Psikologji

Pse postojmë dhe si komentojmë? - Nga Jeta Dedja

Pse poston? Për të shprehur interesat e mia, për të thënë diçka që di ose që dua, për të dhënë mendimin tim, për të shpërndarë informacion, për të argëtuar veten dhe miqtë e mi, për të marrë vëmëndje, pëlqime, për t’u shoqëruar dhe për t’u ndjerë se jam. Për t’u treguar miqve krijimet e mia. Për të uruar apo ngushëlluar.

Postoj për të ndërgjegjësuar shoqërinë, për të ndikuar pozitivisht ndryshime sociale e politike. Për të shprehur një shqetësim, për të shkëmbyer ide. Për të ndarë të bukurën mes miqsh, copëza jete dhe përvojash. Për t’u ndjerë pjesë e një komuniteti, për të kontribuar. Për të mbajtur në jetë kujtimin dhe veprën e figurave të dashura e publike. Për të ruajtur kujtime e grumbulluar ato në arkivin online. Për ta përdorur si kalendar të jetës sime.

Pë të shprehur gjithë këto përdor imazhin, fjalën, sendet që më rrethojnë, njerëzit e vendet që frekuentoj. Shkruaj, fotografoj, bëj video, kolazhe.

Si komenton? Jam e kujdesshme, e sjellshme, e matur, e drejtpërdrejtë, realiste, unike, sipërfaqësore, indiferente, mendimtare, me humor. Sipas rastit, në varësi të statuseve. Nuk bëj kompromis, jam e lirë në atë që shkruaj, reflektoj, ironizoj. Nuk shtirem, jam dashamirës, spontan, e sinqertë, i frikësuar, objektiv, mirënjohëse, krijues, mbështetëse, sarkastike.

Këto janë disa nga përgjigjet e miqve të mi në Facebook, në një sondazh joshkencor. (Faleminderit!)

Pra çfarë postojmë dhe si komentojmë lidhet së pari me veten, me interesat tona, preferencat, sjelljen, emocionet, përvojat, personalitetin, formimin, edukimin, kulturën, rrethanat, kontekstin, sistemet.

Në të shumtën e rasteve, këto postime dhe komente i shërbejnë promovimit të vetes. Madje ne promovojnë veten sërish edhe kur duket se promovojnë të tjerët duke u bërë “share”.

Sasia e postimeve, frekuenca e tyre i japin një dorë të mirë promovimit.

Vetë promovimi pra, nuk është gjë tjetër veçse strategji që njerëzit në mënyrë të vetëdijshme ose paqëllimtë e bëjnë vazhdimisht. Shtimi i kontakteve virtuale apo reale të rrit mundësitë e aksesit e suksesit.

Postimet krijojnë një lëvizshmëri sociale virtuale, që prodhon ndihmë për dikë, kënaqësi për një tjetër, stres apo ankth për disa, dyshime, varësi për të tjerë syresh, miqësi, dashuri, krenari, sasi, narcisizëm, informacion, edukim, argëtim, kulturë.

Këto postime do të rrisin trafikun në profilin social, do rriten ndërveprimet, do të forcohen marrëdhëniet mes njerëzve me interesa të ngjashme, do forcohet ndjenja e komunitetit, përkatësia sociale.

Pra lidhja me njerëzit duket si një faktor me rëndësi në qëllimin e postimeve dhe reagimeve ndaj tyre. Të ndjerit se ke miq, se i përket një grupi, je dikushi dhe se ka të ngjashëm me ty në botë. Ndjen sukses, mirëqënie psikologjike!

Kjo lidhje me njerëz edhe mund të shfrytëzohet për të bërë emër, ndërtuar një rrjet, klientelë, apo tifozë. Atyre mund t’u shesësh jo vetëm ide, por edhe mall. Dhe kjo të jep sërish ndjesi suksesi, fuqie, kontrolli, influence.

Postimi mund të jetë edhe një detyrim, për të cilin ke firmosur diku. Të paguajnë për të shkruar statuse e komentuar. Dhe ti merr kënaqësinë e veçantë të parasë. Kjo është buka jote dhe suksesi yt. (Ky rast nuk është produkt i sondazhit tim.)

Postimet bëhen edhe për të shkëmbyer realitetet mes njëri-tjetrit, perceptimet, kuptimet, mendimet, ndjesitë. Ky shkëmbim ka efekt të dyfishtë, për veten dhe audiencën e postimit. Njerëzit ekspozohen ndaj këndvështrimeve të ndryshëm dhe kjo i ndihmon të përforcojnë ose krijojnë idetë e tyre. I ndihmon të ngrihen emocionalisht e të mbushen me energji, të riformatohen edhe atëherë kur postimet janë trishtuese.

Ka njerëz që nuk komentojnë kurrë dhe nuk e bëjnë me dije prezencën e tyre, edhe pse janë aty dhe lexojnë në mënyrë aktive. E megjithatë janë përfitues nga shkëmbimet në rrjet, por jo kontribues.

Butoni që përdoret më shpesh poshtë një statusi është pëlqimi. Njerëzit e lëshojnë atë pa fré, por jo pa interes disa. Pëlqimi është një pararendës i parimit të reciprocitetit. Të pëlqeva-më pëlqe. Prandaj ata që pëlqejnë me shumicë rreth e qark Facebook, marrin në këmbim më shumë pëlqime. Kjo vjen edhe sepse Facebook gjeneron mekanizma të tjerë për njerëzit që janë kaq aktivë.

Studiuesit thonë se media sociale ka ndikuar në përmirësimin e vetë-vlerësimit tek një kategori njerëzish, duke qenë se kanë mundësinë të pozicionojnë veten ashtu siç do donin të ishin, inteligjentë, të bukur, të sofistikuar, ndryshe nga marrëdhëniet direkte që të detyrojnë të thuash atë që di pa google-uar, të shfaqesh ashtu siç je, pa aplikacione, heqje rrudhash e hollim siluhete.

Si përfundim, pa i hyrë efekteve negative të rrjeteve sociale, (e theksoj këtë) prania në to përmes postimeve, të ndihmon të konfirmosh veten dhe ta pozicionosh atë në një sistem të caktuar, të ruash kujtime, të ballafaqosh qëndrimet e tua, të ndryshosh, të zhvillohesh, informohesh, të shtosh sasinë e miqve (edhe kot për t’u dukur popullor) të mbash lidhje me njerëz dhe t’i forcosh ato, të ndihesh se je edhe ti pjesë e një arene publike ku përfiton e kontribuon me ç’të kesh e ç’të jesh.

©Jeta Dedja