Stil & Jetë

Vitamina D, fama dhe e vërteta… - Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Në epokën që jetojmë, shpërthimi i informacionit ka tejkaluar mundësinë e përpunimit të tij. Jo gjithçfarë thuhet duhet të besohet, veçanërisht për shëndetin, kur informacione pa fund na vijnë si dogma. Rasti klasik është "fama" e vitaminës D.

Pak histori...

Biokimisti dhe nutricionisti britanik Sir Edward Mellanby, në vitin 1919 zbuloi vitaminën D, rolin e saj në parandalimin e sëmundjes së rakitit, që në atë kohë njihej si “sëmundja angleze” mbasi ishte shumë e përhapur në Britaninë e Madhe. Nga ajo kohë deri disa dekada më parë, vitamina D është përdorur kryesisht për trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të kockave, rakitit dhe osteomalacisë dhe vlerë e pa diskutueshme e vitaminës D ka qenë dhe mbetet sigurimi i shëndetit të kockave, por...

Vlera të reja...

Pafund vlera të reja të vitaminës D pretendohet se janë zbuluar dekada e fundit: vitamina D forcon imunitetin, shmang depresionin, pakëson riskun për sëmundje të zemrës, diabetit, veshkave, kancerit, parandalon sëmundjet autoimune, goditjet në tru, ndihmon në trajtimin e astmës, hipertensionit, artritit, migrenës, tuberkulozit, është shumë më e mirë se vaksinat për parandalimin e gripit dhe infeksioneve, madje parandalon dhe Covidin!? Siguron gjumë të mirë, nxit rënien në peshë, përmirëson kujtesën... zgjat jetën…

Sigurisht këto vetitë “universal” madje “magjike” janë bërë tërheqëse për publikun dhe mediat, të uritura për lajmet mbi shëndetin. Matja e nivelit të vitaminës D në organizëm ka kapur majat, shitjet e suplementeve të vitaminës D gjithashtu. Shpenzime pa kufi nga publiku i gjërë, pa kufi fitimet për industrinë...

Mungon vitamina D, apo vlera normale?

Alarm: “një “pandemi” e mungesës së vitaminës D po kërcënon shëndetin!”.

Si ka mundësi? Kanë ndryshuar genet tona? Jo.

Kanë ndryshuar burimet ushqimore natyrale? Jo.

Nga vjen kjo “pandemi”? Paraardhësit tanë që nga epoka e gurit, janë mjaftuar me rrezet e diellit dhe ato pak ushqime që e përmbajnë, për të siguruar vitaminën D…

Çfarë atëherë ka ndryshuar? 

Komercializimi i mjekësisë dhe medikalizimi i jetës. Nuk është rastësi që mungesa “globale” e kësaj vitamine zbulohet pikërisht me zbulimin e vlerave çudibërëse, universale të vitaminës D…

Para se të përcaktohet “mungesa”, duhet të përcaktohet vlera “normale”. Por cila është kjo vlerë normale e vitaminës D në organizmëm?

“Fatkeqësisht qenia njerëzore s'ka ardhur në këtë botë e pajisur me ndonjë manual të vlerave “normale” të përbërësve të organizmit” - shkruan David Agus në bestsellerin “Fundi Sëmundjes” (2011). Niveli “normal” s’është një numër që i përshtatet të gjithëve. Këtë e vërteton dhe variacioni shumë i gjerë i vlerës nga një vend në tjetrin, madje, në të njejtën gjerësi gjeografike që presupozohet se njerëzit ekpozohen ndaj të njejtës sasi të rezeve të diellit. Po ashtu, dallimet gjenetike mes grupeve të ndryshme të popullsisë, ndikojnë. Ndonëse niveli i vitaminës D tek afrikano-amerikanët është më i ulët, dukshëm ata kanë shëndet më të mirë të kockave se të bardhët.

Dr. Clifford Rosen një nga studiuesit më në zë të vitaminës D shkruan: “Asnjë provë s'ka që njerëzit me nivel më të lartë të vitaminës D janë më të shëndetshëm se ata me nivel më të ulët”.

A ekziston në të vërtetë një vlerë normale?

Shkëlqimi që po zbehet

Evidencat klinike ka kohë që e kanë vënë në dyshim vlerën e “vlerave” të zbuluara. Publikime pa fund: “Është e vërtetë pandemia e mungesës së vitaminës D? Pandemi apo mungesë pragu? Cili është niveli i duhur i vitaminës D? Pamjaftueshmëria dhe mangësia e vitaminës D duhet të rishikohen. Vendimarrja të bazohet në evidencë... dhe në gusht 2022: është koha për të ndaluar marrjen e vitaminës D!?...”

