Shëndet

Biblioterapia ose shërimi me anë të librit - Nga Behar Gjoka

Behar Gjoka

Gjatë kësaj kohe në Londër, Pragë, New York, janë hapur disa librari, ku libri trajatohet si një nga mjetet unike për shërim. Në fakt, në këta mjedise, kur flitet për letërsinë, për tekstet letrarë, krahas atributeve të tjerë, si një vlerë shpirtërore specifike, gjithnjë e me shumë i mvishet edhe gjasa shëruese, e cila realizohet përmes librit. Shërimi, me anë të librit, e ka marrë emrin biblioterapi, pra një tip shërimi, unik dhe specifik. Thelbi i biblioterapisë, me sa duket lidhet me komunikimin, tashmë pa ndërmjetës, që përfshin të gjithë grupmoshat.

Për të kuptuar diçka nga kjo enigmë, le të nisemi nga një situatë shërimi me anë të psikoterapisë, që realizohet me anë të komunikimit me praninë e psikologut. Në mes të psikoterapisë dhe biblioterapisë, nëse i bashkon komunikimi, ato ndahen në mënyrën dhe formën e komunikimit, sepse biblioterapia realizohet me anë të komunikimit me tekstet letrarë, që mundësohet me anë të leximit aktiv. Megjithëse në mjediset tona, pak është folur, e prandaj është moment që duhet hapur drita jeshile për ta njohur si një shans tjetër për të shpëtuar nga stresi ose shqetësimet e përditshmërisë, në vende të tjera, aftësia shëruese e teksteve letrarë, është përdorur gjerësisht. Kështu, grekët e lashtë, qysh në hershmëri, kanë besuar në fuqinë shëruese të leximit, prandaj në derë të bibliotekave kanë vënë mbishkrimin vend shërues për shpirtin. Në kohë dhe hapësira të ndryshme, përveç kënaqësisë së pazakontë, që i mveshën librit, herë si të pohuar, por në shumicën e herëve si të nënkuptuar, bartën edhe cilësinë shëruese të librit.

Formën e plotë si koncept, terapia përmes librit, pra biblioterapia, e fiton rreth viteve ’30 të shekullit të kaluar në SHBA, ndërsa në këtë periudhë ka një zgjim të jashtëzakonshëm ndaj libri si mënyrë shëruese, në Londër. Prej andej kemi një situatë që lajmëron se: Libraria e fundit është hapur këto ditë dhe quhet "School of Life" ("Shkolla e Jetës"). Për të kuptuar përbërjen e saj, duhet ndjekur filli i njoftimeve që vijnë, ku shkruhet: Është një lloj "farmacie kulturore" shumë e veçantë, që u ofron vizituesve të saj ushqim për barkun dhe mendjen, që në fakt të sjell në mend gjithë ndihmesën e dhënë nga shkrimtarja Virginia Woolf, pra, kuptohet se biblioterapia është dhe një nga shërbimet e shumtë që i ofrohet lexuesit nga një librari e re, e cila siç njoftohet, është hapur në "Bloomsbury", lagje e Londrës.

Për të sjellë edhe një mendim tjetër për idenë shëruese të librit: Pasi përfundova së lexuari për të 12-ën herë librin Lufta dhe Paqja, shkruante në 1951 në ditarin e tij shkrimtari rus Mikhail Prishvin, kuptova më në fund domethënien e ekzistencës sime. Këta fakte kanë ngjarë kohë më parë dhe tani, na mundësojnë, që të krijojmë një ide mbi terapinë me anë të librit, që përpos se të na njohë me botën, të edukojë dhe zbukurojë shpirtin, ndikon edhe për shërimin nga lëngatat jetësore, psikologjike dhe të streseve të jetës së njeriut. Prandaj, këta fakte, e bëjnë të pashmangshëm një diskutim mbi këtë prani, një diskutim të institucioneve të kulturës dhe të shëndetit mendor, të shkrimtarëve dhe studiesëve, të shkollës dhe familjes, të shoqërisë.

Po flasim për një realitet të ri, mbase për një hemisferë tjetër të tekstit letrar, që tashmë do të duhet të njihet, të zbulohet dhe mbi të gjitha të hipotekohet si një mënyrë e re e forcës shëruese të librit, me gjasë të tekstit letrar. Bazuar në rezultatet ku ka mbërritur biblioterapia në hapësirat e tjera, kryesisht të Perëndimit, aq sa vihet re se tanimë njihen edhe fazat e ndryshme, të cilat na vijnë edhe të përcaktuara:  Identifikimi - kur lexuesi e gjen dhe identifikohet me personazhin; Katarza - kur lexuesi ndan shumë mendime dhe ndjenja me personazhin në veprën letrare; Mishërimi - kur lexuesi përmes personazhit kupton se si të përballet me problemet dhe çështjet e veta. Pikërisht prania e tri fazave të biblioterapisë, na ndihmon për të kuptuar përmasat, rolin dhe nevojën për të hyrë në këtë hapësirë të shërimit, duke lexuar dhe shijuar artin magjik të letërsisë.

Duke qenë një temë e re, në marrrëdhënie me librin, tashmë si mjet utilitar, vetvetiu lindin disa pyetje, që në përnjohje të kësaj hapësire, patjetër që do të marrin përgjigje. Si do të realizohet njohja e problemeve, e simptomave që mundet të shërohen duke lexuar? Kush do të merret me ata që kanë shqetësime, pra cilët do të jenë terapeutistë të njohjes së librit, apo të shenjave të rëndimit shpirtëror dhe mendor, pra psikologët? Nga praktika e përbotshme, këtë rol dhe mision, e kanë marrë përsipër shkrimtarët, studiuesit, por edhe njohës të librave. Por, përcaktimi i shenjave të dëmtimit, bëhet i nevojshëm për tu ndjekur nga një psikolog.

Pra, mbase do të duhet të kemi një ndërthurje të palëve që mundet të jenë ekspertët e biblioterapisë. Cili do të jetë pozicioni dhe marrëdhëniet e institucioneve, si shkollat, bibliotekat, libraritë, lidhur ngushtësisht edhe me këtë aspekt të përfaqësimit të hapësirës së teksteve letrarë? Po familja, në çfarë lidhje do të jetë lidhur me librin, tanimë edhe si një mjet shërues? Kuptohet se biblioterapia, pasi të njihet si vlerë, të kuptohet si mision, shpejt do të jetë një bashkudhëtar i jetës së njeriut, si shkrim letrar, që përmban energji të shumëfishta, por disi më tepër si lexim, që ndihmon për të çliruar këto energji dhe përmes tyre të shërohet nga jo pak shqetësime që e shoqërojnë qenien njerëzore në përditshmëri.

©Behar Gjoka