Kanada

Kanada: Nis vizita e kryeministrit të Francës Gabriel Attal, në fokus rritja e bashkëpunimit

  • Published in Kanada

Kryeministri i Francës Gabriel Attal ka nisur dje (10.04) vizitën e tij zyrtare tri ditore në Kanada. Kjo është vizita e parë e një kryeministri francez në vend, qysh nga vizita e kryeministrit Laurent Fabius në vitin 1984. Sipas analistëve, ky udhëtim i parë jashtë Bashkimit Evropian i kreut të qeverisë franceze merr rëndësi të veçantë pasi nuk ka pasur një vizitë të këtij niveli nga Franca në Kanada që nga qershori 2018, kur presidenti Emmanuel Macron vizitoi Québec-un gjatë Samitit të G7.

Në komunikatën zyrtare të qeverisë franceze, nënvizohej që Gabriel Attal në Kanada do të takojë homologun e tij Justin Trudeau me synim “forcimin” e bashkëpunimit mes dy “partnerëve historikë”. Kryeministri i Francës shoqërohet në vizitën e tij nga pesë ministra, përkatësisht Eric Dupond-Moretti (Drejtësia), Sylvie Retailleau (Arsimi i Lartë), Franck Riester (Tregtia e Jashtme dhe Frankofonia), Roland Lescure (Industria dhe Energjitika) dhe Patricia Miralles (Veteranët).

Pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar Macdonald-Cartier në Ottawa, Attal është pritur fillimisht në një takim zyrtar në Rideau Hall nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Mary Simon. Më pas në mbrëmje, Gabriel Attal dhe Justin Trudeau kanë darkuar së bashku dhe tema kryesore e diskutimit ka qenë frankofonia. Siç është bërë e ditur, tetorin e ardhshëm Franca do të mirëpresë Samitin e 19-të të Frankofonisë dhe mundet që kryeministri Trudeau të asistojë në këtë event.

Sot dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim zyrtar që do të pasohet edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje dhe një konferencë shtypi. Fokusi i diskutimeve do jetë së pari CETA, Comprehensive Economic and Trade Agreement midis Kanadasë dhe Bashkimit Europian, por edhe lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme dhe kriza në Haiti. Nëse për çështjet ndërkombëtare Parisi dhe Ottawa më të shumtën e rasteve janë në unison, tema tregtisë së lirë është kthyer së fundi në një objekt delikat diskutimi, sepse nga një anë qeveria franceze e mbështet marrëveshjen tregtare të nënshkruar më 2016 midis Kanadasë dhe Bashkimit Evropian, ndërkohë nga ana tjetër Senati i Francës e hodhi poshtë atë me një shumicë dërrmuese muajin e kaluar. Qëndrimi i Gabriel Attal në Ottawa do mbyllet me një ceremoni zyrtare për nder të veteranëve të Kanadasë dhe Francës, ku do të asistojë dhe kryeministri Justin Trudeau.

Nga pasditja dhe deri nesër (12.04.) kreu i qeverisë franceze do ta vazhdojë vizitën e tij në Québec, provincën frankofone të Kanadasë me të cilën Franca mban një marrëdhënie “të drejtpërdrejtë dhe të privilegjuar”. Në Québec-City ai do të takohet me kryeministrin e provincës François Legault, kryetaren e Asamblesë Kombëtare Natalie Roy si dhe do të mbajë një fjalim para deputetëve. Attal dhe Legault do të kryesojnë gjithashtu Edicionin e 21-të të Takimeve të Alternuara mes kryeministrave të Francës dhe Québec (RAMP). Kujtojmë që edicioni i fundit i këtyre takimeve është zhvilluar në mars 2018 në Francë, ku pat marrë pjesë kryeministri liberal Philippe Couillard. Edicioni i mëpasëm u shty tri herë, për shkak të pandemisë COVID-19 dhe zgjedhjeve legjislative në Francë.

Nesër në mëngjes (12.04), kryeministri Gabriel Attal do të vizitojë një shkollë në Québec si do dhe të marrë pjesë në një seancë pune të RAPM, që do mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Legault. Pas një vizite në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Québec, Gabriel Attal do të shkojë në Montréal, ku do të jetë i pranishëm në një tryezë të rrumbullakët ekonomike të nivelit të lartë të kryeministrave të Québec dhe Francës. Vizita e tij do të përfundojë me pjesëmarrjen në një aktivitet të organizuar nga Dhoma e Tregtisë e Montréal-it Metropolitan, që do fokusohet në partneritetin Francë-Québec.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe La Presse

Foto: The Canadian Press/Justin Tang; Getty Images/Julien De Rosa