Shëndet

A ekziston në të vërtetë lëkura e përsosur?- Nga Iva Çaushaj

Shpesh, përgjatë konsultave përballem me një nga pyetjet më stërmunduese: "Cila është lëkura e përsosur?" Perceptimi më i afërt i lëkurës së përsosur kalon tangent me atë të lëkurës normale, por, a ekziston në të vërtetë lëkura normale?! 

Në aspektin shkencor, sikurse atë fiziologjik, lëkura normale është një koncept disi abstrakt. Ndërsa, në praktikat dermoestetike, lëkurat normale, që artikulohen përgjatë konsultave dhe ekzaminimeve si përcaktim i tipit lëkuror, krijojnë hapësira për diagnostikime të pasakta. Lëkura është i tillë organ, që natyralisht, në kushte ideale, ka aftësinë të sintetizojë vetiu mishelën e ingredientëve organikë, të cilët i dhurojnë asaj hidratimin (ujin) dhe ushqyeshmërinë (lipidet).

Porse, e këtillë lëkurë është teje e vështirë të gjendet, sidomos në kohët që po jetojmë, ku vetë njeriu, duket se po punon zellshëm për të mpakur cilësinë e jetesës, tok me shëndetin e ardhmërinë e tij. Për të hedhur dritë mbi paqartësitë e llojeve lëkurore, le të udhëtojmë përmes historisë së shkencës dhe industrisë së kozmetologjisë, në shekullin e XX, kohë kur bota e së bukurës përqafoi zhvillimin e saj industrial. Do të ishin vizionarët e parë të universit të së bukurës: Helena Rubinstein, Estée Lauder, Elisabeth Arden e të tjetrë, ata që do të skalitnin udhën nëpër të cilën industria e produkteve kozmetike do të rritej e zhvillohej, për të mbërritur paçmueshëm në kulmin e lulëzimit, deri në kohën tonë.

Në vitet ‘900, llojet e lëkurave kategorizoheshin sipas klasifikimit të propozuar nga gruaja, e cila themeloi perandorinë e parë të prodhimit të produkteve kozmetike, Helena Rubinstein. Ajo, së bashku me ekipin e saj të profesionistëve, propozoi tipologjitë lëkurore, të cilat varionin nga lëkurat e thata, të yndyrshme e të kombinuara, deri tek ato të ndjeshme e normale. Por, evoluimi i vrullshëm dhe frenetik i jetës në fusha të ndryshme, sikurse në shkencat mjekësore e kozmetologjike, kërkonte doemos zhvillimin e një protokolli të ri vlerësimi në funksion të shëndetit dhe mirëmbajtjes të një prej organeve më të mëdha të njeriut - lëkurës së tij.

Më së pari, ajo ç'ka u qartësua nga shkenca ishte ekzistenca e dy llojeve lëkurore, madje, më saktësisht, do të duhej të shpreheshim: "ekzistojnë veçse dy lloje lëkurash, të cilat janë të shkruara në gjenet e secilit prej nesh: lëkura e thatë dhe ajo e yndyrshme", prej të cilave, ne trashëgojmë nga prindërit tanë njërën ose tjetrën. Pra, nëse në një çift njëri mbart gjenet e lëkurës së thatë dhe tjetri ato të lëkurës së yndyrshme, kombinimi i aleleve të këtyre gjeneve do të kodifikohet i të tillë që, aleli i lëkurës së yndyrshme të shprehet në dominancë.

