Kolumnist

Beteja për PD dhe “Anglo-amerikanët” - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Një kalkulim i mirëmenduar nga ata pak njerëz që hedhin ndonjë sy nga Shqipëria në Departamentin Amerikan të Shtetit, ngriti një stuhi shkatërrimtare në partinë më të madhe të opozitës. “Sfidanti” Basha i ndodhur në një qoshe të ringut politik, teksa po mbrohej nga goditjet nën brez të regjimit, zgurdulloi sytë kur “arbitrat” amerikanë në vend të “peshqirit” të paqes, i nxorrën me karton të kuq edhe “trainierin” Berisha.

Kjo lëvizje e “zgjuar” qe e paramenduar mirë. Sot e tutje e ndoshta për një 10-vjeçar, nuk do ketë më nevojë për një “drekë ngjalash” në lokalin e famshëm “Krokodil”, apo për të dërguar special si Mcallister për të bërë negociata mes pozitës dhe opozitës. Nuk do kemi më protesta me molotov. Konfliktualiteti i ashpër mes të Majtës dhe të Djathtës, që për tre dekada ka mbizotëruar skenën politike, tani është zhvendosur brenda kampit opozitar.

E sikur të mos i mjaftonte vetëm beteja me Sali Berishën dhe përkrahësit e tij, Lulzim Basha hap edhe një betejë tjetër duke sulmuar edhe LSI-në, duke e cilësuar si pjesë e trekëndëshit të së keqes, duke haruar që vetëm disa muaj më parë e kishte aletaten kryesore.

Sa më shumë rritet lufta e brrylave brenda opozitës, aq më shumë rritet oreksi i Ramës për të marrë edhe copat më të vogla të pushtetit. Aleatët tanë po ndjekin me ëndje “produktin” e punës së tyre, një duet oratorie në Parlament dhe deklarata ambasadoriale që “mbrojnë” opozitën kur gjuha e qeveriut “ashpërsohet”. Atdheu ynë i dashur që po soset nga ikja masive e rinisë, tani do të jetë “tokë e premtuar” për afganët që ikin nga sytë këmbët prej talebanëve, apo për muxhahidinët e Iranit.

I veshur me një vel të hollë demokracie, do mjaftonte një fllad i lehtë për të zbuluar pas velit, fytyrën e plakur të regjimit. Make up amerikan i drejtësisë së re po rezulton një dështim spektakolar.

Ndërkohë “beteja” për kreun e PD-së po hyn në fazën finale të përplasjes. Jo një, po plot dy kongrese do të mblidhen për të parë se nga anon peshorja e bazës demokrate. Gjuha e ndrojtur e kryetarit Basha në fillim duke vlerësuar sukseset e Berishës, tani ia ka lënë vendin gjuhës së drunjtë, akuzave me “spiunazh” e kërcënimeve me largim nga partia.

Për një brez që e ka jetuar diktaturën komuniste kjo situatë i zgjon reminishenca nga viti i largët 1956, e njohur si Koferenca e Tiranës. Të gjithë ata shokë komunistë që shikonin gabime në lidershipin e Enver Hoxhës, si kulti i individit apo privilegjet e kastës së lartë komuniste, u goditën pa mëshirë duke u shpallur armiq. 

Kreu i PD-së Lulzim Basha me thirrjen e kuvendit në 18 Dhjetor, nuk synon më shmangien e ndarjes së partisë, por përkundrazi ndarjen e saj duke mbajtur vulën dhe atë që do mbetet nga ndarja. Kjo gjë do t’i lejonte të gjente një alibi tjetër për të justifikuar humbjen në zgjedhjet e radhës pa e lëshuar karrigen e kryetarit, ku shkaktar veç regjimit do shtonte dhe Berishën.

Nga anon shumica e demokratëve, këte do ta shohim në dy datat e kuvendeve. Por a do të mbyllet pas dy kuvendeve beteja për kreun e opozitës?

©Ilir Gjini