Kolumnist

Dorëheqja e kryepolicit të Ottawa dhe cinizmi i politikanëve - Nga Taulant Dedja

Taulant Dedja

Nëse në Shqipëri emrat e kryepolicëve njihen gati përmendësh (për mirë a për keq) për arsye që nuk ia vlen t’i rendis, në Kanada ndodh ndryshe. Drejtuesit e lartë të policisë këtu janë profesionistë me karrierë të gjatë, të zhvilluar në mënyrë graduale e mbi bazë meritokracie. Ata nuk varen nga politika dhe urdhërat i marrin nga ligji. Për ta mbështetur me një rast konkret këtë që po them, po sjell si shembull faktin që funksionari shtetëror më i paguar në Quebéc nuk është kryeministri Legault, por një shef policie. Ai quhet Fady Dagher dhe drejton policinë e aglomeracionit të Longueuil, i treti për nga popullsia pas atij të Montreal dhe Quebec.

Të kthehemi te tema e ditës në Kanada, protestat kundër kufizimeve shëndetësore dhe bllokimi i qendrës së kryeqytetit federal. Sot protesta dhe pasojat e saj bënë “kurban” një zyrtar shtetëror, njërin prej përgjegjësve të ngarkuar nga ligji për administrimin e kësaj situate tejet komplekse. Ai quhet Peter Sloly, polic me karrierë 30 vjeçare. Ai dikur ka qenë numri dy i Policisë së Torontos (i pari oficer me ngjyrë në rang kaq të lartë në historinë e policisë së Torontos) në kohën kur ajo drejtohej nga Bill Blair, aktualisht Ministër Federal i Mbrojtjes Civile dhe Emergjencave. Deri dje Peter Sloly drejtonte Shërbimin Policor të Bashkisë Ottawa, detyrë të cilën e pat marrë në gusht të vitit 2019. Dje ai ka dhënë dorëheqjen. Dje ai ka hedhur dorashkën pas 30 viteve sakrifica, sepse të punosh në organet e rendit dhe sigurisë, do të thotë që në çdo moment jetën mund ta kesh të rrezikuar. Arsyet e vërteta të dorëheqjes sigurisht i di vetëm ai, dhe jo komentatorët e mediave proqeveritare, që nxituan pa fakte ta përflasin pikërisht dje si arrogant me vartësit.

Qytetari i parë i Ottawa, kryebashkiaku Jim Watson, me hipokrizi ka tentuar të dëshmojë një aparencë qytetarie, duke e falenderuar për kontributin e dhënë në radhët e policisë Peter Sloly-n, por njëkohësisht s'ka nguruar të pohojë, që për të kjo dorëheqje nuk ka qënë suprizë. Sipas fjalëve të tij, shefi i policisë kishte humbur besimin e komunitetit, anëtarëve të këshillit bashkiak dhe Bordit të Shërbimeve Policore. Për të ka pasur shumë ankesa dhe kjo nuk është e pranueshme. Po kryetari i bashkisë, që deri para një jave e përsëriti publikisht mbështetjen dhe besimin ndaj kryepolicit çfarë përgjëgjësie mban për ngjarjet e këtyre tri javëve? Çfarë ndryshoi në javën e fundit kur ai vetë deklaroi se kish arritur një marrëveshje me përfaqësuesit e kamionistëve, ndërkohë që policia e Sloly kish kryer 23 arrestime, kish hapur mbi 180 dosje hetimore dhe kish vënë mbi 3000 gjoba?

Nuk është subjekt i këtij shënimi përgjigja e këtyre pyetjeve, por deklara e Jim Watson, sipas meje, dëshmon që kjo dorëheqje sa ç’ka qenë rezultat i “derdhjes se kupës” që çdo profesionist e nxit rëndom të hedhë dorashkën, po aq është dhe rezultat i një presioni të politikës, e cila në raste krizash bëhet më cinike se kurrë dhe gjithmonë tenton t’i “lajë duart” si Pons Pilati, duke e hedhur përgjegjësinë te njerëzit e terrenit, tek ata që në vijën e parë duhet të përballën me situatat e vështira. Mëtonjësit e postit të kryebashkiakut e kanë dëshmuar këtë cinizëm, veçanërisht këshilltarja Catherine McKenney, që e ka akuzuar kryepolicin për dështim në menaxhimin e situatës.

