Kolumnist

Pandemia, hipokrizia politike, kamioni dhe protesta në Ottawa - Nga Taulant Dedja

Thuajse u mbushën plot dy vjet që gjithë planeti po jeton në situatën e pandemisë. Në vende të ndryshme situate është menaxhuar dhe përjetuar sigurisht në mënyra të ndryshme. Në raport me pandeminë, ky shënim nuk synon të thotë ky e ka drejt dhe ai e ka gabim. As të hyjë në debatin se çfarë është e gjitha kjo që ka ndodhur dhe ku ndryshon nga pandemitë e tjera. Për momentin gjëja që imagjinohet pak a shumë është cilët kanë përfituar më shumë ekonomikisht në këto dy vite dhe gjithashtu dimë që në Kanada janë shpenzuar me miliarda e miliarda dollarë me rregulla të përkohshme emergjence (pa transparencë). Po kështu, vendimet e paqarta hapje-mbyllje dhe mbyllje-hapje i kanë çoroditur rregullisht qytetarët dhe shumë biznese, të cilët prioritare  kanë betejën me jetën e përditshme dhe pagesën e faturave.

Preokupimi im sot është raporti politikë-pandemi-qytetar. Po e nis me disa konstatime dhe pohime. Nuk di (qofsha i gabuar) të jetë inauguruar një spital i ri në këto dy vite dhe besoj një vend i G7 e ka fuqinë ta bëjë këtë në një përiudhë të tillë kohe, qoftë edhe për të rritur kapacitetin e shërbimeve të urgjencës. E di që jetoj në një provincë kur rreth 900 mijë qytetarë nuk kanë ende mjek familje, ku infrastruktura e shërbimit shëndetësor dhe ajo e trajtimit të të moshuarve tregoi boshllëqe, në jo pak raste të frikshme në këto dy vjet. Për transparencë e them që nuk jam antivax. Jam dy herë i vaksinuar dhe pas dy ditësh do bëj dozën e tretë. Gjithçka ka qenë vendim personal, sepse restorantin e inskenoj edhe në shtëpi, sikurse dhe kinemanë apo koncertin, po ashtu dhe të bërit sport në natyrë nuk ma kushtëzon pasaporta vaksinale. Kam punuar dy vjet në zyrë çdo ditë dhe nuk e kam kufizuar në asnjë rast kontaktin me publikun me të cilin më lidh profesioni. Kam kontakt çdo ditë me njerëz të pavaksinuar të cilët i respektoj maksimalisht.

Për shkak të specifikës si shtet federal, besoj se askund tjetër si në Kanada, situata në fjalë është përdorur për interesa të drejpërdrejta të zgjatjes apo rinovimit të mandateve politike. Mjafton të kujtosh në sa provinca u zhvilluan zgjedhje të parakohshme, përfshi dhe në rang vendi, ku tema kryesore që thuajse dominoi çdo fushatë ishte menaxhimi i pandemisë. (Shpenzimet totale për zgjedhje federale e provinciale sigurisht e kanë kaluar shifrën 1 miliard dollarë keto dy vjet. Sa shtretër në spitale mund të shtohen vetëm me këtë shifër? Nuk e di.). Mjafton të shikosh edhe atë që ndodh në Ontario dhe Québec ku të dy kryeministrat provincialë vazhdojnë ta përdorin situatën pandemike krejtësisht në funksion të rizgjedhjes. Mjafton gjithashtu të përmendësh faktin që me aq sa kanë dalë këto dy vite në konferenca shtypi për pandeminë Doug Ford dhe François Legault, thuajse e kanë përfunduar fushatën elektorale. Nuk kanë lënë rast pa dalë në ekran, kur më shumë u takonte specialistëve të flisnin dhe shpesh janë sjellë si gjithologë, apo “baballarë kombi”. Madje kryeministri Legault flet gjithmonë në vetën e parë, “unë keshtu, unë ashtu”.

Edhe qëndrimet politike gjatë ditëve të fundit, në lidhje me protestën që ende vazhdon në Ottawa, janë dëshmi se klasa politike, me ndoca përjashtime (të paktën dikush apo disa e patën kurajon për të manifestuar apo për t’u pozicionuar), përpara të ardhmes së Kanadasë, të parin ka fatin e vet personal. Një kryeministër që çuditërisht pas dozës së tretë infektohet dhe testohet pozitiv, pikërisht në ditën kur mbase po të mos ishte burracak, mund të kish gjetur kurajon të ftonte në takim (ai ose dikush i mandatuar prej tij) disa përfaqësues të atyre mijëra njerëzve që protestuan në Ottawa më 29 Janar dhe atyre të tjerëve që ende ndodhen në qendër të kryeqytetit. Edhe pse janë sipas tij një minoritet i vogël apo i margjinalizuar, kryeministri është edhe kryeministër i të margjinalizuarve. Por jo, ai vazhdoi sërish me cinizmin e tij duke u shprehur boll u ankuat kthehuni në shtëpi dhe duke tentuar serish t’i kundërvërë kanadezët me njeri tjetrin. Madje duke i akuzuar disa si vjedhës supe të të pastrehëve, që gjatë qeverisjes së tij janë shtuar jo pak.

