Si ka mundësi që në Shqipëri nuk ka liri shtypi?! - Nga Lutfi Dervishi
Kjo pyetje duket retorike nëse i referohesh emisioneve televizive ku qeveria bëhet zhele nga mëngjesi në darkë, nga e hëna në të hënë (me një pushim të shkurtër, në fundjavë) dhe nga një stacion në tjetrin.
Si është e mundur që Shqipëria pëson rënie në renditjen e lirisë së shtypit, në një kohë që jo vetëm qeveria është tabelë qitje, por nuk ka gazetarë të vrarë, nuk ka gazetarë të plagosur, nuk ka gazetarë në burg apo në mbrojtje të policisë?
"Për të mësuar se kush sundon mbi ju, thjesht zbuloni se kë nuk ju lejohet të kritikoni." - kjo thënie që i atribuohet gabim Volterit, nuk vlen për rastin e Shqipërisë. Njeriu që supozohet se kontrollon gjithçka është Kryeministri.
Po si është e mundur të përkeqësohet liria e shtypit kur për Kryeministrin në 10 fjalë, 8 janë kritike, 1 është neutrale dhe një fyerje?
Ia fusin kot zërat kritikë në Shqipëri dhe raportet ndërkombëtare apo ka diçka që nuk shkon në paradoksin që qeveria shahet nga mëngjesi në darkë dhe gazetarët ankohen për liri media?
E vërteta, ashtu si mësalla, në këtë rast ka dy faqe. Sa i përket debatit, opinionit, llafeve dhe kafeve - qeveria e ka humbur betejën. Madje është (vetë)dorëzuar. Nuk para shkon në debate televizive prej…ditës kur ka ardhur në pushtet. Debati bëhet me “bedelë”. Opinionistë/analistë/komentatorë që mbrojnë kauzën e qeverisë (që janë në minorancë dhe duhen vlerësuar për guximin) dhe kritikët dhe shpotitësit e qeverisë në anën tjetër.
Përgjithësisht në debate mbizotëron kultura e kacafytjes, toni i lartë, mungesa e argumentit, (ndonjëherë) mungesa e logjikës dhe mungesa e fakteve. Debati nuk bëhet mbi fakte dhe argumenta, por rrjedh në hullinë që ka hapur pyetja: “Po ju si e mendoni këtë punë?”
Në debate përgjithësisht janë komentatorë të sprovuar dhe ka shumë pak gazetarë. Për fat të keq edhe gazetarët kur ftohen dëshirojnë të paraqiten si komentatorë. Mbarojnë dy orë debat dhe pyetja e Konicës: “Po çfarë doli nga kjo?”, nuk merr përgjigje lehtë.
Në një rast të pangjashëm me asnjë vend tjetër, çdo natë në prime time, në kohën më të çmuar televizive, nuk sheh më filma, programe argëtuese, sport, dokumentarë, por vetëm “debate”.
Debatet mund të duken të njëjta, të ftuarit mund të jenë të njëjtë, temat mund të jenë të njëjta, “argumentat” mund të jenë të njëjta - por gjithësesi në këto debate sheh njerëz realë, njerëz të bindur ose në “rol”, njerëz që marrin përgjegjësi për atë që thonë në publik.
Por liria për të folur, liria për të kritikuar, liria për të sharë dhe për të fyer është një anë dhe liria e medias është një gjë krejt tjetër.
Testi i vërtetë i gazetarisë dhe lirisë së shtypit nuk janë “debatet”, por gazetaria kritike/hulumtuese. Këtu qeveria sa vjen dhe shtrëngon rrjedhjen dhe kontrollin e informacionit dhe për më tepër i bën vetë lajmet.
Si është e mundur që në stacione të ndryshme televizive lajmet i ngjajnë “deleve që i qeth një bari?”. Janë lajme të prodhuara nga pushteti.
Gazetarët nuk e kanë më monopolin e prodhimit të lajmeve. Lajme sot prodhon kushdo që ka dëshirë dhe të paktën një celular në dorë. Problemi është se këto lajme të prodhuar nga pushteti - nuk kanë etiketë. Publiku nuk e di se pas këtyre lajmeve propagandë - nuk janë gazetarët. Rasti më flagrant janë zgjedhjet. Ngjarja më e rëndësishme për një vend nuk raportohet nga media, por nga partitë politike.
Për të bërë gazetari të mirë duhen njerëz, duhen kohë dhe fakte/dokumenta.
Në shtator të 2014 u miratua një ligj shumë i mirë për të drejtën e informimit të publikut me dokumenta zyrtare. Por zbatimi i tij ka ardhur duke u përkeqësuar.
Për të patur liri shtypi, nuk mjafton vetëm që qeveria të jetë më transparente dhe të zbatojë ligjin, nuk mjafton as vullneti politik i mirë. Liria e medias është ajo liri që i lejon gazetarit të shkruajë dhe të publikojë artikuj që ai i gjykon se janë me interes për publikun - pa menduar se po prek interesat e pushtetit apo edhe të pronarit.
Kur vlerësohet liria e medias së një vendi merren në konsideratë dhjetëra parametra - që nga legjislacioni, sjellja e autoriteteve, tregu mediatik, tregu i reklamave, shpërndarja e reklamave, transmetuesi publik, qasja në informacion, interneti, mediat sociale, qasja në profesion, (auto)censura, kushtet e punës, siguria, kontratat, cilësia e produktit gazetaresk, pavarësia editoriale, pronësia e medias, transparenca mbi pronësinë e medias, mbështetja që gëzon media nga aktorët e tjerë…gjyqësori etj. etj.
Po të matej liria e medias me pyetjen: A ka debate kritike ndaj qeverisë, Shqipëria merr 10 me yll. Sikundër nëse pyetja do të ishte: A kanë akses gazetarët te informacioni dhe te zyrtarët, nota do të ishte katër me hatër.
Liria e shprehjes (dhe këtu besoj meritojmë vlerësimin maksimal) është ajo që dëgjojmë nga komentatorë e debatues nga janari në dhjetor (me një pushim të shkurtër në muajin gusht) Por liria e medias (ky derivat i lirisë së shprehjes) do të thotë që gazetari merr, përpunon dhe shpërndan informacion pa pengesa, pa kufizime, pa (vetë) censurë, pa kontroll…
Ndaj ai që thotë se ka liri shprehje, ka jo vetëm të drejtë, por edhe plot argumenta dhe fakte. Sikundër nuk duhen shumë fakte dhe argumeta për të treguar që liria e medias sa vjen dhe kufizohet, kompromentohet dhe minohet.
©Lutfi Dervishi