Dilemat kanë vite që zgjasin. Në vitin 2010 me kërkesë të qeverisë së SHBA dhe Kanadasë, Akademia Kombëtare e Mjekësisë, një institucion prestigjoz, jo fitimprurës, me besueshmëri të lartë, mblodhi një komitet ekspertësh të pavarur për të analizuar qindra botime për vitaminën D dhe hartoi një raport prej 1132 faqesh mbi efektet shëndetësore të zbulimeve të reja që i atribuohen vitaminës D... dhe arriti në përfundime të rëndësishme si: “Shumica e njerëzve kanë sasi të mjaftueshme të vitaminës D të siguruar nga burime natyrale. Kontrolli rutinë te njerëzit me shëndet të mirë i mungesë të vitaminës D është i padobishëm. Përdorimi i suplementeve me vitaminë D në popullatën në përgjithësi i paarsyeshëm...”

Por raporti la dhe një derë hapur për studim më të thelluar dhe më të gjatë në kohë... për një rikonfirmim të rezultateve të tij.

Në vitin 2015 filloi studimi VITAL. Një studim më i madh, më i gjatë në kohë, nga studiuesit më në zë të vitaminës D, gjerësisht të besuar nga komunitetin shkencor... Rezultatet bënë që shumë gjëra të kuptohen më mirë. Në korrik 2022, u dha “Verdikti vendimtar për marrjen e suplementit të vitaminës D”, në revistën mjekësore “New Egland Journal of Medicine”.

Studimi zhvlerëson vlerat e zbuluara rishtazi si të pambështetura në evidencë. Suplementet e vitaminës D s'mund të parandalojnë sëmundjet kronike që s'lidhen me kockat, madje as frakturat në popullatë në përgjithësi, nuk ndihmojnë njerëzit e shëndetshëm të ruajnë, përmirësojnë shëndetin, apo zgjasin jetën.  Marrja e suplementeve të vitaminës D te njerëzit me shëndet të mirë duhet të ndalet.

Matja e nivelit të vitaminës D, mund të jetë e dobishme vetëm për diagnostikimin e gjendjeve që shkaktojnë mungesë të rëndë të vitaminës D... etj.

Marketingu i frikës

Pse interesi për vitaminën D nuk po zvogëlohet ndonëse evidencat janë të dyshimta?

Së pari, duhet të kihet parasysh që kjo “mrekulli” është servirur nga industria e suplementeve nëpërmjet një marketingu, që njihet si marketingu i “frikës”. Në vitin 1923 një ndër shkrimtarët francezë më të mirë të gjeneratës së tij, Jules Romain, shkroi dramën "Knock, ose Triumfi i Mjekësisë", në të cilën satirizonte mjekësinë moderne. Përmes humorit dhe ironisë, denonconte medikalizimin e jetës. Personazhi kryesor, Doktor Knock, ndërton një biznes të fuqishëm mjekësor duke i kthyer gjithë banorët e fshatit ku punonte, në pacientë duke i terrorizuar me frikën e sëmundjeve.

“Njeriu që ndihet mirë - thonte Doktor Knock - në të vërtetë është i sëmurë, por nuk e di”. Një shekull më pas, Profesori i Bioetikës në Universitetin e Pensilvanisë Arthur Caplan shkruan: “Nëse doni të ngjallni shqetësim në publik dhe keni dollarë për t'i bërë reklamë, ju mund të shndërroni pothuajse çdo gjë në sëmundje”.

Së dyti, një pjesë e mjekëve janë të paazhurnuar shkencërisht, të tjerët që kuptojnë gjithçka, vazhdojnë të japin suplemente mbasi janë fitimprurëse, të popullarizuara, dhe kërkohen shumë nga njerëzit të cilët mendojnë se duke i marrë ato rregullisht mund të bëhen më të shëndetshëm, mund të korrigjojnë mangësitë në stilin e tyre të jetesës... Dhe shprehitë e krijuara është vështirë të ndryshohen!

Virtuoz i pakonkurueshëm

Organizmi ynë është i pajisur me një teknologji të jashtëzakonshme, që edhe inxhinerët më virtuozë e kanë të pamundur ta kopjojnë...

Nëna Natyrë e siguron vetë vitaminën D që i nevojitet. E rregullon vetë nivelin e duhur nëpërmjet homeostazës. Çdo ind në organizëm ka receptorë të vitaminës D. Çdo qelizë e organizmit mundet ta përdorë vitaminën D. Asnjëherë s'ka tepricë, asnjëherë nivele toksike në organizëm! Rrezet e diellit dhe disa ushqime mjaftojnë...  Për pandemi të mungesës së vitaminës D s'bëhet fjalë.

Në vend të mbylljes…

Në gazetën “The Wall Stret Journal”, Dr. Grupeet Dhaliwall shkruan: “Njerëzit me shëndet të mirë, që marrin suplemente vitaminash, duhet të informohen se janë duke paguar jo pak para për një efekt placebo”.

Ndërsa në rastin e vitaminës D, biznesi mund të “shesë” frikën, por jo rrezet e diellit...

©Shefqet Deliallisi