Edhe opozita parlamentare shkëlqeu në mediokritetin dhe hipokrizinë e saj. Kreu i NDP Jagmeet Singh (paterica e Trudeau), përdori krejt pa lidhje kartën e racizmit, ndërsa konservatorët më shumë e shigjetuan kryeministrin se “po i hedh benzinë zjarrit” për shkak të përplasjeve të brendshme për dominimin e lidershipit të partisë. Askush prej tyre nuk pati kurajon të shkonte në Parliament Hill në fundjavë, sepse secili me sa duket llogarit interesin e vet në funksion të mandatit të radhës, ndërsa shefi konservator Erin O’Toole, sa për të larë gojën, takoi disa kamionistë diku mes askundit. Pamë gjithashtu një Legault, as mish as peshk dhe një Ford të “shqetësuar” për ca simbole dhe gjoja profanimin e dy monumenteve (sikurse dhe shumë të tjerë që bënë deklarata publike) në përpjekje më shumë për vota se sa në një deklarim të sinqertë që të bardhës i thotë të bardhë dhe të zezës të zezë

Sipas leximit tim, së pari ai simboli nazist, nuk ka lidhje fare me atë se dikush kërkon të mburrë nazizmin, por me faktin që njerëz të caktuar, politikat kufizuese të qeverisë duan t’i krahasojnë me sisteme diktatoriale. Besoj kaq e drejtë të shprehuri është e garantuar. Po kështu edhe loja e pandershme që u bë me dy monumentet. Mendoj që çdokush e kupton fjalën profanim dhe që ka parë videot në rrjete, është në gjendje të konkludojë (pa u ndikuar nga interpretimet e mediave dhe politikanëve) se nuk u profanua as Ushtari i Panjohur (që në fakt ka luftuar gjithmonë jashtë territorit të Kanadasë, të paktën qysh pas luftës me SHBA) dhe as monumenti i Terry Fox, të cilin protestuesit u kujdesën të ishte njëlloj si para vendosjes së një parrulle me fjalën liri në krahët e tij dhe një flamuri kanadez (disa bënë hatanë se ish vendosur me kokë poshtë).

Tani pak fjalë për protestën. Zanafilla e saj ishte çështja e vaksinimit të detyrueshëm të kamionistëve që kryejnë transportin mes Kanada dhe SHBA, por ajo evoluoi duke u shndërruar në një demonstrim ndaj masave esktreme kufizuese të Shëndetit Publik dhe kufizimit të shumë lirive themelore përgjatë dy viteve. Shumë njërëz që s’kanë lidhje me profesionin e kamionistit, madje shumë prej tyre të vaksinuar, e dëshmuan këtë duke shkuar në Ottawa e duke protestuar paqësisht. Me të drejtë shumë prej tyre sot mund të shtrojnë pyetjen çfarë po ndodh ndryshe në Kanada në raport me Britaninë e Madhe për shembull (ku thuajse u hoqën kufizimet plotësisht), vendin ku jeton dhe Kryetarja e shtetit kanadez.

Shumë media, por edhe politikanë, përfshi dhe ministren e Jashtme Mélanie Joly, ende amatore në diplomaci politike jo vetëm në kuptimin e politikës së Jashtme, i mëshuan kujtimit të 6 Janarit 2021 në Washington. Hipotezë shumë bajate kjo. Ndryshe nga ministrja, disa media u zunë ngushtë, në një lloj kuptimi (se mbase ka ende gazetarë që respektojnë profesionin) duke e ndryshuar cilësimin në lidhje me protestën me një lloj autokritike të padeklaruar. Pikërisht media kryesore shtetërore kanadeze komentoi me fjalët: “Ne i frikësoheshim kryengritjes si ajo që ndodhi në Shtetet e Bashkuara më 6 janar 2021. Megjithatë, në këtë 29 janar 2022, para Parlamentit të Kanadasë, demonstruesit më tepër kënduan, kërcyen dhe festuan”.

