Shëndet

Shendeti e drejtë njerëzore? - Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Ka dy botë. Bota e investigimit të ftohtë shkak-pasojë dhe bota e dëshirave, idealeve, vlerave morale, solidaritetit. Me të parën merren shkencat e natyrës, me të dytën etika. Si urë që lidh këto dy Botë shërben shkenca ekonomike.

Sipas shkencës ekonomike Shërbimi i Kujdesit Shëndetësor është një industri shërbimesh që nënkupton treg, konkurencë dhe pabarazi. Ndërsa sipas politikes, që përpiqet të përfitojë prej ndjeshmërisë së lartë të publikut për shëndetin: “E para që duhet të bëjmë është të pranojmë Kujdesin mjekësor si e ‘drejtë njerëzore’!” Por a është teknikisht e mundur?

Një saktësim...

Shpesh thuhet “shëndeti” e drejtë njerëzore. Por, të thuash shëndeti e “drejtë njerëzore”, është si të thuash moti i mirë e “drejtë njerëzore”! Shëndeti ngjan me Kujdesin mjekësor, sa moti i mirë ngjan me çadrën. Shiun nuk mund ta ndalojmë të bjerë. Çadrën mund ta përdorim për tu mbrojtur nga shiu!

E saktë të thuhet është e “drejta” për kujdes mjekësor, më e saktë e “drejta” për akses në kujdesin mjekësor...

Ligji i pamjaftueshmërisë (Scarcity low)

Thomas Sowell, ekonomist, teoricien social i Universitetit Stanford: “Mësimi parë i ekonomisë është pamjftueshmëria; çdogjë, nuk është kurrë e mjaftueshme për t'i kënaqur të gjithë, ndërsa mësimi parë i politikës është shpërfillja e mësimit të parë të ekonomisë.”

Shumë nga problemet në lidhje me Kujdesin Shëndetësor burojnë nga mosvlerësimi i ligjësive ekonomike. Njëri prej tyre është Ligji i pamjaftueshmërisë (Scarcity low), sipas të cilit universi s'ka mjaftueshëm të “mira” për të plotësuar gjithë nevojat e të gjithëve. Një prej tyre është Kujdesi mjekësor. Njerëzit kanë nevojë për proçedura mjekësore që mund të kushtojnë miliona, por mundësitë janë të pamjaftueshme. Në pamje të parë duket e padrejtë, e pamoralshme...

Një ushtrim logjik…

Për një çast le të mendojmë se keni katër fëmijë dhe tre mollë. Dëshirojmë secili nga fëmijët të ketë mollën e tij. Pa u menduar dy herë politika thotë “Po”, madje e shenjtëron këtë dëshirësi të “drejtë njerëzore”. Por ne kemi vetëm tre mollë dhe katër fëmijë. Deklarimi e “drejtë njerëzore” është thjesht një retorikë. Diçka e pamjaftueshme si Kujdesi Mjekësor s'mund të shpallet e “drejtë njerëzore”, është teknikisht e pamundur. Kujdesi shëndetësor është konkret, përbëhet nga mallra, medikamente, paisje, shërbime konkrete. Një numër të caktuar mjekësh, shtretërish në spitale...

Edhe nëse paratë eleminohen nga diskutimi, (duke i detyruar mjekët forcërisht të shërbenin, duke shtetëzuar fabrikat farmaceutike) problemi themelor ekonomik, pamjaftushmëria, mbetet. Pamjaftueshmëria s'është thjesht teori ekonomike, por një realitetit kudo në botë...

Po sigurimi shëndetësor…?

Kujdesi shëndetsor është një e “mire” e pamjaftueshme. Si ta ndajmë? Është zgjidhje sigurimi shëndetësor, që bazohet në parimin ekonomik që dikush tjetër paguan? Sigurimi shëndesor s'është produkt mjekësor, por një produkt financiar. Pamjaftueshmëria s'do të dijë kush paguan. Ajo çfarë është e pamjaftueshme është e pamjaftueshme.

Për t’i ndarë të “mirat” e pamjaftueshme, disa mënyra, janë provuar: luftrat, sistemet e kastës, planifikimi qëndror. Faktin se jo të gjithë dëshirojnë të njejtat gjëra bën të mundur tregtinë. Por blerja dhe shitja e sendeve nuk është mënyra për të ndarë të mirat e pamamjaftueshme. Zgjidhja e vetme është racionimi…

Pavarësisht modelit të sistemit shëndetësor të zgjedhur: me monopolin e sistemit publik (sistemi britanik), me subvencion të siguracionit shëndetësor (sistemi zviceran), të pastër tregu (sistemi amerikan), përfundimi do të jetë i njejtë. Racionim i drejtpërdrejtë përmes çmimimit, apo racionimi politik përmes listave të pritjes, parave apo influencës.

Në sistemet shëndetësore ku monopolin e shëndetit e ka sistemi publik, Britani e Madhe, Kanada... ka lista të gjata pritje për të marrë kujdesin mjekësor, që do të thotë që mund të vdesësh para se të vijë radha, ose të pranoni se disa trajtime janë kategorikisht të padisponueshme ose, për të siguruar shërbim të menjëhershëm, duhet të paguash nga xhepi…

Shembull: Spitalet e New York-ut janë plot me kanadezë të pasur të cilët nuk mund ta përballojnë në vendin e tyre, në pritje, kujdesin shëndetësor “falas”.

Si përfundim, të gjithë janë të pakënaqur, progresistët amerikanë duan modelin mjekësor të Europës si më human, europianët të mërzitur nga pritja e gjatë në radhë kërkojnë modelin amerikan...

Shkaku i vërtetë i pakënaqësisë: pamjaftueshmëria!

Hipokrizi

Sikur pamjaftueshmëria të mos mjaftonte, le të mendojmë kujdesin mjekësor si një e “drejtë” njerëzore. Realizimi i kësaj të “drejte” do të ishte gjithmonë jo i plotë, edhe për faktin se politika një pjesë të resurseve për shëndetin i alokon për qëllime të tjera. Kjo është e vërtetë për të gjithë vendet, pavarësisht sistemit ekonomik, pavarësisht mënyrës së organizimit të sistemit shëndetësor, pavarësisht nivelit të mirëqenies. Gjithëpranohet se asnjë vend nuk është aq i shëndetshëm sa synon të jetë, dhe asnjë vend nuk bën për Shëndetin sa teknikisht ka mundësi.

Ndonëse thuhet “shëndeti është më i rëndësishmi nga të gjithë” rrallë ky slogan konsoderohet në realitet. Çdo ditë, në shumë mënyra, ne shpenzojmë vlera të mëdha për të kënaqur dëshira të tjera. Madje bëjmë zgjedhje që ndikojnë negativisht mbi shëndetin. Shembull: mbi-ngrënia apo duhan-pirja.

Në vend të mbylljes…

Hendeku ndërmjet asaj çfarë është teknikisht e mundur dhe çfarë është ekonomikisht fizibël, probabilisht do vije duke u zgjeruar.

Ka një thënie: “Të gjitha nevojat e njerëzve për Kujdes Mjekësor mund të plotësohen vetëm për një farë kohe, vetëm disa nevoja mund të plotësohen gjatë gjithë kohës, por në asnjë vend nuk mund të plotësohen të gjitha nevojat, e të gjithëve, gjatë gjithë kohës.” Duhet përzgjedhje!

©Shefqet Deliallisi