Shëndet

Obeziteti: A mundet t'i shpëtojmë ndikimit të ambientit? - Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Presioni i ambientit na inkurajon të hamë fuqishëm. Shmangia, e pamundur. Është e lehtë të hash. Është kënaqësi. Relativisht jo e kushtueshme.

Ne marrim sinjale fiziologjike shumë të forta që na shtojnë dëshirën për të ngrënë dhe sinjale shumë të dobëta për ta ndalur ngrënien.

Uria na bën të ndjehemi jo mirë, të irritohemi, dhe ushqimi është i disponueshëm 24 orë në ditë. Ne hamë kur jemi të lumtur, hamë kur jemi të mërzitur. Ne kemi adaptuar shprehi sociale dhe festive me ngrënie dhe pirje të tepërta. Aftesinë për të ngrënë mirë e lidhim me shëndet, mirëqenie dhe statusin social.

Ndërkohë, shoqëria për gjenerata ka punuar fort për ta bërë jetën më të lehtë, aktivitetin fizik sa më pak të nevojshëm. Të bëhesh më aktiv fizikisht sot, s’është e lehtë. Kërkon sforcim, mund të jetë e bezdishme, të shpenzon kohën.

Në gjeneratat që lamë pas, fuqia punëtore në shkallë të gjerë paguhej për aktivitetin fizik. Por sot kur puna është shumë sedentare, kërkohet të jemi më aktivë fizikisht, të bëjmë aktivitet fizik dhe sportiv. Mbas një ditë të gjatë në zyrë apo në klasë dhe me detyra të tjera për të bërë në shtëpi, kërkohet një motivim i madh për të shpenzuar enegji më shumë dhe për ta larguar vete nga zona e konfortit.

Tjetër përshtatje është oreksi, që njerëzve të lashtë u shfaqej sa herë që binin në kontakt me ushqime të rralla, që siguroheshin me vështirësi dhe kishin rëndësi të veçantë për ta. Të tilla ishin ushqimet e pasur me energji, yndyrnat dhe karbohidratet e përqëndruara.

Mjaft tërheqëse ishin gjithashtu ushqimet e reja, për faktin se për periudha të gjata dieta mund të ishte monotone. Kurioziteti dhe dëshira për të provuar ushqime të reja ishte një përshtatje që i ndihmonte njerëzit e lashtë për të siguruar nutrientë, që në dietën e zakonshme mund t’i mungonin. Të gjitha këto përshtatje që ne trashëgojmë, në shoqërinë e bollëkut ushqimor, janë bërë të dëmshme, duke shkaktuar mbingrënie te njerëzit e dhjamosur tashmë.

Por ndryshime thelbësore kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në aktivitetin fizik. Organizmi, që ne trashëgojmë, është i përshtatur për një pune të rëndë, intensive fizike. Në kohët e lashta organizmi zhvillohej duke ndjekur prenë, duke luftuar armikun, duke mbajtur pesha të rënda, për distanca të gjata. Sa më shpesh i kryente këto punë, aq më i fortë bëhej. Një ndër muskujt që forcohej më tepër, në përgjigje të aktivitetit fizik, ishte dhe muskuli i zemrës (ashtu si dhe dobësohej në të kundërtën).

Por çfarë ndodh sot? Pamundësia për aktivitet fizik përbën një problem të ri për racën njerëzore. Njerëzit sot sforcohen për të planifikuar një aktivitet fizik. Ata qëndrojnë ulur para tavolinës, kompiuterit, në vend që të lëvizin. Vetëm pak vite më parë fëmijët luanin jashtë shtëpisë për orë të tëra, ndërsa sot qëndrojnë pasivë përpara televizionit, apo lojrave elektronike. Madje sot, edhe kur bëjnë ndonjë punë në shtëpi, njerëzit pjesën më të madhe e bëjnë ulur. Në kohët e lashta ishte e pamundur që dikush të qëndronte ulur për muaj e vite. Madje edhe paraardhësit tanë fermerë të disa viteve më parë, duhej të punonin fort fizikisht, ndryshe nga sot, kur shumicën e puneve e kryejnë makineritë.

Dhe kjo ka implikime të rëndësishme mbi organizmin dhe shëndetin.

Lind pyetja, para këtyre ndryshimeve jemi të pafuqishëm, apo mund të ndërhyjmë për t’i kthyer në favorin tonë ose së paku t’i kthejmë në të padëmshëm?