Po sa mbështetje pati kryepolici në ushtrimin e detyrës së tij? Sa herë bëri thirrje ai për ndihmë nga instancat e tjera përgjegjëse për rendin dhe sigurinë? Vetëm e tija është përgjegjësia për rendin në zonën ku ndodhen institucionet kryesore të shtetit, përfshi dhe Guvernatoren e Përgjithshme që nuk ka bërë qoftë dhe një deklaratë të vetme për krizën? Sigurisht që jo. Ç’mund të bënte më tepër një kryepolic qyteti, në një provincë ku kryeministri i saj nuk ka kurajon të shkojë një ditë në Parliament Hill të shohë me sytë e vet situatën? Ç’mund të bëjë një kryepolic qyteti në një shtet ku kryeministri federal fshihet dhe nuk mandaton qoftë edhe një përfaqësues për të dëgjuar zërin dhe mendimet e atyre të cilët me cinizëm i cilësoi si njerëz që vetëm sa dërdëllisin kot? Sigurisht asgjë, përveç se të largohet me dinjitetin e një profesionisti, por besoj edhe me një shije të hidhur.

Për mua si qytetar, por edhe si njeri që për shkak të karrierës e ka njohur punën e policisë deri në detaje të imët, Peter Sloly ka meritën që në asnjë rast nuk nxiti situata konfrontimi të cilat mund të sillnin pasoja edhe të pariparueshme. Shumëkush mund të thotë që prej tri javësh gjendja në qendër të kryeqytetit federal është një anarki e plotë, por a mund të hidhet përgjegjësia për këtë vetëm mbi policinë e qytetit? A mund të pretendohet se nuk kishte plan për daljen nga kriza?

Duke lexuar sot komentet e një ish-drejtuesi të RCMP (Policia Mbretërore Kanadeze), i cili padrejtësisht akuzonte se policia e kish humbur kontrollin e qendrës, unë besoj se Peter Sloly, i pat vënë një qëllim vetes qysh ditën e pare: shmangien e dhunës dhe konfrontimit me forcë. Besoj se deri në momentin që ishte në detyrë ia arriti qëllimit, pavarësisht së e pagoi me dorëheqje. Dhe mu për këtë meriton respekt. Në së ka një njeri apo politikan që iu shmang detyrës në tre javë ai ka qenë kryeministri Trudeau, jo kryepolici i Ottawa.

Por ndryshimi mes këtyre dy individëve është një hendek i tërë, i pamatë. Kryeministri është një fëmijë që rasti e solli të rritet në oborret e institucioneve të shtetit dhe rezidencave qeveritare për shkak të babait. Ish-kryepolici 55 vjeçar i kryeqytetit kanadez, ish-futbollist i ekipit kombëtar kanadez, është një imigrant që në moshën 10 vjeçare erdhi nga Xhamajka në Toronto dhe shërbeu 27 vjet në policinë e metropolit të Kanadasë para se të merrte detyrën në Ottawa. Sigurisht vetëm të afërmit mund t’ia njohin emrin e të atit. Sigurisht pak e dinë që Peter Sloly ka diploma shkolle, aq sa vite shkollëpaku Justin Trudeau mban postin e kryeministrit. Por një gjë është e sigurt, historia e jetës së Peter Sloly, është frymëzim për cilindo imigrant që shkel në këtë tokë të bekuar, emrin e të cilës nuk e njollos kurrsesi paaftësia e një kryeministri cinik dhe arrogant.

Teksa i mbyll këto radhë më vjen dëshira të perifrazoj vargjet e Gavroshit tek “Të mjerët” e Hygoit:

Rashë përtokë unë i mjeri dhe fajin e ka Volteri;

Te vija hunda më shkoi dhe fajin e ka Trudoi (Rusoi)

©Taulant Dedja