Shëndet

Duhanpirja dhe kequshqyerja - Për një stil jetese të shëndetshëm

Nga: Dr. Shefqet Deliallisi

Megjithëse ka ndryshim ndërmjet shprehisë së duhanpirjes dhe ushqyerjes jo të shëndetshme, ka dhe ngjashmëri në qëndrimin që shoqëria ka mbajtur në fazën e parë të luftës kundër tyre.

Roli negativ i duhanpirjes njihej që nga viti 1940. Lidhja mes duhanpirjes, sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, njihej që nga fillimi i viteve ’50. Por, marketingu i gjerë i duhanpirjes vazhdoi deri në vitet ’90. Në vitin 1992, Marlboro Man-i më i njohur i reklamave, Wayne McLaren, imazhi romantik i individualistit të fortë, si mijra duhanpirës para tij, ishte duke vdekur nga kanceri i mushkërive. Kjo bëri që ai të merrte pjesë në takimin vjetor të aksionerëve të korporatës Phillip Morris, dhe të kërkonte që kompania vullnetarisht të kufizonte reklamat e duhanit, veçanërisht për fëmijët.

U deshën dekada angazhimi nga shkencëtarët, politikanët dhe avokatët e politikave publike, që kufizimi i marketingut të duhanpirjes të ndodhte, dhe në botë të arrihej rezultati që kemi sot.

Pse ky reagim kaq i ngadaltë?  

Sepse për dekada, lidhja ndërmjet duhanpirjes dhe kancerit të mushkërive iu nënshtruan filozofisë: zgjedhja individuale, pasojat individuale. Ndryshimet në politika, që mund të kishin reduktuar në mënyrë dramatike vdekjet nga duhanpirja u shmangën, duke u konsideruar ndërhyrje në privaci, apo fyerje e zgjedhjes dhe përgjegjsisë individuale. Ndërkohë që fitimet gjigande të kompanive nga marketingu nuk duhen anashkaluar.

E njejta gjë me epideminë e obezitetit, që përbën shkakun më kryesor të epidemisë së diabetit. Që prej vitit 1970, obeziteti identifikohet si sëmundja më e rëndësishme e ushqyerjes. Ndonëse njihen shkaqe gjenetike, fiziologjike, kulturore, psikologjike, ekonomike, shoqërore, dhe stili i jetesës, përgjegjës vazhdon të mbeten vetëm individët për zgjedhjen e tyre. Sigurisht që çdo individ duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë për zgjedhjen e stilit të jetës, por vetëm kjo nuk mjafton. Shëndeti dhe sëmundja nuk janë vetëm rezultat i zgjedhjes individuale, apo një llotari gjenetike … në rradhë të parë janë rezultat i srukturave sociale dhe interesave ekonomike që na rrethojnë.

Vetëm mesazhi: "Hani ushqime të shëndetshme, mos hani me tepricë, bëni jetë fizikisht aktivite", nuk mjafton, për më tepër ndonëse në teori duket i thjeshtë, në praktikë përbën një sfidë të vështirë. Ushqyerja e shëndetshme në mjedisin e sotëm është si të notosh kundra rrymës.

Prandaj kërkohet të luftohen edhe shkaqet e tjera. Për këtë kërkohet jo vetëm aktivizimi i institucioneve shëndetësore, por edhe i organizatave joqeveritare, dhe sidomos një aktivizim i fuqishëm i qeverive në nxitjen dhe lehtësimin e iniciativave me bazë komunitare që nxisin ushqyerjen e shëndetshme dhe aktivitetin fizik. Kërkohet financim i fushatave që promovojnë shprehi të shëndetshme. Kërkohet monitorim i tregut ushqimor, por jo vetëm. Shumica e njerëzve kanë nevojë për ndihmë që të njohin ushqyerjen, madje që herët, që në kopështe e shkolla. Kjo kërkon fuqizimin e edukimit, aftësië për të zgjedhur ushqimet e përshtatshme. Kërkohet pse jo dhe një subvencion i kostos të ushqimeve me pak kalori, për t'i bërë ato më të përballueshme për familjet me të ardhura të ulëta. Kërkohet vendosja e taksave për pijet dhe ushqimet e pashëndetshme. Këto masa do të bënin të mundur spostimin e ushqyerjes në drejtim të ushqimeve të shëndetshme.

Nga ana tjetër, i rëndësishëm është edukimi dhe nxitja e aktivitetit fizik. Parandalimi i shtimit në peshë para se të ndodhë. Veçanërisht tek fëmijët. Mbasi dhjamosja eshtë zhvilluar, ka pak mundësi që pesha normale të ristabilizohet dhe të mbahet. Që kjo të realizohet, kërkohet krijimi i mundësive për aktivitet fizik duke ndërtuar rrugë për këmbësorë, rrugë për biçikleta, parqe, ambiente sportive. Argëtimi urban që duhet të jetë jo vetëm i mundshëm, lehtësht i arritshëm, por dhe në zona të sigurta për fëmijët, kërkesat e të cilëve për ushtrime fizike janë më të mëdha se për të rriturit. Planifikuesit urbanë, ndërtuesit duhet të stimulohen ekonomikisht për krijimin e ambienteve të shëndetshme, dhe të penalizohen në të kundërtën.

Adoptimi i shoqërisë me një stil jetese më të shëndetshëm, natyrisht do të hasë rezistencë. Le të kujtojmë luftën kundër duhanpirjes. Nuk duhet të nënvleftësohet fakti se ushqimi përbën një biznes të fuqishëm. Të gjithë njerëzit hanë. Është e vështirë të mendohet se do kishte ndonjë industri që do mund të përfitonte nësë njerëzit hanin më pak. Jo vetëm bujqësia, industria ushqimore, tregtia ushqimore, restaurantet, dietat, por dhe industritë farmaceutike do të kishin humbje. Të gjitha lulëzojnë kur njerëzit hanë më shumë. Por ne duhet të mbrohemi!