Kolumnist

Intriga e përçarjes në pyetjen rilindase: “A votohet Ilir Meta?” - Nga Enver Bytyçi

Ajo çka po përpiqet të injektojë “Rilindja” dhe propaganda e saj lidhet me atë që “demokratët në zgjedhjet e 14 majit nuk votojnë Sali Berishën, por votojnë Ilir Metën”. Rama thotë “Meta është non-grata te demokratët”. Thotë edhe “Berisha është non-grata në SHBA”. Duhet menduar se kjo propagandë, të cilën e përdor më së shumti Erion Veliaj, ngjit te disa njerëz. Aq më tepër se alibashistët e përsërisin këtë lloj retorike para buke e mbas buke.

Duket qartë se intriga e vendimit politik të gjykatës për t’ia dhënë vulën jo ekzistentëve në Partinë Demokratike është realizuar me këtë skenar. Ta detyrojë partinë e vërtetë të demokratëve të dalë me siglën e një koalicioni dhe më pas ta përdorin këtë si bashkëpunim të panatyrshëm me Partinë e Lirisë. Dikush thotë “unë nuk votoj Partinë e Lirisë”. Dikush tjetër shprehet “nuk votohet Ilir Meta”. Pak nga pak kjo përhapet dhe e dëmton kauzën e fitores.

Ndërkohë do të doja të përmend disa të vërteta, të cilat duhet t’i njohin dilemistët, pra ata që janë në mëdyshjen: “të votojnë koalicionin Berisha-Meta, apo Edi Ramën?” Disa mund të thonë “unë nuk votoj as Metën, as Ramën”, d.m.th. se nuk shkojnë në votime. Në fakt pikërisht me këtë synim e përdorin “Rilindja” dhe rilindasit “demokratë” alibashistë këtë strategji përçarjeje të koalicionit “Bashkë fitojmë”. Që njerëzit të mos votojnë. Edhe shpopullimi i Shqipërisë ka këtë objektiv. Në përfitim të votave të munguara nga emigrimi të shkatërrohet, rrënohet dhe shuhet Shqipëria. Mjafton ky fakt, për të mos rënë pré e propagandës rilindase.

Edi Rama, Veliaj e të tjerë pushtetarë në fushata elektorale kanë si fjali të parë “tolerancën” dhe “bashkimin”. Por sa artikulojnë fjalinë e dytë kuptojmë se strategji kanë përçarjen. E gjithë retorika e tyre ka të bëjë me obsesionin “përça e sundo”. Kjo ka qenë prej se ka lindur (8 nëntor 1941) “Rilindja” e punisto-socialistëve. Kësaj radhe duan të përçajnë koalicionin me pyetjen retorike të shëmtuar: “A votohet Ilir Meta?” apo me parullën “Ata nuk kanë as emra në fletën e votimit”, e përralla si këto.

Por koalicioni i Partisë Demokratike me Ilir Metën është i natyrshëm. Ish-presidenti Meta ka lëvizur me guxim te konceptet e të Djathtës në qeverisje. Mos harrojmë: Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar demokracia në Europë mori formë nga fakti se Konservatorët përkrahën konceptin social të shtetit dhe Socialdemokratët përkrahën konceptin konservator të ekonomisë së tregut. Koalicioni Berisha-Meta ka në themel pikërisht këto parime dhe jo interesat individuale. Alibashistët thonë “Berisha ka hallin e tij personal”. Kështu thonë edhe Edi e Erioni. Por harrojnë se halli personal i Berishës është dinjiteti dhe jo bashkëpunimi me mafien e Edi Ramës, princip që e ndjekin alibashistët. Ndërkaq në të gjithë botën e qytetëruar politikanët punojnë dhe luftojnë për dinjitetin e tyre, si kusht i padiskutueshëm për të mbrojtur dinjitetin kombëtar e qytetar.

Praktikisht Ilir Meta ka një eksperiencë bashkëpunimi me Berishën dhe anasjelltas. Zdromsi thotë “demokratët nuk janë të sigurtë se Meta nesër nuk i le në baltë”. Ilir Meta bën koalicione të përcaktuar dhe jo të përhershëm. Por një gjë duhet ta dinë demokratët: Ai ndjehet shumë më konfort në koalicionin me Partinë Demokratike, sesa ndjehej në koalicionin e Edi Ramës (2013). Ilir Meta i ka qëndruar fjalës, koalicionit deri në fund të mandateve. Dhe këtë princip e ka ndjekur edhe me PD, edhe me “Rilindjen”. Çka do të thotë se ish-presidenti Meta është njeri i fjalës. Kur mbaron afati i marrëveshjes çdo palë nënshkruese në të gjitha fushat është e lirë të bëjë zgjedhjen e vet. Këtë ka bërë Ilir Meta.

Dhe së fundmi, koalicioni me Ilir Metën, nuk është thjesht vullnet, por është domosdoshmëri. Në vitin 2009 PD nuk mundi ta formojë qeverinë pa Ilir Metën. Ishte domosdoshmëri koalicioni. Në vitin 2011 Ilir Meta i dha Lulzim Bashës, jo 80 vota me të cilat doli fitues, por 180 mijë dhe mezi e mori Bashkinë e Tiranës. De facto demokratëve u duhet aleanca dhe koalicioni me Ilir Metën, madje edhe në kushtet e një Partie Demokratike të fuqishme e të bashkuar. Këta janë rregullat e pushtetit. Por në koalicionin e sotëm Meta ka riskuar më shumë se demokratët. Ai pranoi të gjithë kandidatët e primareve të Sali Berishës. Të 61 emrat që dje u thirrën në Arenën e Lirisë janë kandidatët e primareve të Partisë Demokratike të Berishës. Asnjë parti politike aktive në parlament nuk do të pranonte që të mos përfaqësohej në zgjedhjet lokale me kandidatët e saj. Dikush mund të thotë se disa kandidatë të primareve janë të Metës. Harrojnë se primaret u bënë në një kohë tjetër, pa e ditur se vula e PD do të grabitej nga piratët e politikës. Dhe së fundmi, nëse ka simpatizantë të Metës në PD, kjo nuk i dëmton demokratët.

Të lëmë inatet e paragjykimet dhe të shkojmë në fitore më 14 maj! Kjo është deviza e demokratëve të lirë!

© Enver Bytyçi