Andej-Këtej

Pse digjet Evropa nga evropianët dhe rrënjët e luftës mes Perëndimit e Lindjes - Nga Burim Bardhari

Perandorë romakë me prejardhje ilire nga krahu perandorak romak Lindor, “Poinsi”, po ashtu i njohur si Bizanti ose Vizanti, janë edhe bashkëvendasit tanë perandorakë, dajë e nip, Anastasi I i Durrësit (Durrahiumit) dhe Justiniani I i Dardanisë (ndoshta në Maqedoninë e Veriut të sotëm sipas disa burimeve). Shih përshkrimin më poshtë rreth këtij prijësi të urtë që pasuroi Perandorinë romake por ia la në trashëgimi edhe nipin e aftë Justinianin I, i cili njihet si perandori i fundit latin me prejardhje ilire, por njëkohësisht u shqua si Rikthyesi ose Restauratori, ngase çliroi Romën e pushtuar, bashkë me Sicilinë e Dalmacinë dhe sundonte gjithë brigjet e pellgut të Mesdheut që atëbotë njihej si “Liqeni Latin”, prandaj thuhet se e kishte idhull edhe Sulltan Fatihu Mehmeti II.

Nën sundimin e tij u ngrit edhe kisha e dytë më e njohur e Krishterimit, Shën Dija (Shën Sofia) në Konstantinopojën e perandorit themeltar, Konstantinit, po ashtu me prejadhje ilire, i cili ia ndërroi fenë romakëve dhe nga tempulli romak rindërtoi kishën kryesore të Krishterimit në Jeruzalem, Kishën e Varrit të Shenjtë (anglisht The Church of the Holy Sepulchre), vendvarri (i përkoshëm) i Jezu Krishtit.

Kurrë nuk ka patur perandori Bizanti ose Vizanti (B-ja latinisht, ndërsa V-ja helenisht, si emërtimi Vardar nga Bardhar) të cilën e sajuan historianët thjesht për ta ndriçuar humbjen e ndikimit të mirëfilltë latin, të zëvendësuar përshtatshmërisht me atë helen, sepse kishte vetëm një qytezë me emrin “Bizantium” ku Perandori romak Konstantini ngriti Romën e dytë ose qytetin e tij emnak të pagëzuar si Konstantinopoja, sepse kur ushtron pushtet të plotë ndërron edhe fe edhe kryeqytet (ndoshta pak edhe kryeneç me mendësi ilire, njeriu i lirë).

Perandorët romakë për një periudhë të gjatë vinin nga Prefektura Pretoriane e Ilirikumit, sepse prej atje rekrutoheshin ushtarakët e aftë dhe prijësit e dalluar. Ndërkaq, sipas disa historianëve ndoshta ky qe shkaku kryesor se pse romakët e nënshtruan Ilirinë, por nuk e zhdukën ilirishten sepse kishin kohë të mjaftueshme, ashtu siç veproi Çezari me Galinë (Francën e sotme) që e shpartalloi dhe tmerroi tërësisht duke bërë kërdi, saqë vendasit e trashëguan gjuhën e pushtuesit ngase frengjishtja njihet si gjuhë latine (romake) edhe pse vetë frankët janë fis gjermanik (si edhe anglo-saksonët) dhe pastaj ata ngadhnjyen përfundimisht, por e mbajtën gjuhën e shtypësve. Po ashtu edhe pas tij Trajani i tërbuar rrafshoi Dacinë (dërmuesisht Rumania) dhe ata përvetësuan gjuhën e re, ndërsa ilirishtja mbijetoi dhe u “rishpik” (në botim të ri , se diçka shpiket vetëm njëherë) nga shqipja e shenjtë që ruan rrënjët nga lashtësia, ashtu siç ruan rrënjët italishtja nga vetë pararendësja pishtare latinishtja.

Historikisht vetë Evropa vuan marrëzisht si Meslindja nga grindjet fqinjore të lashta, në këtë rast mes latinëve dhe helenëve, kacafytje e cila mjerisht por tërthoras vazhdon edhe sot, lufta e pafund mes boshtit Perëndimor katolik dhe Lutheran protestant me prejardhje romake dhe boshtit Lindor me prejardhje helene greko-ortodokse dhe “pravosllave-ortodokse”.

Si pasojë, periudha e cilësuar si e Bizantit/Vizantit, që zgjati rreth njëmijë vite është rishfaqja e qelizave kancerogjene të gjeneve të vjetra që nga pushtimi i brigjeve italiane nga fqinjët përballë, për shembull përfshihet edhe luftat e Pirros që ishte epirot dhe pastaj dëbimi i tyre dhe  ogurzisht e anasjelltas nënshtrimi i helenëve nga vetë romakët në vitin 146 p.e.s. ndonëse para 22 vitesh kishte rënë edhe Iliria në vitin 168 p.e.s. por edhe pushtimi romak ose rrëmbimi i Egjiptit të lashtë nga duart e helenëve në vitin 31 p.e.s., pra i mposhtën gjithandej dhe jo kot një klerik i madh pohoi se “më mirë fezi i kuq i turkut se sa kapela italiane”, helmi që ushqen urrejtjen ndaj Perëndimit.

