Kaskada e Tranzicionit dhe Sistemi Shëndetësor - Nga Dr. Shefqet Deliallisi
- Published in Jetë dhe stil
Ekonomia e tregut. Modernizimi i jetës. Shpërthimi i dijeve. Teknologjia. Informacioni dhe lehtësia e aksesimit. Të gjitha bashkë, në lidhje me njëra-tjetrën, kanë shpërthyer një kaskadë tranzicioni. Tranzicion ekonomik. Tranzicion social. Tranzicion epidemiologjik. Tranzicion demografik. Tranzicion urban. Tranzicion bioekologjik. Tranzicion kulturor. Tranzicion demokratik… Në rrjedhën e rrëmbyeshme të kësaj kaskade është duke lundruar me shumë vështirësi Sistemi Shëndetësor.
Është ekonomia e tregut shkaku i parë i tranzicionit drejt një stili “perëndimor” jetese. “Në këtë shekull, kemi të bëjmë me një ironi të madhe të shëndetit global, - shkruan Marion Nestle. – Ndërsa qindramilionë njerëzve iu mungon ushqimi i duhur, si rezultat i pabarazisë ekonomike, korrupsionit, luftrave, qindramilionë të tjerë, të mbingopur, janë në pikun e riskut për sëmundje të lidhura me mbiushqyerjen dhe mungesën e aktivitetit fizik. Për ironi, shkaku: përmirësimi i mirëqenies. Me të ardhurat shtesë, mirëqenia nxit njerëzit për më shumë ushqim dhe më pak aktivitet fizik. Ekonomia e tregut nxit këtë mënyrë jetese. I kthen njerëzit në konsumatorë agresivë të ushqimeve me vlerë të ulët ushqyese, por densitet të lartë energjetik. I pajis njerëzit me makina, aparate televizive, dhe kompjutera që nxisin qëndrimin ulur…”.
Ky stil i ri jetese është shkak i një tjetër tranzicioni.
Tranzicioni epidemiologjik. Sëmundjet e varfërisë (akute në shumicën e rasteve) po ua lënë vendin sëmundjeve të mirëqenies (kryesisht kronike). Në plan të parë kanë dalë obeziteti, diabeti, hipertensioni, kanceri etj, të cilat i kanë spostuar sëmundjet infektive. Për pasojë, në tranzicion është dhe vdekshmëria. Në plan të parë si shkak i vdekjeve kanë dalë sëmundjet kronike të zemrës, komplikacionet e obezitetit dhe diabetit, kanceri etj.
Por kaskada vazhdon. Ne jemi edhe në një tranzicion demografik. “Vala goditëse” e bumit të lindjeve (“baby boom-i”) që pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1950-1960 goditi sistemin arsimor, në vitet 1970-1980 tregun e punës, dhe në dhjetëvjeçarin e parë dhe të dytë të shekullit që jetojmë, po godet sigurimet shoqërore. “Baby Boom-erat”, tashmë të moshuar, kërkojnë mbështetje, kërkojnë përdorim të shtuar dhe afatgjatë të kujdesit shëndetësor, duke tronditur seriozisht sistemin e sigurimeve. Pesha e financimit të pensioneve nga popullsia aktive rëndohet çdo ditë e më tepër. Sot një pjesë e rëndësishme e të ardhurave të krijuara nga gjenerata punuese transferohen tek të moshuarit nëpërmjet sigurimeve shoqërore apo taksave të tjera. Në Europë, çdo individ aktiv që punon, financon një të katërtën e një pensioni. Në vitin 2050, do të financojë më shumë se gjysmën. Pra, ndërsa numri i të moshuarve rritet me shpejtësi, ai i të punësuarve vazhdon të mbetet i njëjtë. Apo edhe më keq, tkurret. Nuk do të jetë e largët dita kur të ndodhemi para një presioni të madh për harmonizimin e dëshirën për të siguruar shërbim për të moshuarit dhe pamjaftueshmërisë së resurseve për një gjë të tillë. “Bomba” demografike pritet të shpërthejë.
