Kolumnist

Doktrina e Zbulimit dhe vizita e Papës në Kanada - Nga Arben Kallamata

Arben Kallamata - Mississauga ON

Në foto është Papa Françesku duke meshuar në Faltoren e Shën-Anës-së-Bopresë në Kebek, në 28 Korrik 2022, teksa dy indigjenë kanë hapur një banderolë ku shkruhet: Anullo Doktrinën e Zbulimit (anglisht Doctrine of Discovery). Dy ditë më parë, në Maskuasis të Albertës, Papa iu kishte kërkuar publikisht falje popullsive vendase për “abuzimet e këqija” siç i quajti ai, që Kisha Katolike kishte kryer në shkollat rezidenciale të Kanadasë. Shumë nga indigjenët janë lënë me ndjenjën që kërkesa e faljes nuk është e mjaftueshme.

Por çfarë është Doktrina e Zbulimit që ata i kërkojnë Papës të anullojë? Në një artikull në “National Post” (30 Korrik, 2022), Xhesika Mandi shpjegon se Doktrina e Zbulimit, bazuar në idenë që europianët mund të pretendojnë territore që s’iu takojnë, është dokumenti që i çeli shtegun Ligjit Indian dhe shkollave rezidenciale.

Doktrina e Zbulimit bën pjesë në grupin e koncepteve ligjore ndërkombëtare të quajtura jus gentium, ose “ligji i kombeve”, që u përdorën nga disa vende europiane në shekujt 14 dhe 15. Ajo buron nga parimi i “terra nullius” që përligj pushtimin e territoreve të pabanuara, dhe që me kalimin e kohës u ndryshua duke marrë kuptimin toka të pabanuara nga “njerëz të qytetëruar”.

Doktrina buron nga një seri Letrash Papale (Papalis Taurus), që janë deklarata zyrtare të Papës si përfaqësues i pushtetit të Zotit në Tokë. Shekujt 14 dhe 15 ishin kohë kur Kisha Katolike kishte pushtet të madh mbi qeveritë e Europës dhe Letrat Papale konsideroheshin ligj ndërkombëtar.

Letrat Papale iu dhanë disa vendeve europiane, kryesisht Portugalisë dhe Spanjës të drejtën të pushtonin toka jo-të krishtera dhe luajtën një rol thelbësor në kolonizimin e Botës së Re, posaçërisht dy Amerikave.

Pa kaluar shumë kohë nga qarkullimi i Letrave Papale, mbretëritë e Francës dhe Anglisë, dhe bashkë me to edhe disa vende të tjerë europianë, përmes “ligjit të kombeve” shpallën Doktrinën e Zbulimit, të cilën më vonë do ta përdornin si justifikim për të pushtuar toka të reja.

Doktrina e Zbulimit ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe me pasoja afatgjata për kombet indigjene të Kanadasë, sepse së pari justifikonte marrjen e tokave të tyre nga kolonizatorët europianë.

Europianët e parë që mbërritën në pjesën Verilindore të Amerikës së Veriut vendosën t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me vendasit duke nënshkruar Traktatet e para të Paqes dhe Miqësisë. Këto traktate ishin të rëndësishëm, pasi nuk iu kërkonin vendasve që të lëshonin tokën e tyre.

Megjithatë, në 1763, Mbreti Xhorxh III i Britanisë nxorri Shpalljen Mbretërore të mbështetur në Doktrinën e Zbulimit, me anë të të cilës vendoste pronësinë e tij mbi Amerikën e Veriut. Dokumenti përmendte edhe të drejtën e indigjenëve për tokat që kishin në atë kohë në zotërim dhe se tokat që nuk iu ishin marrë ende atyre do të mbroheshin me traktate të veçanta. Kjo i hapi rrugën periudhës së traktateve, në të cilat grupet e ndryshme indigjene filluan të lëshonin territore të tyre në këmbim të disa përfitimeve, duke përfshirë këtu edhe tokat e rezervateve.

Ideja se të krishterët e Europës kishin të drejtën e pronësisë mbi toka që nuk iu takonin qëndronte në thelb të Doktrinës së Zbulimit, në bazë të të cilës u ndërtuan Ligji Indian i Kanadasë dhe sistemi i shkollave rezidenciale.

Doktrina e Zbulimit u kthye në parim ligjor në vitin 1823 kur Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara, në gjyqin Xhonson kundër Makintosh, një rast kur dy individë pretendonin se kishin blerë të njëjtën ngastër toke, njëri nga indigjenët vendas ndërsa tjetri nga qeveria federale. Në vendimin Kryegjykatësi Xhon Marshall përdori Letrat Papale dhe Doktrinën e Zbulimit për të përcaktuar se nuk është e mundur të blesh tokë nga indigjenët vendas sepse ata nuk kanë pasur kurrë pronësi mbi të. Kur u kolonizua toka u bë amerikane. Ky vendim u pasqyrua më vonë, në 1888 edhe në gjykatat kanadeze, gjatë një mosmarrëveshjeje midis qeverisë së Ontarios dhe një territori jo rezervat të Traktatit 3. Gjykata Supreme e Kanadasë vendosi që, pavarësisht se Kanadaja dikur kishte qënë tokë indigjene, kur u zbulua nga europianët ajo u bë pronë e tyre, prandaj toka ishte territor federal.

Natyrisht, vendimet u morën pa u konsultuar me grupimet indigjene.

A do të arrijë Vatikani ta anullojë Doktrinën e Zbulimit? Ndoshta po. Përgjithësisht, peshkopët kanadezë të Kishës Katolike janë kundër saj.

©Arben Kallamata