Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 7 prill 2024

  • Published in Kanada

Shediac - New Brunswick

 

-Québec, pas një telefonate kërcënuese evakuohet Muzeu i Arteve të Bukura në Montréal

-British Columbia, ndahet nga jeta ish-lejtënant guvernatorja Iona Campagnolo

-Alberta, rishfaqet pas gjumit të dimrit ariu i famshëm grizzly “Boss” me numër 122

-Saskatchewan, dekorohet nga Franca një veteran 104 vjeçar i Luftës së Dytë Botërore në Regina

-Nova Scotia, në Halifax pritet një rritje 6.3% e taksës bashkiake mbi pronat e paluajtshme

-Newfoundland, defekt prej një jave në linjat e transmetimit të hidrocentralit Muskrat Falls

 

Québec - Sipas Shërbimit Policor të Montréal-it (SPVM), Muzeu i Arteve të Bukura të metropolit frankofon u evakuua sot (07.04) në mëngjes pas një telefonate kërcënuese. Ka qenë rreth orës 11:30 kur kjo telefonatë është marrë nga administrata e Muzeut, e cila ka njoftuar menjëherë policinë që ka ndërhyrë më pas për të siguruar perimetrin rreth ambienteve të institucionit. Në përditësimin e orës 14:00, SPVM informoi mediat se nuk kishte gjetur asgjë në muze dhe perimetri i sigurisë ishte hequr. Megjithatë, agjentët e policisë vazhduan të qëndrojnë në vend për të garantuar sigurinë publike. Hetuesit po punojnë për të identifikuar autorin dhe origjinën e telefonatës. Muzeu ishte veçanërisht i frekuentuar sot, sepse të dielën e parë të çdo muaji hyrja është falas.

British Columbia - Qeveria kanadeze ka njoftuar dje (06.04.) përmes një komunikate për mediat ndarjen nga jeta të ish-lejtënant guvernatores së 27-të të provincës, Iona Campagnolo, në moshën 91 vjeçare. Campagnolo, ishte e para grua që ka ushtruar këtë funksion në British Columbia, nga 2001 deri më 2007. Përpara marrjes së këtij posti ajo ka qenë për shumë vite animatore radioje në Prince Rupert, këshilltare shkollore, këshilltare bashkiake dhe deputete federale në vitet 1974-1979. Në qeverinë e kryeministrit Pierre Elliott Trudeau ajo ka ushtruar funksionin e ministres së Sporteve amatore.

Iona Campagnolo (R.I.P.)

Alberta - Nga momenti kur ariu i famshëm grizzly i rajonit Banff, i mbiquajtur “Boss”, u rishfaq në natyrë pas gjumit letargjik të dimrit, shumë udhëtarë të pasionuar janë drejtuar për në hapësirën e habitatit të tij për ta parë qoftë edhe për pak çaste, apo për ta fotografuar atë. “Boss”, i njohur zyrtarisht si ariu me numër 122, është pare të shfaqet tashmë dhjetëra herë këtë pranverë. Fotot dhe videot e fundit të tij po qarkullojnë shpesh në rrjetet sociale. Megjithatë, reagimet në internet janë të ndryshme dhe ekspertët e sigurisë i këshillojnë kuriozët të bëjnë kujdes. Me peshë mbi 295 kilogramë (650 paund), “Boss” është ariu grizzly (“I thinjur”) më dominues në zonën rreth Parkut Kombëtar Banff. Më pare ai ka asgjësuar një ari të zi si dhe i ka mbijetuar madje edhe një përplasjeje me një tren. Pas dy vitesh kërkimi, Tasha Barnett nga Bearberry, Alberta, më në fund e ka parë atë në fillim të kësaj jave dhe e ka fotografuar mbi shinat hekurudhore duke ngrënë drithëra që kishin rënë nga një tren.

Saskatchewan - Nick Kazuska, një veteran 104-vjeçar i Luftës së Dytë Botërore nga Saskatchewan, mori medaljen e Legjionit të Nderit nga ambasadori francez në Kanada, Michel Miraillet, gjatë një ceremonie përkujtimore që u zhvilluar dje (06.07) pasdite para Memorialin të luftës, që ndodhet pranë ndërtesës së Asamblesë Legjislative në Regina. Sipas diplomatit francez, Franca është përpjekur prej disa vitesh t’i vlerësojë veteranët kanadezë që ndihmuan vendin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Kemi ende një numër kandidatësh për të dekoruar dhe është një përgjegjësi e veçantë për mua të udhëtoj nëpër Kanada për t’i dorëzuar këto dekorata”, deklaroi ai për CBC/Radio-Canada. Gjatë ceremonisë u zbulua edhe një statujë në kujtim të luftëtarëve të Regjimentit të këmbësorisë Royal Regina Rifles. Statuja nderon ushtarët që luftuan gjatë zbarkimit në Normandi më 6 qershor 1944. Ajo do të vendoset në Place des Canadiens, në Bretteville-l'Orgueilleuse, në Francë, gjatë një ceremonie që do të zhvillohet 5 qershorin e ardhshëm.

Nova Scotia - Këshilltarët e Bashkisë Halifax kanë finalizuar gjatë kësaj jave se cilat zëra shtesë do të financojnë ose shkurtojnë nga buxheti i këtij viti, duke rezultuar me një rritje prej 6.3 përqind të faturës fiskale, më konkretisht të taksës mbi pronat e paluajtshme, që është dhe burimi kryesor i të ardhurave për çdo bashki. Për të shmangur deficitin buxhetor fillimisht administrata sugjeroi një rritje prej 8.9%, por një marrëveshje e re financimi me qeverinë provinciale e ka zbutur disi ngarkesën për pronarët e kryeqytetit të Nova Scotia. Nga ana e saj qeveria provinciale ka konfirmuar kohët e fundit se Bashkisë Halifax, ashtu si dhe të gjitha bashkive të tjera, nuk i kërkohet më të mbledhë taksa për strehimin dhe shërbimet korrektuese.

City Hall - Halifax

Newfoundland - CBC Radio-Canada raportoi të premten (05.05) se linjat e transmetimit ndërmjet hidrocentralit Muskrat Falls në Labrador dhe ishullit Newfoundland janë ndërprerë që nga 30 marsi dhe nuk do të funksionojnë për të paktën një javë tjetër. Hydro Newfoundland and Labrador deklaroi se një stuhi akulli goditi Labradorin jugor gjatë fundjavës së Pashkëve duke dëmtuar 11 shtylla tensioni të lartë. Objektet e prekura shtrihen në rreth 4 km në një zonë të izoluar 15 km nga autostrada më e afërt. Sipas Jennifer Williams, presidente dhe CEO e Hydro Newfoundland and Labrador, në momentin kur ndodhi defekti, kabllot e transmetimit ishin të rrethuar nga më shumë se 7 cm akull. Sipas saj, situata nuk ka rezultuar me ndërprerje të energjisë për banorët, sepse gjatë këtyre ditëve për të përmbushur nevojat e ishullit ka pasur prodhim të mjaftueshëm energjie elektrike diku tjetër në rrjetin provincial. Megjithatë, 1,100 km linja transmetimi që lidhin digën Muskrat Falls me Newfoundland-in lindor, kanë pësuar disa ndërprerje vitet e fundit. Në shkurt, tetë shtylla të mëdha u dëmtuan gjatë një stuhie tjetër akulli në zonën e Parkut Kombëtar Terra Nova dhe riparimet zgjatën disa javë.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Tasha Barnett; The Canadian Press/Deddeda Stemler; Toronto Travel Guide; Tourisme New Brunswick;