Fatmirësisht, ndryshe nga paraardhësit tanë të lashtë, ne jemi më të ditur. Ne dimë si funksionon organizmi, çfarë ushqimesh nevojiten, çfarë ushqimesh bëjnë mirë dhe çfarë bëjnë keq. Ndërsa paraardhësit e përdornin zgjuarsinë e tyre për të zbuluar mundësi të reja ushqimi, ne shpesh duhet ta përdorim atë për të luftuar instiktet që na nxisin për të ngrënë. Ndërsa ata e përdornin zgjuarsinë për të kursyer sa më tepër energji, ne duhet ta përdorim atë për të gjetur mënyra për të shpenzuar sa më tepër energji, për të siguruar dhe mbajtur një peshë trupore sa më të përshtatshme.

Është fakt se ushqimet që ne sot përdorim nuk përshtaten me nevojat e organizmit. Dieta përmban shumë yndyrë, sheqer, kripë dhe është e varfër me fibra, minerale dhe vitamina. Ushqimet që ne sot pëdorim janë të përpunuara deri në atë pikë sa ngjajnë shumë pak me ushqimet natyrale. Mos vallë duhet t’i kthehemi ushqyerjes së paraardhësve?

Kjo është një utopi. Dëshira për një jetë “natyrale” është vetëm një nostalgji e pamundur. Raca njerëzore e ka “zbutur” veten shumë kohë më parë. Tipi i egër njerëzor tashmë është zhdukur. Nuk ka asnjë arsye që ne të kthehemi mbrapa, te ushqimet e papërtypshme, primitive të kohëve të lashta, kur mund të shijojmë gjithë të mirat e kohërave moderne. Ne tashmë kemi ndërtuar ambientin tonë dhe duhet të përshtatemi të jetojmë në të. E rëndësishme është që ndryshimet t’i kthejmë në favorin tonë.

Ndërkohë, ne po përballemi me dy probleme të mëdha. Shëndetin që dëmtohet nga efektet e dëmshme të ndryshimit të mjedisit, ku rol të rëndësishëm sigurisht luan dhe ushqyerja, dhe kostoja e lartë për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuaran nga këto ndryshime. Epidemia e obezitetit dhe diabetit, janë duke shkaktuar krizën më të rëndë mbarëbotërore financiare të sistemit shëndetësor.

Sa i rëndësishëm është ndikimi i ambientit?

Faktorët ambientalë janë absolutisht të rëndësishëm për të kuptuar shkaqet e obezitetit. Pavarësisht rolit shumë të rëndësishëm të trashëgimisë genetike, rezerva genetike brenda Europes nuk ka ndryshuar 1000 vitete e fundit. Epidemia e diabetit është një fenomen modern veçanërisht i 20 viteve të fundit që shpreh ndryshimet e ambientit.

Nëse konsiderojmë faktin se ne evoluam gjenetikisht për të qenë të aftë të akumulojmë dhe magazinojmë energji në kohën e bollëkut, për të bërë të mundur mbijetesën gjatë kohës në nevojë, ata që kanë mbijetuar, janë pasardhësit e “magazinuesve të yndyrave”. Prandaj është e kuptueshme që ne duhet të jemi të aftë të akulojmë mase dhjamore nga një këndvështrim i mbijetesës. Problemi është se ne sot rallë kemi nevojë, dhe aftësia për të konsumuar dhe absorbuar energji në formë yndyrash nuk është më e rëndësishme. Për pasojë ne me shpejtësi po bëhemi më të dhjamosur duke vuajtur pasojat e sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Prandaj epidemia e tanishme e obezitetit duhet të jetë e lidhur me një reaksion normal ndaj një ambienti anormal. Jo vetëm ambienti ka qenë shumë influencues në krijimin e stilit obezogenik të jetesës, por është obeziteti ai ku ne shohim efektin afatgjatë të politikave parandaluese dhe strategjive të trajtimit.

Në një artikull të e kohëve të fundit në revistën Cell, Dr. Jeff Flier ngre pyetjen: “A është racionale të vazhdojmë më tej me përsosjen e antidodëve farmaceutikë kundër mjedisit egzistues (rrugë shumë e kushtueshme dhe jo gjithmonë efektive), apo duhet të përpiqemi me të gjitha forcat për të ndryshuar këtë mjedisin toksik?”.

©Shefqet Deliallisi