashtme. Pra siç shihet kanë kaluar plot 25 muaj nga depozitimi.

Sigurisht mbi të gjitha për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, dosja “ngeci” diku në zinxhirin e procedurave. Kuptohet që në situata të tilla prioritetet ndryshojnë. Deri këtu çdo gjë mund të justifikohet. Prioritet i prioriteteve ka qenë pandemia dhe rimëkëmbja e ekonomisë kanadeze. Zgjedhjet e parakohshme ndikuan në vonesën gjithashtu, sikurse dhe protesta e Janar-Shkurtit 2022 në qendër të Ottawa. Lufta aktuale në Ukrainë dhe pritja e refugjatëve, ka pa diskutim ndikimin e vet në përcaktimin e prioriteteve parlamentare apo ecurinë e kalendarit të dosjeve në radhë për t'u shqyrtuar. 

Sigurisht edhe ne si komunitet, si qytetarë të këtij shteti ku kemi zgjedhur të jetojmë e ku japim çdo ditë kontribut me punën tonë e duke paguar taksa, e mirëkuptojmë këtë situatë. Por edhe ne si komunitet kemi prioritete tona dhe ratifikimi i kësaj marrëveshjeje për ne është prioritet i proriteteve.

Vazhdoj të kem bindjen se ky është një rast i shkelqyer, për t’u angazhuar e për të lobuar për një çështje që na përket të gjithëve pa përjashtim, e për të cilën mund dhe duhet të organizohemi të gjithë pa përjashtim, shoqatat shqiptare në të gjitha provincat ku ka të tilla, por edhe individë. E përsëris, mjafton t’i dërgojmë një letër, apo një peticion deputetit federal të zonës ku jetojmë, pavarësisht se cilës forcë politike i përket. E kam bërë këtë thirrje prej kohësh. Nuk kam statistika të përgjigjem sa individë apo shoqata kanë reaguar (nuk kam parë ndonjë njoftim publik për këtë temë deri më sot në faqet e shoqatave në rrjete. Kërkoj ndjesë nëse më ka shpëtuar nga vëmendja një lajm i tillë). 

Presidenti Ilir Meta dhe Ambasadorja Kanadeze në Shqipëri Elissa Golberg

Unë i kam nisur përsëri një kërkesë deputetit në zonën ku banoj, kryetarit të Bloc Québecois, Yves François Blanchet dhe do takoj personalisht atasheun e tij politik. I ftoj përsëri të gjithë ta bëjne këtë, sipas mundësisë në zonat ku banojnë, në të katër anët e Kanadasë, nga Halifax, Montréal, Toronto, London, Kitchener-Waterloo, Windsor, Winnipeg, Regina, Calgary, Edmonton e deri në Vancouver.

Kujtoj gjithashtu që në Toronto është e rizgjedhur sërish deputete zj. Julie Dabrusin, e cila ka drejtuar Grupin Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kanada. Edhe pse në informacionin online të Dhomës së Komunave lidhur me funksionet e saj ky rol nuk figuron aktualisht, jam i sigurt që pas një sensibilizimi të ripërsëritur nga komuniteti shqiptar i metropolit kanadez, ajo do angazhohet ta nxisë shpejtimin e ratifikimit të Marrëveshjes së Pensioneve.

Të njejtën kërkesë i ka përsëritur edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, para tre ditësh, Ambasadores së re kanadeze në Shqipëri, Elissa Golberg, ditën kur ajo paraqiti Letrat Kredenciale në Tiranë. Le të shpresojmë që edhe kjo kërkesë do ndikojë pozitivisht dhe ambasadorja e re do të përcjellë mesazhin e duhur te shefja e saj, Mélanie Joly, Ministrja e Jashtme kanadeze.

Por mbi të gjitha, na takon ne të kontribuojmë sëbashku, për të mirën tonë të përbashkët si komunitet, duke nxitur ata që na përfaqësojnë në Parlamentin Kanadez të plotësojnë një detyrim që kanë kundrejt nesh.

Besoj të gjithë që jetojmë këtu jemi në një mendje. Kanadaja duhet ta ratifikojë pa vonesa të mëtejshme të vetmen marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë në 33 vjet marrëdhënie diplomatike. Më shumë se sa për respekt të qeverisë apo parlamentit të radhës e për hir të reciprocitetit në raportet ndërshtetërore, kjo duhet të bëhet mbi të gjitha për respekt të atyre 50,000 shqiptarëve që jetojnë e punojnë në këtë shtet multikulturor, apo që vazhdojnë të zgjedhin atë si destinacion imigrimi. Jemi komunitet i vogël në raport me të tjerë, por në një shoqëri demokratike si shoqëria kanadeze ku jetojmë, na takon njëlloj vlerësimi dhe respekti, pavarësisht nga numrat.

©Taulant Dedja - Flasshqip.ca