Shëndet

“Dueti” grip stinor&Covid, rrezik që mund të shmanget - Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Në Australi dhe Zelandën e Re (vende që ndodhen në hemisferën jugore) sezoni i gripit stinor sapo përfundoi... Pas një rënie drastike në vitet 2020 dhe 2021 shifrat e gripit u rikthyen në nivelin e parapandemisë Covid-19...

Si rregull kjo përvojë, transferohet në hemisferës veriore, në të cilën sezoni gripit vjen në dimër... Të gjitha vendet e kësaj hemisfere ku përfshihet dhe Shqipëria, janë para sfidës grip stinor&Covid. Ky i fundit ende vazhdon, madje në Europë dhe Amerikë raportohet shtim i rasteve Covid...

Vitin e kaluar, në në fillim të sezonit të gripit, shifrat e gripit filluan të rriten, por sapo u shfaq varianti Omicron, shifrat e gripit ranë. Duket virusi i gripit s'ishte në gjendje ta konkuronte virusin e Covid-it. Por ishin dhe masat e Shëndetit Publik kundër përhapjes së Covid-it, që ndikuan në mospërhapjen e virusit të gripit (të dy viruset transmetohen në të njejtë mënyrë).

Kjo s'do të thotë se këtë dimër ne s'do të kemi grip dhe Covid bashkë, për më tepër që masat mbrojtëse të Shëndetit Publik kundër Covid-it janë shuar...

Diagnoza...

Para Covid-it, po të na shfaqej kollë apo dhimbje fyti, nuk do shqetësoheshim, aq më pak në stinë gripi. Nëse kjo na ndodh sot, gjëja e parë që na vjen në mend është mos jemi infektuar me Covid.

Si gripi dhe Covid-i në fillimin e tyre, kanë simptoma të përbashkëta: temperaturë, kollë, dhimbje fyti, dhimbje trupi, dhimbje koke, lodhje, të dy prekin sistemin e frymëmarrjes.

Ndonëse si Covid-i dhe gripi shkaktohet nga viruse, ka dallime të rëndësishme mes tyre. Mjafton të theksohet se Covid-i vlerësohet 10 herë më vdekjeprurës se gripi.

Meqenëse simptomat e njëjta në fazën fillestare të sëmundjes mund të mos mjaftojnë për t'i dalluar, gjëja më e sigurtë për diferencim është një test për Covid.

Mos harrojmë se ka edhe teste për të diagnostikuar gripin, disa prej të cilave mund ta japin rezultat të shpejtë.

Një mënyrë për të shmangur dilemën diagnostike, grip apo Covid, është edhe vaksinimi kundër gripit që rekomandohet si një masë mbrojtje.

Vaksinimi zvogëlon jo vetëm riskun për t’u prekur nga gripi, por dhe mundësinë për të kaluar raste të rënda të Covid-it.

Duhet theksuar se për këtë “duet” duhet të shqetësohemi në ato raste kur bashkë-infeksioni shfaq vështirësi në frymëmarrje, me mundësi të lartë për dëmtime serioze të mushkërive.

Vaksinimi...

Veç e veç, gripi ashtu dhe Covid-I, janë vdekjeprurës për njerëzit me risk të lartë, të moshuarit mbi 65 vjeç, njerëzit me diabet, sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, veshkave... personelin shëndetësor. I gjithë ky grup duhet të marrë vaksinën kundër gripit, por dhe dozën përforcuese të vaksinës Covid.

Dimri është në prag. Koha është tani!

©Shefqet Deliallisi