Ky është shpjegimi, përse kemi më shumë lëkura të yndyrshme, se sa të thata, duke e projektuar lëkurën e yndyrshme në një fenotip dominant. Kësisoj, një vizion i ri u shpalos mbi mënyrën e vlerësimit të lëkurës, kur mjekja dermatologe Leslie Baumann, paraqiti studimin e saj, të bazuar mbi një pyetësor të detajuar prej 64 pyetjesh, i cili përcaktonte saktësisht tipologjinë dhe tiparet reale të lëkurës në momentin e zhvillimit të testit. Sigurisht që, diagnoza e përcaktuar përmes këtij pyetësori, nuk cilësohet si përfundimtare, sepse, lëkura ndryshon sipas stinëve, moshës, gjinisë, ndryshimit të klimës, shtatzanive, laktacionit, menopauzës tek femrat apo andropauzës tek meshkujt, gjithaq, prej stresit kronik dhe stilit të jetesës. Andaj, testi këshillohet të përsëritet gjithherë përjetojmë të tilla përndryshime apo luhatje përgjatë rrjedhën së jetës sonë.

Sipas “Baumann Skin-Type Indicator” (BSTI) ekzistojnë gjashtëmbëdhjetë kombinime të mundshme lëkurore, të paraqitura përmes një kodi me katër gërma, secila sipas karakteristikës specifike që mbart një lëkurë e caktuar. Kësisoj, treguesi i llojit të lëkurës sipas Baumann i klasifikon llojet e lëkurës bazuar në katër kategori, me nga dy degëzime, të cilat simbolizojnë e përshkruajnë parametrat në të cilat gjendet lëkura njërëzore. Kombimimet e mundshme të këtyre situatave lëkurore, do të projektojnë plot gjashtëmbëdhjetë tipe lëkurash, secila me bekimet e mundimet e saj dhe asnjëra prej tyre e përsosur. Përmes këtij diagnostikimi, zbardhja e anamnezës gjatë një konsulte mbi lëkurën tonë, nuk do t'i bëjë vend kurrfarë konfuzioni, apo neglizhence në përcaktimin real të problematikave dhe shqetësimeve në lëkurën tonë.

Analiza dhe ekzaminimi i lëkurës përpara një trajtimi, është një hap, të cilin pjesa dërrmuese e profesionistëve farmacistë apo estetistë e anashkalojnë. Ekzaminimi i lëkurës në kohë është hapi thelbësor, i cili përcakton rrugëtimin përmes terapive në arritjen e qëllimit estetik. Përveç vendosjes së një diagnoze të saktë mbi llojin dhe karakteristikat e lëkurës apo problematikat e saj, analiza e lëkurës shërben edhe si një urë lidhëse, për të rrënjosur një marrëdhënie afatgjatë e të shëndetshme me pacientin, i cili do të ndihet në duar të sigurta e profesionale, gjithaq, i përkëdhelur prej një bashkëbisedimi të përkujdesur.

Ndoshta, pamja e lëkurës së pësosur nuk ekziston, por, organi lëkuror dhe çdo grimcë e organizmit tonë, janë përsosuria vetë, qëkurse në konceptimin e gjenezën e tij. Funksionet e lëkurës janë të shumta dhe, sigurisht që, shkojnë përtej mbrojtjes së organeve jetësore nga dëmtimet atmosferike, kimike apo fizike. Lëkura është një organ ndërmjetësues, që përfshihet në mekanizma të panumërta fiziologjikë, duke dhënë kontributin e tij në ruajtjen e ekuilibrit hidrosalin, rregullimin e temperaturës trupore, prodhimin e vitaminës D, të melaninës dhe sintezën e përbërjeve bioaktive. Gjithashtu, lëkura jonë është barriera e parë imunitare ndaj ambientit e mikroorganizmave patogjenë që na rrethojnë, sikurse, sinjalizuesja më vigjilente ndaj çekuilibrimeve të sistemeve fiziologjike në organizmin tonë. Lëkura është organi ynë i dytë, më i madh, pas zorrës (intestinum) dhe një nga më të vështirët për t’u kuptuar. Ajo luan role të shumta e të rëndësishme në mirëmbajtjen e shëndetit trupor. Por, gjithashtu, lëkura është një strukturë e brishtë dhe shënjestër e lehtë për mbi 3000 lloje sëmundjesh, të cilat, mund ta dëmtojnë seriozisht atë.

