Andej-Këtej

Maqedonia, emri i ri: nocioni gjeografik më i mirë se historik

Nga: Lisen Bashkurti

Mbas një bllokimi të gjatë nga Greqia të procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE për shkak të debatit për emrin duket se zgjidhja erdhi. Negociatat e shumta e mjaft kontraverse përfunduan me emrin “Republika e Maqedonisë Veriore”. Eshtë një përcaktim me nocion etno-gjeografik.

Kalvari i debateve duket se ka qenë rreth nocionit si do formulohej emri i ri. Ka pasur dy grup-propozimesh: një grup emrash me nocione thjeshtë historike dhe një grup emrash me nocione thjeshtë gjeografike. Emrat me nocione thjeshtë historike duket se kanë bartur ngarkesa etno-historike-kulturore me shumë ambiguitete, të papranueshme kryesisht nga pala Greke. Emrat me nocione thjesht gjeografike kanë zbehur deri ne fshirje identitetin etno-historik-kulturor dhe si të tillë janë hedhur poshtë gjatë bisedimeve nga pala Maqedone.

Zgjidhja erdhi si rezultat i kompromisit midis dy grup-emrash, të atyre historik dhe gjeografik së bashku. Ky emër kompromisi duket se kënaqë më së shumti të dy palët: pala Maqedone ndjen të realizuar identitetin historik-kulturor (në pjesën e emrit “e Maqedonise”). Ndërsa pala Greke ndjehet e kënaqur sepse ka arritur të ruajë identitetin e saj antik të Maqedonisë, duke e lokalizuar gjeografikisht (në pjesën e emrit “Veriore”).

Të dy palët kanë lëshur diçka nga vetja për t’ia dhënë palës tjetër, sikundër kanë fituar diçka për vete duke ia kufizuar palës tjetër. Zgjidhja duket të jetë e arsyeshme. Tipike formulë negociatash, ku asnjëra palë nuk fiton gjithçka, por edhe nuk humb gjithçka. Është një rezultat win-win. Ose një fitore pa të humbur.

Edhe nga përvoja historike e diskurseve politiko-diplomatike për emrat e shteteve, praktika e përcaktimeve etnike e mpleksur me nocione gjeografike ka qënë më e gjendur, më e pranueshme dhe si rrjedhoje më e qëndrueshme. Kështu kemi emrat e Koresë së Veriut, të Timorit Lindor etj., që janë përdorur në rrethana specifike, por në mënyrë të qëndrueshme.

Mbas arritjes se kompromisit për emrin, Republikës së Maqedonise Veriore i hapet rruga për të hedhur dy hapa të mëdhenj drejt integrimeve Euro-Atlantike: anëtaresimit të plotë në NATO dhe hapjes së negociatave për antarësim në BE. Në të dy këto dimensione të integrimit, avancimi i Republikës së Maqedonisë Veriore është me dobi të madhe për vendin dhe për mbarë Ballkanin Perëndimor.