Shqipëria, Kanadaja dhe kostot e ushtrimit të detyrës publike - Nga Taulant Dedja
Rjetet sociale dhe ndikimi i tyre në politikë e mbi sjelljen e politikanëve është një temë sa e gjerë, aq edhe aktuale. Në një kontekst konkret, pyetja të cilës do t’i jap përgjigje në këtë shënim është: a mund të konsiderohen bullizëm komentet kritike ndaj një figure publike? Zgjodha këtë pyetje, sepse sipas një sociologu shqiptar (pjesë e listës së miqve të mi në Facebook) kritikat në rrjete (në daçi e quajmë dufin e një shtrese të caktuar të qytetarëve) për heshtjen e presidentit të Republikës lidhur me tragjedinë e Himarës quhen “bullizëm”. Nëse e “bullizojmë” presidentin, thotë sociologu, nuk e ndihmojmë atë.
Sipas meje, ushtrimi i detyrës publike, aq më tepër sot në epokën e rrjeteve sociale, ku qytetarëve nuk u shpëton as qimja, ka një kosto të paevitueshme, e cila duhet përballuar. Nuk ka politikan të rangut të lartë sot në botë, i cili nuk kritikohet në publik, njëlloj ashpër si ky rasti i fundit shqiptar. Pra nëse pranon t’i hysh “valles” së politikës, duhet të pranosh dhe koston, përndryshe vazhdo profesionin që ke ushtruar më parë. Kur je në funksion publik, për aq kohë sa të vazhdon mandati (madje dhe më pas për disa) nuk i përket më vetes, por i përket publikut të cilit duhet t’i shërbesh me ndershmëri dhe përkushtim. Ky është detyrim sa ligjor, aq edhe moral.
Nëse ecim me mendimin se presidenti është “fillestar” dhe duhet ndihmuar, ndihmën e kanë për detyrë t’ia japin këshilltarët, të cilët paguhen për atë punë dhe presupozohet që kanë formimin dhe eksperiencën e plotë për ta bërë një gjë të tillë. Heshtja presidenciale në rastin e një tragjedie që tronditi gjithë opinionin shqiptar, në gjykimin tim nuk është shenjë e ndonjë maturie, por përkundrazi një pikëpyetje në lidhje kapacitetin etik e profesional të B. Begajt për të ushtruar funksionin e presidentit me integritet dhe pavarësi të plotë nga politika, duke iu bindur vetëm Kushtetutës dhe interesit publik e kombëtar.
Apo presidenti “fillestar” gjykoi se deklaratat e tij do të ishin të panevojshme dhe më mirë zgjodhi heshtjen? Apo presidenti “fillestar” bashkë me stafin e tij poaq “fillestar” ende është duke analizuar komentet kritike në rrjete? Kujtoj faktin që vetëm një ditë pas marrjes së detyrës, Begaj personalisht postoi një pyetje në Twitter se për çfarë kanë nevojë të rinjtë në Shqipëri që të mos e braktisin atdheun. Hë pra, le t’i lëmë kritikat ndaj presidentit se nuk e ndihmojmë kështu, e të bëjmë kujdes se mos ekspertët na cilësojnë si bullizues kolektivë!?
Sa do rrojmë e do mësojmë!
Dua të heq një paralele të vogël me këtë kryeministrin tonë këtej nga Kanadaja. Në parantezë, më duhet të pohoj që kryeministri kanadez (cilido qoftë), shtetari më i rëndësishëm në vend, për çdo ngjarje me ndjeshmëri të lartë për opinionin publik, shpreh gjithmonë publikisht (me deklarata ose prononcim të drejtpërdrejtë) qëndrimin e tij dhe njofton masat që qeveria do ndërmarrë nëse ato janë të domosdoshme.
Te premten 29 korrik 2022, Justin Trudeau (i kritikuar rregullisht nga një pjesë e mirë e qytetarëve kanadezë) ndodhej në provincën ishullore Prince Edward Island. Ai vizitoi aty një punishte prodhimi birre të hapur diku nga mesi i muajit maj 2022, me emrin Lone Oak. Në përfundim të vizitës, pronarët publikuan disa foto me kryeministrin në rrjetet sociale. Veç t’i kishit lexuar komentet poshtë atyre fotove. Kryeministrin le të themi se e bënin për një lek, aq sa pas disa orësh, fotot u hoqën fare nga rrjeti. Çfarë kishte ndodhur?
Sipas presidentit të kompanisë së prodhimit të birrës, Jarred Murphy (të cituar nga CBC/Radio-Canada, media shtetërore kanadeze), fotot me kryeministrin kishin ngjallur zemërim të qytetarët dhe brenda disa orëve postimi i tyre kishte marrë mijëra komente negative, disa me nota urrejtje madje, ishin nisur dhe qindra tekste mesazhesh e ishin bërë telefonata direkte. Për më tepër, pronari ishte tejet i shqetësuar, sepse qysh nga vizita e Trudeau, kuota e vlerësimit të biznesit së tij në rrjetet sociale kishte rënë në mënyrë drastike.
Në të njejtin raportim mediatik, citohej dhe një deputet federal i zones (i të njejtës parti me kryeministrin), i cili e konsideronte ngjarjen si shembull i polarizimit të pikpamjeve, por edhe të situatës së përgjithshme në shoqërinë kanadeze. Madje deputeti në komentin e tij pranonte që provinca e Prince Edward Island, është provinca me inflacionin më lartë në Kanada dhe ku shkalla e papunësisë është më e lartë se mesatarja kanadeze. Në fund, ai shprehej që këto pakënaqësi janë normale dhe zyra e kryeministrit është e përgatitur për trajtimin e rasteve të tilla.
Kërkova, dhe nuk gjeta ndonjë reagim sociologu kanadez në rrjet, që t’i quante bullizëm komentet e qytetarëve ndaj kryeministrit. Ndoshta edhe ka, dhe patjetër që duhet të ketë. Megjithatë, unë them se po u ule në atë karriken e kryeministrit apo presidentit, apo në çdo lloj karrigeje që është aty ku është prej parave publike, duhet me i dalë për zot përgjegjësive, me apo pa bullizmin në rrjet.
©Flasshqip.ca