Psikologji

Si ndikon stina kur keni lindur në personalitetin tuaj

Përgatiti: Rudina Koromani, Psikologe klinike

Prej një dekade studiuesit kanë zbuluar se muaji i lindjes mund të luajë një rol në zhvillimin e personalitetit. Këtu nuk po flasim për astrologji dhe ndikimin e planeteve në personalitetin e individit, ndikim gravitacional për të cilin shkenca deri tani nuk ka mundur ta vërtetojë. Për ditën e lindjes nuk është vërtetuar ende një lidhje e drejtpërdrejtë mes planeteve dhe personalitetit tonë, por përsa i përket sezonit të lindjes studimet empirike janë të shumta. Rezultatet mund të ndryshojnë e jo të gjithë mund ta gjejnë veten, megjithatë profilet stinore janë shumë interesante.

Profili pranveror i personalitetit: foshnjet e lindura në mars, prill dhe maj, kanë rezultate të larta në shkallën e hipertimisë - optimizëm i përgjithshëm - aftësia për të parë çdo pikë poshtë si një parathënie të një ngritjeje, por kjo ka një çmim: foshnjat në pranverë janë gjithashtu më të ndjeshme ndaj të kundërtës së hipertimisë: Depresioni klinik.

Profili veror i personalitetit: Për foshnjet e qershorit, korrikut dhe gushtit nuk parapritet asnjë trishtim për shkak të niveleve të larta të dritës pas lindjes së tyre. Foshnjat e verës kanë disa karakteristika të njëjta hipertimike si foshnjat e pranverës, por kompensimi vjen me gjëndje të luhatura ciklotimie–kapërcime të shpejta midis gjendjeve të humorit. Kujdes; nuk kemi të bëjmë me simptoma të çrregullimit bipolar; diagnozat bipolare janë më të ultat mes foshnjave të lindura në gusht.

Profili vjeshtor i personalitetit: foshnjet e lindura në muajt e vjeshtës konsiderohen më të ekuilibruarit. Një nga faktorët e këtyre ekuilibrave konsiderohet dhe prurja e bollshme e ushqimeve në kohën e korrjes, apo fakti që netët e gjata dhe sëmundjet sezonale të dimrit nuk kanë zbritur ende. Njerëzit e lindur në vjeshtë jo vetëm që gëzojnë nivele të ulëta depresioni, por në mënyrë të ngjashme kanë më pak gjasa të zhvillojnë çrregullim bipolar. Një e metë në lindjen e vjeshtës: ata kanë një tendencë për nervozizëm.

Profili dimëror i personalitetit: Këtu gjërat përkeqësohen. Ndër sfidat me të cilat përballen njerëzit me datëlindjet e muajve të dimrit janë nivelet më të larta të skizofrenisë, çrregullimit bipolar, çrregullimit skizoafektiv dhe depresionit. Por ka disa kompensime pozitive: foshnjat e dimrit janë më pak nervoze sesa ato të lindura në vjeshtë. Për më tepër, sipas një studimi të vitit 2015 me 300 të famshëm, Janari dhe Shkurti janë muajt e duhur për të lindur nëse doni të bëheni të famshëm pasi janë muaj që ndërlidhen me krijimtarinë dhe zgjidhjen imagjinare të problemeve.

Asnjë nga këto profile nuk do të thotë që prindërit të përpiqen të të kontrollojnë kohën e lindjeve për sezone të veçanta. Dhe asnjë prej tyre nuk do të thotë që muaji i lindjes është një gjë përfundimtare. Ka shumë pesimistë të çuditshëm të lindur në Mars dhe shumë foshnje të Tetorit, me profil të ç’ekuilibruar. Duhet ditur se ngjarjet që përjetojmë gjatë gjithë stinëve të jetës ndikojnë në formësimin e personalitetit tonë shumë më shumë sesa ndikon vetëm stina e lindjes. Karakteri i njeriut shfaqet në zemërimin dhe zhgënjimin e tij. Fati i njeriut përcakton karakterin e tij.