Kanada

Kryeministri kanadez Trudeau dhe kryeministrja italiane Meloni takohen në Toronto

  • Published in Kanada

Ashtu siç kishte njoftuar qysh më 19 shkurt kabineti i kryeministrit Justin Trudeau, sot (02.03) në Toronto kreu i qeverisë kanadeze është takuar me kryeministren italiane Giorgia Meloni e cila po kryen një tur vizitash në vendet e grupit G7, grup i cili këtë vit drejtohet nga Italia. Vizita e sotme ishte e para vizitë zyrtare në Kanada për kreun e qeverisë italiane qysh nga marrja e këtij posti. Para mbërritjes në Kanada, Giorgia Meloni është takuar dje (01.03) në Washington në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA Joe Biden.

Gjatë takimit të sotëm në Toronto diskutimi mes dy kryeministrave të Kanadasë dhe Italisë u fokusua kryesisht në mbështetjen ndaj Ukrainës dhe përpjekjet diplomatike në përgjigje të krizës në Lindjen e Mesme. Gjithashtu Trudeau dhe Meloni biseduan edhe për samitin e ardhshëm të G7 që do të zhvillohet në Itali (Fasano-Apulia) nga 13 deri më 15 qershorin e ardhshëm si dhe për forcimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.

Pas takimit u publikua dhe një deklaratë zyrtare në të cilën ndër të tjera thuhej: “Ne u takuam sot në Toronto, Ontario, për të riafirmuar miqësinë dhe vlerat që bashkojnë Kanadanë dhe Italinë, për të diskutuar mbi interesat tona të përbashkëta… Kanadaja dhe Italia kanë marrëdhënie të afërta tregtare dhe investuese. Ekonomitë tona janë plotësuese dhe përfitojnë nga fuqia e bizneseve të vogla dhe të mesme. Italia është partneri i dytë më i madh tregtar i Kanadasë në Bashkimin Evropian… Ramë dakord të forcojmë më tej lidhjet tona politike, ekonomike dhe strategjike dhe të forcojmë marrëdhëniet tona tashmë të shkëlqyera dypalëshe, duke u angazhuar për krijimin e Udhërrëfyesit Kanada-Itali për bashkëpunim të zgjeruar. Ky udhërrëfyes do të parashtrojë plane ambicioze dhe konkrete që do të udhëheqin bashkëpunimin tonë gjatë tre deri pesë vitet e ardhshme për dosjet prioritare… Diskutuam gjithashtu prioritetet e Presidencës italiane të G7 dhe angazhimin tonë për të adresuar sfidat urgjente globale dhe për të avancuar objektivat tona të përbashkëta…”.

Fakte për t’u nënvizuar

-Kanadaja dhe Italia ndajnë pikëpamje të ngjashme për çështjet kryesore rajonale dhe globale dhe bashkëpunojnë ngushtë së bashku në kuadër të një numri institucionesh shumëpalëshe, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, G7, G20 dhe NATO.

-Në Kanada, rreth 1.6 milionë kanadezë kanë deklaruar se janë me origjinë italiane në censin e vitit 2021, çka do të thotë se Kanadaja ka në territorin e saj një nga diasporat më të mëdha italiane në botë.

-Në vitin 2023, tregtia dypalëshe e mallrave midis Kanadasë dhe Italisë arriti në 15.6 miliardë dollarë, duke e bërë Italinë partnerin e 8-të të tregtisë globale për Kanadanë dhe partnerin e dytë më të madh tregtar brenda Bashkimit Evropian.

-Pas Italisë këtë vit, për vitin 2025 presidenca e G7 do t’i takojë Kanadasë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Zyra e Kryeministrit të Kanadasë

Foto: Cole Burston/The Canadian Press