Jacques Attali në librin impresionues “Një histori e shkurtër e së ardhmes”, parashikon: “Do të asistojmë një rënie të natalitetit dhe një rritje me intensitet të lartë të jetëgjatësisë mesatare. Një plakje e përgjithshme e popullsisë do të pasojë. Nëse kjo prirje do të vazhdojë, jetëgjatësia mesatare në vendet e zhvilluara, në vitin 2025 do t’i kalojë të 90-at … “Mos harrojmë: deri në vitin 1900, tre në dhjetë persona kapnin moshën 70 vjeç, ndërsa sot shtatë në dhjetë. Madje sot, katër në dhjetë persona kapin moshën 80 vjeç…
Kjo do të ketë pasoja të mëdha sociale, ekonomike, përfshi rritjen shpërthyese të kostos së kujdesit shëndetësor. Përdorimi ekstremisht i lartë i Kujdesit Mjekësor nga të moshuarit do të përbëjë një problem të madh për shoqërinë, mbasi resurset e përdorura për ta mund të përdoreshin për fëmijët dhe të rinjtë.
Censusi i fundit e tregoi qartë se kjo prirje tashmë vërehet edhe në Shqipëri. Jetëgjatësia mesatare tashmë ka kapur 76 vjetët (femrat pranë të 80-ve), ndërkohë që vdekshmëria ka një rënie të shprehur. Të moshuarit po shtohen me shpejtësi.
Kjo prirje mbarëbotërore në fakt përbën një tregues të suksesit të politikave të shëndetit publik. Por nga ana tjetër është pikërisht kjo prirje që sfidon zbatimin e këtyre politikave në kushtet e një Sistemi Shëndetësor gjithnjë e më të kushtueshëm, që lufton për mbijetesë në përpjekje për t’u reformuar.
Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe një tjetër tranzicion, atë urban, që tek ne është më i shpejti në Europë. Sipas censusit 2011, popullsia urbane, për herë të parë në histori e kaloi atë rurale, 53.5% me 46.5%. Ky tranzicion po shoqërohet me ndryshimet sociale dhe mjedisore, që jo vetëm do ndikojë në të ardhmen e vendit, por edhe të shëndetit. Dhe ky shpërthim urban ndërsa ofron mundësi të mëdha në përmirësimin e aksesit për kujdes shëndetësor, infrastrukturën bazë shëndetësore, paraqet edhe rreziqe të konsiderueshme: ndryshime të mëtejshme në ushqyerje, në stilin e jetesës, ndotjen e ajrit dhe ujit, shtimin e rreziqeve profesionale apo rreziqeve nga trafiku.
Gjithë ky ndryshim, kërkon rivlerësim të rolit të urbanizimit mbi shëndetin. Kërkon politika shëndetësore që të zbusnin efektet negative të një urbanizimi kaq të shpejtë mbi shëndetin.
Sigurisht që gjithë këto ndryshime, kërkojnë ndryshime thelbësore në Sistemin Shëndetësor, në “anatominë” dhe “fiziologjinë” e tij, në strukturë, financim, shkollim, specializim etj.
Sistemi Shëndetësor i fragmentuar duhet t’i lërë vendin një sistemi të integruar. Kërkohet integrimi i shërbimit shëndetësor individual me shërbimin shëndetësor publik, integrimi i shërbimit shëndetësor fizik me atë mendor, integrimi i kujdesit shëndetësor brenda spitalit, me atë jashtë tij, integrimi i shërbimit shëndetësor me shërbimin social.
Dhe të gjitha këto s’mund të bëhen pa një strategji të qartë. S’mund të mbështeten mbi dogma ideologjike, propagandë për interesa të çastit…
Një nga kërkesat politike madhore të shoqërive perëndimore sot, është shmangia dhe vlerësimi në mënyrë kritike, i dogmave dhe klisheve me të cilat është e mbushur politikëbërja e Kujdesit Shëndetësor.
Por le t’i kthehemi tranzicionit.
Duhet të theksohet se tranzicioni, ashtu si dhe reforma shëndetësore, nuk është një akt, por një proces, madje i gjatë dhe i vështirë. Duhet të theksohet gjithashtu se, pavarësisht se reforma quhet shëndetësore, në të ndërthuren komponentë ekonomikë, socialë, etikë, të drejta. Tashmë shëndeti nuk perceptohet më ngushtësisht si domen i “bluzave të bardha”.
Shpesh dëgjojmë: sa i gjatë ky tranzicion! Kur do t’i vijë fundi tranzicionit?
Në të vërtetë, fundi i tranzicionit është një iluzion: fundi i njërit, është fillimi i një tjetri. Pra, një fillim-fund-fillim pa fund…
©Shefqet Deliallisi