Shkëndija që rindezi grindjet ose arsyetimi i përshtatshëm për Perëndimin ishte kurorëzimi i perandoreshës Irena Athiniane në vitin 797, kurorëzim të cilin Papa i atëbotshëm Leoni III (Luani III) e shfrytëzoi si rastin më të qëlluar se femra nuk mund të njihet si perandoreshë ose kreu kishtar dhe vetëtimthi e kurorëzoi Karlin e Madh, Charlemagne, si perandor romak në vitin 800.

Që atëherë, Perandoria romake nuk ishte më romake sepse sundimi kaloi në duar të fiseve gjermanike, pasiqë Karli ishte me prejardhje gjermane, ndërsa më vonë në vitin 962, perandor romak dhe atë i shenjtë u emërua gjermani Oto i Madh I, edhe pse nuk ishte as romak dhe as i shenjtë, ndërsa gjermanët e shënojnë këtë datë si Perandoria e tyre e parë, ose Rajhu i pare, që zgjati për rreth njëmijë vite deri në vitin 1806, pasiqë ndërhyri perandori frëng Napoleoni. Mirëpo Rajhu i dytë rinisi prapë në vitin 1878, pasi u bashkuan shtetet gjermane, por prinin austriakët derisa ra edhe Austro-Hungaria si perandori pas Luftës së Parë Botërore në vitin 1918 dhe mori me vete edhe perandorinë ruse cariste të dinastisë Romanov si edhe perandoritë e Britanisë dhe Osmanllinjve.

Rajhu i tretë me prijësin e çmendur nuk pati sukses dhe uroj të mos nisë Rajhu i katërt përveçse me ekonomi, përndryshe herën e katërt do ta rrafshojnë e copëtojnë përgjithmonë Gjermaninë dhe ndoshta prandaj gjermanëve u erdhën mendtë dhe urtësisht ringjallën konceptin e Perandorisë romake nëpërmjet Bashkësisë Evropiane, sepse ishte edhe dëshira e aleatëve sidomos franko-rusë, që të përmbahej Gjermania brenda kornizave më të mëdha se ajo, mirëpo grindja vazhdon brenda gardhit të Perëndimit mes “trevllaznisë gjermanike”, gjermanëve, francezëve dhe anglo-saksonëve, të cilët edhe pse janë fise gjermanike (p.sh. sundimi evropjan i dinastisë Hanover), nuk pajtohen me ndarjen e petës evropiane, ndërsa njëkohësisht vlon edhe grindja anësore mes Perëndimit dhe Lindjes, sepse pas rënies së Konstantinopojës flamuri Lindor dalëngadalë ra në dorën e Rusisë si fuqi imperialiste.

Mjerisht se Rusia vuan edhe nga sindroma “sovjetike” dhe zilisht nuk bindet se pa ekonomi të qëndrueshme nuk kishte as Bashkim Sovjetik të vërtetë por artificial dhe nuk i bashkangjitet Bashkësisë Evropjane sepse gjendet në Evropë, por vazhdimisht synon ta pushtojë atë si Turqia neo-otomane ose e kushtëzojnë Evropën për baraza, por pa ndikuar barazisht me ekonomi, sepse Rusët ndonëse janë popull gjenial, ende nuk dinë të ndërtojnë ekonomi të superfuqishme që të mos ikin sllavët prej tyre por synojnë të përfitojnë nga përçarja e Perëndimit, madje vuajnë nga mendësia ose strategjia e “dy zogjve të qëlluar me një gur”, ngase nëpërmjet armatimit Rusia nxjerr përfitime nga vegjëlitë si Siria, por edhe siguron kufijtë e hallakatur që nesër mund të gëlltiten nga kuçedra e kuqe kineze, apo nga shkëputja e fiseve turkike nëse Turqia përqëndron vëmendjen atje dhe jo te Ballkani i shterur pa burime pasurimi vetëm e vetëm të lëvdohet se e ka shkelur Evropën në bisht.

Shqiptarët janë djegur e përvëluar nëpër periudha të ndryshme dhe nga perandoritë, por përvoja duhet t’i bëjë më të fortë dhe nuk duhet të vuajnë nga kompleksi i inferioritetit ose vlerës së ulët dhe vetëposhtërimit, duke e zëvendësuar atë me kompleksin e superioritetit të dikuj tjetër, sepse arsyetohet dështimi dhe si të tjetërsuar i shërbejnë pushtuesit të huaj që i shpronëson duke i shkombëtarizuar, njëlloj si mendësia e viktimës nga sindroma e Stokholmit, që hutimthi ose ndoshta vetëshërbimthi synon përfitimin nga vartësia nën zgjedhën e dikujt tjetër në vend se të lulëzojë vetëm dhe i pavarur.

© Burim Bardhari

The Ethnic Origins of the Byzantine Emperors - The Byzantium Blogger (byzantium-blogger.blog)