3 çështje mes Kanadasë dhe Shqipërisë që mund t’u jepet drejtim në 2024 - Nga Jeta Dedja
Si fundviti, do doja të nxirrja në pah 3 çështje mes Kanadasë dhe Shqipërisë që mund t’u jepet drejtim me pak vullnet të mirë dhe këmbëngulje. Aktorët e përfshirë mund të jenë nga radhët e diplomacisë, qeverisë, shoqatave e komunitetit. Janë 3 kërkesa që në thelb kanë interesin dypalësh dhe që për më tepër janë testuar me sukses me vendet e tjera.
1. Kur një shqiptar emigron në Kanada edhe pse mund të ketë patur një leje drejtimi automjeti në vendin e origjinës, është i detyruar t’i nënshtrohet provimit teorik e praktik për t’u pajisur me lejen kanadeze, pasi Shqipëria nuk është në listën e vendeve që kanë marrëveshje për njohjen e lejes së drejtimit të automjeteve me Kanadanë. Vërtetimi i përkthimit të dokumentit shqiptar vlen vetëm për diferencimin e nivelit të lejes për të cilën aplikon.
Ndërkohë, ka raste që shqiptarë të ardhur në Kanada pa njohuri të mjaftueshme të gjuhëve zyrtare u nevojitet leja e drejtimit të automjetit por e kanë të pamundur t’i nënshtrohen testimit për shkak të kufizimit gjuhësor. Deri në 6 muaj u lejohet të përdorin lejen e drejtimit shqiptare, më pas u duhet të japin provimin teorik dhe praktik. Po mirë do thoni ju, a i harroi këto njohuri pas 6 muajve ky shqiptari? Normal që jo, por shteti kanadez ndjek rregullat. Për sa kohë Shqipëria nuk është në listën e vendeve që kanë marrëveshje për njohjen e lejeve të drejtimit të automjetit, çdo shqiptar duhet të japë provim. Dakord.
Shkon ky shqiptari për shembull, pas 6 muajve që i kishte dhënë makinës me lejen e drejtimit shqiptare, të japë provimin e për lejen e drejtimit kanadeze, se pa makinë është vështirë jetesa për shkak të distancave. Kërkon shërbimin e përkthimit. Por çfarë ndodh? Qeveria provinciale e Québec, ndihet në vështirësi në këtë rast, pasi gjuha shqipe nuk është e regjistruar në listën e programit automatik të përkthimit që institucioni i lejeve të drejtimit ofron për aplikantët. Do thoni ju, të marrin përkthyes zyrtar.
Për gjithë Québec-un rezulton i liçensuar vetëm një përkthyes i gjuhës shqipe në Montréal, që do të thotë se ky përkthyes nuk ia ka terezinë t’i përkthejë dikujt që jeton vërtet në të njëjtën provincë por ama 3-4 orë larg. Çfarë ndodh me shqiptarin në hall? Zyrtarët kanadezë e sqarojnë që "fatkeqësisht nuk ta njohim dot lejen e drejtimit shqiptare pasi Shqipëria nuk ka marrëveshje me Kanadanë për njohjen e e lejeve të drejtimit të automjeteve". Prandaj në këtë rast, i thonë që duhet të presë ditën kur të grumbullohen shumë aplikantë shqiptarë që të justifikohet kërkesa e tyre për përkthyes.
2. Nëse dikush ka në plan të fillojë procedurat e emigrimit në Québec, provincën frankofone të Kanadasë, por ende nuk di frëngjisht, qeveria e Québec thotë që ky person mund të regjistrohet në kurse të gjuhës frënge në vendin ku jeton dhe në momentin që i miratohet kërkesa për emigrim në Québec qeveria i rimburson shpenzimet për mësimin e gjuhës frënge në shumën 1,800 $. Bëhet fjalë për nivelet A dhe B. Individi duhet të përgatisë faturat në vendin e origjinës dhe kur vjen në Québec i bashkëngjit ato zyrtarisht me kërkesën për të marrë rimbursimin e shumës së përcaktuar.
Por ka diçka. Shkolla e mësimit të gjuhës frënge duhet të jetë në listën e shkollave partnere të qeverisë së Québec. Unë kërkova nëse Aleanca Franceze në Tiranë për shembull ishte në këtë listë dhe nuk e gjeta. U zhgënjeva duke ditur që Shqipëria është vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë që prej vitit 1999.
3. Unë punoj në një bord të madh shkollor dhe u interesova një ditë të dija numrin e studentëve internacionalë me shtetësi shqiptare pjesë e programit të shkëmbimit. Mora vesh që nuk kishte asnjë. Sepse nuk ka asnjë marrëveshje dypalëshe Shqipëri-Kanada në fushën e edukimit parauniversitar. Ndërkohë unë e di shumë mirë interesin e lartë të nxënësve shqiptarë për të qenë pjesë e programeve të shkëmbimit kulturor e gjuhësor dhe sigurisht e njoh shumë mirë edhe kuriozitetin e nxënësve kanadezë për të përjetuar eksperiencën shkollore në një vend të panjohur për të cilin asnjë fletushkë publicitare nuk u ka rënë në dorë.
Si përfundim, uroj që me ardhjen e 2024 të ketë ndonjë lëvizje domethënëse në koridoret e ambasadave, së pari për arritjen e një marrëveshjeje për njehsimin e lejeve të drejtimit të automjeteve. Së dyti, të vendosen lidhje me organizatat e njohura kanadeze në fushën e programeve të shkëmbimit të studentëve si dhe të arrihet një marrëveshje bashkëpunimi mes ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe ministrive të Edukimit të provincave kanadeze sa i përket këtyre programeve; dhe së treti të punohet për regjistrimin e qendrave që ofrojnë kurse të gjuhës frënge në listën e shkollave të njohura nga qeveria e Québec, në mënyrë që të lehtësohen shqiptarët nga shpenzimet e shumta që shoqërojnë procesin e emigrimit.
© Jeta Dedja & Flasshqip.ca