Pra protesta e madhe e 29 Janarit në minus 30 gradë celsius, dëshmoi se Kanadaja është një vend ku kultura demokratike e qytetarëve, pavarësisht bindjeve të ndryshme, mbetet vlerë e qënësishme dhe pjesë e identitetit kombëtar, e identitetit të kombit më multikulturor në botë. Në atë shesh më 29 Janar fitoi vlera akoma më shumë Kanadaja në sytë e opinionit, ndërsa politika mbeti në batakun e mediokritetit dhe hipokrizisë.

Nuk mund të bëhem parashikues se si do shkojë më tej protesta që ende vazhdon. Ajo që bie në sy dhe që përkrahet edhe nga mediat, është përpjekja për ta delegjitimuar atë me faktin se tani nuk po vazhdon dot jeta normale në Ottawa. U kujtohet qytetarëve të Ottawa fakti që prezenca policore u kushton atyre 800,000 dollarë në ditë. Nga nxirret kjo shifër? Policia u bën thirrje kamionistëve që tani duhet të kthehen në shtëpi.  Dëgjohen në mikrofona të radiove (e në media të tjera) biznese që ankohen apo qytetarë që thonë jemi të detyruar të rrimë në shtëpi për shkak të vazhdimit të protestës. Po a nuk kemi dy vjet që jetojmë në kushte anormale të gjithë? Sa herë në këto dy vjet kryeministri i provinces Ontario Doug Ford, ku ndodhet dhe Ottawa, u tha njerëzve “stay home!”?

Dikur, gjatë një leksioni në Shkollën e Administratës Publike të Québec, ku studiova në vitet 2008-2011, një profesor (tre herë ministër paralelisht me karrierën akademike) na fliste për të veçantat e Kanadasë (nga njeri oqean në tjetrin). Për shembull për klimën, që sipas tij të krijon përshtypjen mes dy stinëve të ngrohta dhe të ftohta sikur jeton në dy vende të ndryshme. (E kam provuar këtë ndjesi kur jam larguar në dimër nga Kanadaja e mbuluar me dëborë dhe kur jam rikthyer në pranvere.) Po kështu për faktin se këtu jetojnë dy kategori qytetarësh nga pikpamja e të drejtave juridike (autoktonët dhe të tjerët që kanë ardhur nga gjetkë shekull pas shekulli). Në ekspozenë e tij, në një moment ai na u drejtua duke thënë: po sipas jush cili është elementi që ligjërisht bashkon më tepër kanadezët me njeri tjetrin, nga njeri oqean në tjetrin, perveç hekurudhës dhe rrugëve? Nuk po ripërsëris përgjigjet e ndyshme që u dhanë, por po kujtoj pikpamjen e ish-profesorit tim. Sipas tij, elementi që i bashkonte më shumë kanadezët ishte sistemi shëndetësor publik me skemën që quhet mbulim universal (ne nuk paguajmë për shërbimet shëndetësore shtetërore të cilat gjithsesi financohen nga taksat tona dhe të gjithë pa përjashtim, pavarësisht të ardhurave, përfitojnë njëlloj nga shërbimi shëndetësor publik).

Sot, pas dy vitesh pandemi, ajo çka përmendet më shumë është pikërisht ky sistem, i patrajtuar seriozisht dhe me vizion perspektive përgjatë disa dekadave nga klasa politike (kush nuk e pranon që ky sistem ka probleme thelbësore gënjen veten), për të ecur me ritmet e ndryshimeve demografike. Sot, gjithnjë e më shumë provincat ankohen për faktin që nuk marrin ende në masën që duhet transferta nga qeveria federale, pra përgjegjësia për këtë sistem ende në një shkallë të lartë është federale dhe makineria e këtij sistemi duket e lodhur dhe shumë burokratike.

Duke kujtuar, ekspozenë e profesorit dhe faktin që ai përmendi sistemin shëndetësor publik, hekurudhat dhe rrugët, për një çast mendova që në vuajtjen dhe lodhjen e shumëllojshme të këtyre dy viteve, simboli që na bashkon më shumë sot si kanadezë nga njeri oqean në tjetrin është pikërisht kamioni. Janë ata njerëz, të pavaksinuar ose jo, pak rëndësi ka, të cilët ushtrojnë një profesion shumë të vështirë, udhëtojnë mijëra kilometra, brenda e jashtë Kanadasë, për të na bërë të mundur të kemi në shtëpitë tona pothuajse gjithçka na duhet për të jetuar me dinjitet e normalisht. Mirënjohje për të gjithë pa përjashtim!

Mister Trudeau, Truck Drivers Lives Matter!

©Taulant Dedja