Për të qeshur

Qyfyre nga syfyret e diktaturës - Nga Artan Gjyzel Hasani

Viti 1979. Na çuan të vizitojmë Kombinatin e Autotraktorëve dhe Ekspozitën Shqiperia Sot. Një ritual propagandistik kombëtar i shkollave dhe ndërmarrjeve anekand atdheut socialist.

“Pas vizites do behet edhe një takim me udheheqesin e shquar të Lëvizjes komuniste dhe njëkohesisht edhe drejtor i Kombinatit, shokun Pilo Peristeri dhe, kur të kthehëmi të Henën në shkollë, ora e parë e mesimit do t’i kushtohet vizitës në këto dy vepra të mëdha të Partise dhe mësimeve që do të nxjerrim nga biseda me shokun Pilo”, na kumtoi drejtori i gjimnazit, pak para nisjes me autobuzë nga Peshkopia drejt Tiranës.

Pasi mbaruam vizitën, vjen shoku Pilo, të cilin nxënës e mesues po e prisnim me kureshtje të madhe.

Sapo na u afrua, shoku Pilo i zgjat doren në faqe mesueses sonë beqare dhe e pyet:

“Sa fëmije ke?”

“Nuk kam fëmijë.”

“Oh, sa gabim! Po pse nuk ke?”

“Sepse nuk jam martuar, shoku Pilo”

“Shumë keq, shumë keq! Ja, pse nuk martohesh me këtë mesuesin e ri këtu?”, dhe tregoi me gisht një mësues të martuar tonin, që kishte edhe dy fëmijë.

Dhe pastaj hapi krahet dhe na bëri shenjë të afroheshim të gjithe rreth tij, që ta dëgjonim më mirë atë që do na thoshte.

“Që thoni ju, nëna ime polli 11 fëmijë. Kur ishte e re ishte gjithnjë me barrë dhe pillte çdo vit dhe e tërë Korça thoshte “U çqye Thomaidha!”. Ja kështu të dashur mësues dhe nxënës. Bëni sa më shumë fëmijë! Kjo është porosia ime!”

Të gjithë duartrokitëm dhe shoku Pilo u largua duke na nderuar me grushtin lart dhe me “Të rrojë Partia dhe shoku Enver!”.

Të nesërmen u kthyem në Peshkopi dhe të Hënën në orën e parë të mësimit e gjithë shkolla po shkruante në letër mësimet e vyera të udhëheqesit legjendar, shokut Pilo…

©Artan Gjyzel Hasani