Andej-Këtej

Shoqja e bankës - Nga Bamir Bebeziqi

Në klasën e pestë të vitit të largët 1972, mësuesja e Matematikës më uli në bankë me një vajzë, e meqë kishim shumë orë Matematikë në javë, më binte që të ndaja bankën me të, pjesën më të madhe të ditës.

Ajo nuk ishte si vajzat e tjera të klasës, ishte shumë e heshtur, kokëulur e më bënte përshtypje se vinte në klasë pa bërë detyrat, nuk mësonte e nëpër provime merrte veç nota pakaluese. Mungonte shpesh, e kur vinte, nuk shfaqte asnjë lloj interesimi, mendjen nuk e kishte në mësim e me mua fliste shumë rrallë.

Kur fillova klasën e gjashtë nuk e pashë më midis nesh. Mora vesh se kishte mbetur në klasë.

Nuk e pashë edhe shumë vite më pas. Kisha dëgjuar se diçka nuk shkonte mirë në familjen e saj. Ishin shumë fëmijë, i ati pinte dhe ishte abuziv me të ëmën, e cila pas shumë vuajtjesh, kishte vendosur të divorcohej e më pas i rriti fëmijët e vetme. Kur ishim në klasë të pestë, ishte kulmi i krizës në familje.

Kaluan shume vite. Aty nga vera e vitit 1989, shkova një ditë të blija akullore me dy shokë tek një dyqan akulloreje prane stacionit të Hekurudhës në plazh.

Hymë në dyqan e menjëherë më kapi vështrimi një fytyrë të njohur. Ishte ajo, ishte shoqja ime e bankës, e cila po shiste akullore. Mbeta ngushtë e mendova të bëj të panjohurin. Ajo më dha një shikim të çuditshëm, shumë miqësor e më drejtohet:

- Ermir, s’po më njeh?

U skuqa deri tek veshët kur më foli në emër. Në përfytyrimin tim, kisha akoma atë vajzën e klasës së pestë.

- Jam shoqja jote e bankës, - më thotë.

Nga mënyra e çlirtë e të folurit, kuptova se vajza kishte ndryshuar, nuk ishte më ajo e ndrojtura e asaj kohe.

Filluam të flasim, por si të rritur tashmë.

- Ermir, kam kaluar vështirësi të mëdha në jetë, por kam luftuar shumë. Mos kujto se i harroj ato dhjetat e tua, që ti merrje në Matematikë. Fillova edhe une të mësoj fort, përfundova shkollën e mesme të mbrëmjes, me rezultate të larta, ndonëse pak e madhe në moshë dhe tani jam studente në vitin e fundit në degën Matematikë-Fizikë, në Universitetin e Shkodrës. Punoj gjatë verës, për të fituar diçka që të ndihmoj veten e mos t’i bëhem barrë mamit në shtepi.

U gëzova me gjithë shpirt për arritjen e shoqes sime të bankës e nga fytyra akoma nuk po më hiqej zjarrmia. Ajo sapo më kishte dhënë një leksion të mirë jete.

© Bamir Bebeziqi