Aktualitet

Krijohet Grupi Parlamentar i Miqësisë Kanada-Shqipëri

Pas firmosjes së marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqëre ndërmjet Kanadasë dhe Shqipërisë, një tjetër sinjal pozitiv i vullnetit të mirë për bashkëpunim me Shqipërinë shfaqet mes deputetëve kanadezë. Këtë herë është krijimi i grupit parlamentar të miqësisë Kanada-Shqipëri, me nismën e deputetes liberale Julie Dabrusin, e cila u zgjodh kryetare e këtij grupi. Takimi, i cili i parapriu zyrtarizimit të Grupit, u mbajt më 8 maj me pjesëmarrjen e:

  1. Julie Dabrusin, deputete për Danfoth/Toronto
  2. Harold Albrecht, deputet për Kitchener/Ontario
  3. Michael Levitt, deputet për York Centre/Ontario, kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar 
  4. Rémi Massé deputet për zonën “Avignon-La Mitis-Matane-Matapedia”/Kebek, njëherësh Sekretar Parlamentar i Ministrit të Inovacionit, Shkencës dhe Zhvillimit Ekonomik
  5. Sven Spengeman, deputet për Mississauga/Ontario
  6. Nate Erskine-Smith, deputet për Beaches-East York/Ontario
  7. Borys Wrzesnewskyj, deputet për Etobico/Ontario

Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadori shqiptar Ermal Muça, i cili që në fillim përcolli një tablo të dinamikave të zhvillimit të marrëdhënieve në planin dy dhe shumëpalësh mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Më pas u votua statuti i Grupit si edhe u zgjodh në mënyrë unanime znj. Dabrusin kryetare, ndërkohë që antarësimi vijon të jetë i hapur për deputetë dhe senatorë. 

Po ç’qëllim ka krijimi i një grupi të tillë?

Bazuar në statutin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Shqipëri, qëllimi i këtij grupi është të punojë për forcimin e miqësisë dhe vullnetit të mirë ndërmjet parlamentarëve të Shqipërisë dhe Kanadasë duke i shërbyer kështu përparimit të marrëdhënieve bashkëpunuese dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë ndërmjet parlamenteve respektive.

Ndërsa sipas Ambasadorit shqiptar në Ottawa, Ermal Muça zyrtarizimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Shqipëri kurorëzon bashkëpunimin e ngushtë dhe komunikimin intensiv të përfaqësisë në Ottawa me anëtarë dhe drejtues të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit. 

I pyetur nga FlasShqip nëse do të krijohet edhe në Tiranë Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Kanada, Ambasadori Muça shprehet se së bashku me njoftimin zyrtar Tiranës i është përcjellë sugjerimi për formimin e grupit të miqësisë edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

©FlasShqip