Kolumnist

Shëndetësia shqiptare, kjo dramë që vetëm përkeqësohet - Nga Milaim Nela

Si shqiptar, ndjej keqardhje që në vendin tim pacientet nuk kanë mundësi të marrin shërbimin shëndetësor minimal që iu takon.

Si mjek, ndjej trishtim që mjekë, të cilët nuk dua t’i quaj kolegë, kanë shkelur rëndë etikën mjekësore, betimin e Hipokratit, Kodin e Nurembergut, në një profesion që kudo në botë është e duhet të jetë i shenjtë

Ndjej keqardhje për bluzat e bardha, kolegët e mi që sakrifikojnë kaq shumë ditën e natën e nuk zënë faqet e gazetave dhe portaleve, por iu japin pacientëve kujdesin maksimal në kushte të mungesës së investimeve dhe kujdesjes shtetërore, e mbi të gjitha me rroga qesharake.

Mjekësia shqiptare ka shumë vite që është bërë pre e babëzisë se piranjave qeveritare “rilindase” dhe e bashkëpunëtorëve të tyre.

Buxheti i shëndetësisë keqpërdoret, vidhet e zhvatet nga koncensionet gjakpirëse për të cilat është folur kaq shumë gjithë këto vite e kemi disa zyrtarë nën hetim.

Spitalet rajonale janë zhveshur nga personeli e specialistët dhe shumica prej tyre janë kthyer në qendra ambulatore ditore, duke shtuar presionin edhe ashtu të rritur në Qendrën spitalore të Tiranës.

Një nga arësyet kryesore pse shqiptarët kanë marrë rrugët e emigracionit dhe braktisjes së vendit është mungesa e shërbimit shëndetësor bazik për qytetarët.

E kam theksuar vazhdimisht, që disa shërbime publike e kryesisht shëndetësia, duan konsensus të të gjithë spektrit politik për t’i reformuar duke investuar me strategji afatgjatë, që qytetarit t’i behet i mundur shërbimi në pikën më të afërt. Shëndetësia është një sektor që do kohën e vet dhe sigurisht do njerëzit më të mirë për ta reformuar.

Qeveria dhe Parlamenti duhet të ndërhyjnë fuqishëm tek rrjeti e spitaleve të ashtquajtur privatë, që jo vetëm nuk japin shërbimin minimal për nevojtarët, por i rrjepin ata duke i futur në investigime dhe konsulta krejt të panevojshme, vetëm e vetëm për të fryrë faturat edhe ashtu tepër të kripura.

Këtu bëhet një abuzim kriminal, pasi qytetari në pikë të hallit dhe duke mos patur njohuritë e nevojshme mjekësore bie viktimë e këtyre xhambazëve.

Spitalet private bëjnë procedura dhe shërbime të caktuara por nuk mund t’u japin pacientëvr shërbimin që duhet t’ua japë sistemi shëndetësor shtetëror publik.

Shqipëria duhet të shkëpusë sistemin e barnave nga mafia vendase e rajonale e t’i kthehet barnave të çertifikuara përendimore, pasi medikamentet fallco janë ndër shkaqet kryesore të dështimit të shëndetësisë e shumë pak flitet për të.

Shqipëria krahas dizavantazheve që i përmenda më sipër, ka ekspertë brenda e sidomos jashtë vendit për të ndërtuar një sistem efektiv duke marrë praktikat më të mira të vendeve perëndimore dha ato rajonale. Edhe Kosova është shumë para nesh.

Pa shëndet nuk mund të bëhet as ekonomi, as arsim e asgjë tjetër.

Na duhet një debat kombëtar për këtë çeshtje kaq kardinale e lidhur me secilin prej nesh.

© Milaim Nela