A është ky tentimi i fundit i Vuçiçit për ndarjen e Kosovës? - Nga Enver Robelli
Në një vilë qeveritare në lagjen Dedinje të Beogradit në vitin 2018 publicisti kroat Darko Hudelist takoi presidentin serb A. Vuçiç dhe zhvilloi një intervistë me të për revistën “Globus” të Zagrebit. Pas intervistës Vuçiçi shtroi drekë për Hudelistin. “Ishim vetëm ne dy (...)”, shkruan Hudelisti. “Në një çast e pyeta Vuçiçin se si mendonte ta zgjidhte problemin e Kosovës. Domethënë, cili është plani i tij për Kosovën. Mendoi pak - kaluan disa (ndoshta pesë, ndoshta dhjetë) sekonda të heshtjes dukshëm të tensionuar, pastaj tha se nuk mendonte ose nuk e ka ndërmend ta dorëzojë Veriun e Kosovës”.
Asgjë nuk ka ndryshuar që nga viti 2018 në qasjen e regjimit të Vuçiçit ndaj Kosovës. Çfarë po ngjet aktualisht në Veri të Kosovës e ka zanafillën në projektin disavjeçar serb për ndarjen e Kosovës. Me çdo gur e shok-bombë bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi testojnë si autoritetet e Kosovës, ashtu edhe ndërkombëtarët, sa janë të gatshëm të garantojnë tërësinë territoriale të Kosovës dhe funksionimin e institucioneve. Fati i serbëve që jetojnë këndej urës së Ibrit në Kosovë nuk është prioritet kryesor i Vuçiçit - prioritet i tij është çarja territoriale e Kosovës si pikënisje e shkatërrimit edhe të shteteve të tjerë të rajonit (Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi). Një Kosovë e cunguar mund të ndikojë në uljen e gatishmërisë te një pjesë e madhe e popullatës në Kosovë për t’u identifikuar me shtetin e Kosovës dhe rritjen e përkrahjes për një lidhje me Shqipërinë (kjo lidhje mund të jetë federale, konfederale apo thjeshtë si provincë).
Sipas Darko Hudelistit, “mbrojtja e Veriut të Kosovës do të ishte, në një mënyrë, shtylla apo boshti i politikës së tij (Vuçiçit) për Kosovën. Në bisedat e tij të mundimshme, maratonike me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Kosovë (por edhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, të cilin po ashtu e ka inkuadruar në negociata) si dhe, natyrisht, me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian me në krye komisioneren europiane për punë të Jashtme dhe Siguri, italianen Federica Mogherini”.
A është ky tentimi i fundit i Vuçiçit për ndarjen e Kosovës? Me gjasë jo. Është vetëm një fazë e re e ashpërsimit të konfliktit që tregon një kontinuitet të politikës agresive serbe ndaj Kosovës. Refuzimi i serbëve të Veriut për të pranuar targat e Republikës së Kosovës, refuzimi për të paguar rrymën, refuzimi për të bashkëpunuar në zbulimin e vrasësve të politikanit Oliver Ivanoviç, refuzimi për të marrë pjesë në zgjedhje, ikja nga Parlamenti i Kosovës i përfaqësuesve të organizatës parapolitike “Srpska Lista”, refuzimi për të marrë masa ndaj krerëve të krimit të organizuar, të cilët gjenden në listën e zezë të SHBA dhe vazhdojnë të jenë personat kyç të Vuçiçit në kontrollimin e strukturave kriminale në Veri kanë një synim: ndarjen e Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye Vuçiçi nuk e nënshkroi atë që po quhet Marrëveshje e Ohrit, e cila, sado e vështirë për t’u gëlltitur nga Kosova, garantonte tërësinë territoriale të saj. Tani me çdo kusht po përpiqet që përmes huliganëve të tij të demonstrojë fuqi në terren. Përmes tensionimit të situatës në Kosovë, Vuçiçi synon të mobilizojë elektoratin e tij dhe të paralizojë opozitën e cila pas dy sulmeve në Serbi, që shkaktuan vdekjen e gati 20 personave dhe lanë të plagosur dhjetëra të tjerë, ka organizuar protesta mbresëlënëse kundër regjimit të Vuçiçit dhe mediave të tij kriminale. Kur një politikan populist ndodhet nën presion, shkaktimi i krizave është një nga opsionet e preferuara.
Pushteti aktual kosovar dhe një pjesë e madhe e qytetarëve me të drejtë mund të jenë të mllefosur me tolerancën shumëvjeçare që po i bëhet grupeve me maska në Veri dhe sponsorit të tyre kryesor - A. Vuçiçit. Por politika nuk bëhet me mllef. Prej vitesh ka qenë e qartë se Kosova duhet të ketë përgjigje sa i përket asociacionit të komunave serbe, të nënshkruar nga pushtetet e mëhershme dhe të luftuar nga opozita që sot është në pushtet. Ndaj marrëveshjeve që janë nënshkruar në emër të shtetit, asnjë qeveri nuk mund të sillet sikur nuk ekzistojnë.
Hapja e opsionit të ndarjes së Kosovës ia ka shtuar apetitet Beogradit dhe ky është një dëm i madh që i është bërë Kosovës nga pushtetet paraprake. Qasja e Beogradit është kjo: nëse nuk arrihet ndarja e synuar, duhet të ketë një lloj “Republike serbe” - që do të ishte një bombë e kurdisur brenda sistemit kushtetues të Kosovës.
Kosova i ka humbur gati 10 vjet me negociata pa cak me Serbinë, ka nënshkruar një marrëveshje që më 2013 qe lavdëruar si “njohje de facto e Kosovës” dhe pak vite më vonë lavdëruesit e marrëveshjes nisën ta quajnë atë si projekt për krijimin e “Republikës serbe”. Në fund skandali i kësaj politike u zgjerua në diskutimin e opsionit të ndarjes së Kosovës. Me pasojat e kësaj politike kancerogjene Kosova rrezikon të ballafaqohet gjatë. Por pasoja të pariparueshme mund të lërë edhe qasja e pushtetit aktual, nëse nuk arrin të gjejë një gjuhë pak a shumë të përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare perëndimore e cila është hisedare në shtetësinë e Kosovës.
© Enver Robelli - KOHA