Diabeti dhe shëndeti publik
- Nga: Shefqet Deliallisi
Në editorialin e revistës prestigjioze mjeksore Lancet në qershor 2010 “Diabeti- është koha të ndryshojmë qasjen tone” theksohet: “Mjeksia ndoshta është duke e fituar betejën për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, por është duke humbur luftën kundër diabetit. Fakti që diabeti (tip 2), një çregullim gjerësisht i parandalueshëm, ka marrë përmasa epidemike, përbën një “poshtërim” për Shëndetin Publik”.
Është koha për të ndryshuar strategjinë në luftën kundër diabetit me përqëndrim te parandalimi i tij, i cili është plotësisht i mundur, pasi rrënjët e diabetit janë kryesisht në faktorë ambientalë dhe socialë që mund të ndryshohen.
Përqëndrimi vetëm në trajtimin mjeksor, nuk e frenon epideminë e diabetit, ndërsa zvogëlon rolin e individëve, përjashton komunitetet, shkollat, planifikuesit urbanë, potenciale të rëndësishme për parandalimin e tij.
Në fjalimin e mbajtur në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në mesin e viteve 80-të, drejtori i përgjithshëm i OBSH së asaj kohe, Halfdan Mahler, theksonte: “Mendojeni veten të zhytur deri në grykë në një kënetë duke luftuar aligatorët (sëmundjet). Duhet të keni parasysh se në radhë të parë ne kemi ardhur për tharjen e kënetës (luftimin e shkaqeve të sëmundjeve)”.
Pra në luftën kundër diabetit duhet të përqëndrohemi te shkaqet (ushqyerja, aktiviteti fizik), dhe te shkaqet e shkaqeve (ekonomike, psikosociale, kulturore). Ç’kuptim ka t’i trajtojmë njerëzit me diabet, pa ndryshuar shkaqet që i sëmurin ata? Dhe këtë mund dhe duhet ta bëjë Shëndeti Publik, që konsiderohet mbrojtjësi dhe promovuesi i shëndetit.
Diabeti nuk mund të vazhdojë më të jetë një pasojë e paevitueshme e urbanizimit, apo pabarazisë sociale, më e shprehur në vendet në tranzicion ku ne bëjmë pjesë. Gjeneratat e ardhshme nuk mund të jenë përjetësisht të dënuara prej stilit diabetogjenik të jetesës. Diabeti siç po tregojnë evidencat, në radhë të parë duhet të konsiderohet si problem i shëndetit publik. Përparësi, ndryshe nga deri më sot, duhet të marrë parandalimi. Kjo, jo vetëm pse shpenzimet e kujdesit për diabetin dhe komplikimet e tij janë tronditëse.
Fokusimi duhet të jetë te fëmijët. Është mosha fëminore, mosha kur krijohen shprehitë, mosha kur mbillet fara e diabetit. Politikat që duhen mbështetur sot, do të japin frytet pas pak dekadash. S’duhet të humbim kohë!