Me atributet e një ndër organeve më të mëdha, lëkura mbulon sipërfaqen e jashtme të trupit, ndërsa hapësirat e tij vishen me mukoza. Pesha e saj, tek një individ i rritur, luhatet nga 15- 17kg, duke përbërë rreth 16% të peshës trupore. Me një sipërfaqe rreth 2m², trashësia e saj (spesori) varion nga 0,5-2.5mm, për të arritur deri në 4mm në zonën oksipitale, palmare dhe atë plantare. Ngjyra e lëkurës ndryshon sipas racave, por edhe sipas individëve dhe rajoneve anatomike trupore. Ngjyra e saj do të varet nga trashësia/spesori, shtresa brinore dhe sasia e pigmentit ngjyrues në lëkurë (melanina dhe hemoglobina).

Ngjyra e lëkurës njerëzore luhatet mes tipeve shumë të çelëta dhe atyre shumë të errëta, ku ndërmjet merr jetë një gamë e gjërë dhe e larmishme tonalitetesh lëkurore. Sipërfaqja lëkurore karakterizohet nga brazda, të cilat e përshkojnë atë në drejtime të ndryshme, duke formuar figura unike, dermatoglifet-gjurmët e gishtërinjve, të cilat janë unike për çdo individ. Këto figura shfrytëzohen gjerësisht në daktiloskopi, kriminalistikë dhe në ekzaminimet biologjike hereditare. Pavarësisht gjinisë, etnisë, moshës apo rajonit anatomik, lëkura e njeriut ka strukturë të njëjtë: hektodermike, ku bëjnë pjesë epiderma dhe anekset e lëkurës (qime, flokë, thonj dhe gjëndrat me sekrecion të jashtëm) dhe mezodermike, ku bëjnë pjesë derma dhe hipoderma.

Sidoqoftë, përtej shkencës, lëkura jonë është unike në shumë mënyra. Ajo është guacka që na mbron pareshtur, gjatë gjithë jetës, duke krijuar kontaktin më të parë me botën që na rrethon, pasi përfundon udhëtimi ynë intrauterin. Përmes lëkurës ne perceptojmë stimuj, ndjesi, prekim, përkëdhelim, shijojmë puthje e përqafime. Falë receptorëve aq të specializuar, të vendosur nën të, ndjejmë dhimbjen, të ftohtin, të nxehtin, sikurse, gudulisjen apo eksitimin. Nuk ekziston ndonjë organ tjetër, që të kërkojë kaq shumë përkushtim e përkujdesje, si në sëmundje, po ashtu, edhe kur gëzon shëndet të plotë, aq sa lëkura.

A nuk do të mjaftonte çkakrejt për ta cilësuar lëkurën tonë të përsosur?!

Përsosmëria është një koncept pas të cilit njeriu rend ciklikisht, pa mundur assesi ta rrokë atë. Ndoshta, sepse përsosmëria është thjeshtë iluzioni frymëzues, i cili na mundëson të vetpërmirësohemi e të rritemi në çdo hap të udhëtimit tonë. Andaj, besoj se, nuk kemi nevojë të rrëmojmë dëshpërimisht ndër gjenet tona pamjen e lëkurës së përsosur, porse të përpiqemi ta ndërtojmë atë ditë pas dite, hap pas hapi, përmes orientimeve të duhura profesionale dhe përkujdesjeve personale. Duke i dhënë lëkurës sonë përkushtimin dhe vëmendjen e duhur, mandej, ajo do të fillojë të artikulojë rrezatueshëm e shëndetplotë gjuhën e përsosur, gjuhë, të cilën natyralisht e zotëron. Gjuhën e asaj bukurie, që rrënjët i ushqen brenda qënies sonë, një bukuri e përsosur që nuk venitet kurrë.

 

*Iva Çaushaj (Vaso) është lektore dhe eksperte e Farmacisë klinike. Autore e “Dermokozmetologjia-manual i kozmetologjisë për profesionistës e së ardhmes”. Dr.Iva është një kontribuese e çmuar për FlasShqip.ca edhe si përkthyese e talentuar.