Urtësi

Dinjiteti, pesha e vërtetë e burrit - Nga Agim Xhafka

Ashtu quhet akoma, “Pastiçeri Agimi”. Është në Korçë në krah të kinema “Moravës”, në katin e parë të një pallati të hijshëm. Në fakt ka qënë atje se tani është veç në kujtimet tona. Por kaq shumë janë lidhur korçarët me të sa ende dëgjon, kur porositnim pasta apo zupa te “Pastiçeri Agimi”, kur kalonim mbasditet atje, kur festova ditëlindjen, kur shkova me të dashurën, kur… Fiks si leku i vjetër, që megjithëse ka hyrë në fuqi i riu prej 60 vitesh meazallah se flet dikush për të. Të gjithë llogaritë, planet, ëndrrat i bëjnë me lekun e vjetër.

Edhe mua kështu më ndodhi. Dje te tabela lexoja “Dyqan sportiv”, por me mend thosha, “Pastiçeri Agimi”. Nuk u ngatërrova hiç. U ula te shkallët anash dhe vetiu më erdhi mosha e gjimnazit. Na qe bërë zakon që mbasdite, nga ora 7 verës dhe 4 dimrit, mblidheshim ne çunat e klasës. Uleshim te kolltukët e lyrosur dhe të gërricur nga cimbidhjet që i bënim copës prej kadifeje dhe dy ose më shumë orë flisnim e ç’nuk flisnim. Për mësimet, për profesionet që do zgjidhnim, për gocat që donim e në fund Niko ose Jani na qerasnin me nga një pastë. Thuajse çdo ditë. Ende në sytë e mi ata mbetën të pasur. Ama çuditesha se si prinderit u jepnin aq lekë përditë. Niko qeshte:

- M’i jep gjyshi. Vijnë plot nga fshati e ai i ndihmon me fajde.

E dija që ishte gjë e ndaluar, por Niko e përligjte:

- Gjyshit s’kanë ç’i bëjnë se është baba heroi.

Ndërsa Jani e sqaronte fët e fët:

- Babai punon teknik pyjesh. Kap nga këta që presin dru pa leje e ua qeth kokën, nuk i fal.

Qeshnim të gjithë e hanim me qejf pastat e korrupsionit. Një ditë iu luta atit tim.

- Po më jep ca lekë, o njeri t’i qeras dhe unë një herë shokët se çdo ditë më kap turpi me ta.

- Dëgjo byrazer, - ia nisi babai. - Të mësoj unë që mos kesh turp fare, të jesh dinjitoz e krenar.

-Do më japësh? - dhe zgjata dorën.

E zgjati dhe ai. Ma shtrëngoi fort, por nuk më la gjë në pëllëmbë.

- Te “Pastiçeri Agimi” ti shkon i pari?

- Varet. Herë po, herë jo. - i thashë.

- Mos u fut i pari asnjëherë. Rri aty anash e shiko shokët. Kur të hyjnë të gjithë...

- Atëhere të futem unë? - i thashë.

- Jo,gabim. As atëhere nuk do hysh. Do presësh jashtë deri sa ata të porositin pastat.

- E kur t’ua sjellë kamarierja unë të futem?

- Jo, jo, akoma je jashtë ti. Ata bëjnë muhabet, hanë pasta ti i sheh dhe pret e pret.

- Deri kur?

- Deri sa ata përlajnë edhe kafshatën e fundit. Atë çast ti sulesh para, hap derën dhe vrap te kolltuku. Në se të pyesin, Gimo, do ëmbëlsirë, ti thua, jo sapo hëngra bakllava në shtëpi. E sheh?

- Çfarë të shoh?

- Që ruajte dinjitetin dhe krenarinë, pra, - tha ai me sytë e njomur.

Dje e kujtova me nota humori këtë episod. Por atëhere babai, që nuk mundej të më jepte dy-tre lekë, më dha mësimin e vlerave. Jeta është si “Pastiçeri Agimi”. Mbushur me sheqer dhe me joshje. Tundimi nuk bën pushim. E po u bëre viktimë të duket vetja jote i lehtë pendë. Nga që të ka ikur dinjiteti që është pesha e vërtetë e burrit. Graviteti që përmbledh vlerat.

©Agim Xhafka