Kanada

Kanada: Rajoni i Niagarës shpall gjendjen e jashtëzakonshme 11 ditë përpara eklipsit

  • Published in Kanada

Rajoni i Niagarës në provincën Ontario ka shpallur paraprakisht pardje (28.03) gjendjen e jashtëzakonshme në pritje të eklipsit të rallë total diellor që pritet të ndodhë më 8 prill. Parashikohet që një numër i madh vizitorësh të ndodhen atë ditë pranë Ujëvarave të Niagarës.

Sipas kryetarit të rajonit, Jim Bradley, të cilit iu referua CBC/Radio-Canada, masa u mor si një “veprim kujdesi paraprak”.

“Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme [...] përforcon dhe shton mjetet në dispozicion të rajonit për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e banorëve dhe vizitorëve, si dhe për të mbrojtur infrastrukturën tonë kritike nga çdo skenar i paparashikuar që mund të ndodhë”, thuhej në njoftimin për mediat.

Ujëvara e Niagarës, e shtrirë përgjatë kufirit Kanada-SHBA, është e përfshirë në trajektoren e eklipsit.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Niagara Falls (Ontario), Jim Diodati, ka parashikuar që me rastin e eklipsit në anën kanadeze të ujëvarave mund të mblidhet një turmë njerëzish si kurrë më parë brenda një dite në historinë e këtij qyteti. Sipas tij, numri mund të arrijë deri në 1 milion vetë, ndërkohë që mesatarja vjetore e vizitorëve arrin shifrën rreth 14 milionë.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada/Cédric Lizotte; NASA/GSFC