Andej-Këtej

Një ditë me diell në Hora e Arbëreshëvet - Nga Enver Robelli

 Enver Robelli - Zvicër

“Italia pa Siçilinë nuk lë asnjë imazh në shpirt: këtu është çelësi i çdo gjëje”, shkruante Johann Wolfgang von Goethe më 1787. Këto fjalë të gjermanit të famshëm mund të verifikohen në qytezën Hora e Arbëreshëvet

1.

Në ishullin e madh të Siçilisë gjendet një ishull i vogël, i ngjitur për mali si margaritar që pret të zbulohet nga vizitorët: duket pothuaj si Kruja dhe është Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), rreth 30 kilometra larg metropolit sicilian, Palermos. E diela ishte një ditë me diell në këtë qytezë, ndërsa arbëreshët kremtonin Pashkët. Zëra të gëzuar njerëzish, shushurima e flladit pranveror, tingujt e kambanave të kishave, takimet me plot mall mes vendasve dhe të ardhurve, rrugicat e mbushura me gra, vajza, djem, burra e fëmijë arbëreshë të veshur me veshje tradicionale, të punuara me shumë shije, të ruajtura me shekuj, të kultivuara e praruara në fije ari - të gjitha këto e zbukuronin Horën e Arbëreshëvet me një tis kulture, zakonesh, thesaresh e dokesh. Mbi të gjitha jehonin fjalët e vendasve: “Mirë se keni ardhë”. Një ishull i kundërthënieve të bukura. Mes të kaluarës dhe modernitetit, krenarisë dhe ardhmërisë. Një ishull mitesh, pasionesh e legjendash. Një trevë ku ka hedhur themelet Greqia antike dhe ku gjermanët e famshëm si Johann Wolfhgang von Goethe dhe Richard Wagner kanë zbuluar një botë të cilën ata e idealizonin orë e çast. Në udhëtimin e tij në Siçili më 1787 Goethe shkroi: “Italia pa Siçilinë nuk lë asnjë imazh në shpirt: këtu është çelësi i çdo gjëje”.

2.

Irfani na u afrua jo duke u imponuar, por me dashamirësi të natyrshme. Shprehu gëzim të sinqertë që po takonte shqiptarë të tjerë në sheshin e Horës së Arbëreshëvet, kureshtja e tij nuk ishte e mërzitshme. Irfani tregoi se është me origjinë nga rrethina e Tetovës, në kohëra të largëta kishte studiuar gjuhë e letërsi shqipe në Shkup, mandej, si mijëra e mijëra shqiptarë, kishte marrë udhën e mërgimit. Me vete kishte marrë edhe mallin për letërsinë shqipe, gjuhën, traditat, dëshirën për të zgjeruar horizontin e dijeve.

“Jetoj në Tirolin Jugor”, tha Irfani. Tiroli Jugor, një krahinë gjermanishtfolëse, gjendet në veri të Italisë. Nga atje lart, gati tek Alpet e Zvicrës, Irfani dhe disa miq të tij, shqiptarë nga Durrësi e Kavaja, fluturuan me avion në Palermo dhe pastaj vazhduan rrugën te Hora e Arbëreshëvet, qyteza më e njohur e komunitetit arbëresh të Siçilisë. Nën diellin siçilian Irfani dëftoi se jep mësim plotësues në gjuhën shqipe për nxënës shqiptarë në Tirolin Jugor. Pashmangshëm ra llafi edhe për kodrat e bukura të Tirolit dhe Irfani me entuziazëm të pafrenueshëm tregoi se e ka pasion ngjitjen në male, bjeshkatarinë. Kështu është jeta: vjen nga Alpet e Zvicrës në Siçili, takon Irfanin dhe mëson shumë gjëra interesante për Tirolin dhe Tetovën.

3.

Secili shesh serioz ka një bar serioz me një banakier që ka humor. Në sheshin e Horës së Arbëreshëvet ai që e sillte me një gisht krejt barin ishte Nikolo (më duket ashtu quhej). Nëse s’quhej Nikolo, atëherë mund të ketë pasur emrin Giuseppe si çdo i dyti (apo i treti) në këto vise.

“Doni ujë me miza?”, pyeti Nikolo, i cili mund të ketë qenë Giuseppe ose Riccardo apo Francesco, s’luan rol. “Ujë me miza?” Nikolo, burrë i mençur, e vërejti habinë në fytyrat tona, mjaftuan pak sekonda dhe e kuptuam se ujë me miza është ujë me gaz, ujë pa miza është ujë pa gaz. Qeshi Nikolo dhe tha: “Doni ujë Tepelene?” Ndërsa restorantet më periferike në Shqipëri e Kosovë shërbejnë ujë San Pellegrino (nga veriu i Italisë), Nikolo me të vërtetë u shiste klientëve ujë Tepelene. Në ditën e diel, në festën e Pashkëve, kur çdo gjë gjallërohet në Piana degli Albanesi, kur rrugicat flasin dhe njerëzit heshtin (për pak çaste).

4.

Ka shumë histori në Piana degli Albanesi. Për shembull kjo: më 1 maj 1947 afër kësaj qyteze, te vendi i quajtur Portella della Ginestra, banditët e Salvatore Giulianos, njëfarë Robin Hoodi siçilian, vranë disa socialistë dhe komunistë, të cilët po festonin fitoren në zgjedhjet rajonale dhe, natyrisht, edhe 1 Majin, ditën e punëtorëve. Pas Luftës së Dytë Botërore në Siçili ekzistonte një lëvizje separatiste, e cila kërkonte bashkimin e Siçilisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryengritësi Salvatore Giuliano synonte që Siçilia të bëhej shteti i 49-të i Amerikës. Lidhjet mes Amerikës dhe Siçilisë janë të ngushta. Mijëra amerikanë me origjinë nga Siçilia vizitojnë çdo vit ishullin italian. Regjisori i famshëm Martin Scorsese ka thënë se për filmin e tij “Taxi Driver” (1976) e ka shikuar me kujdes filmin “Salvatore Giuliano” të regjisorit italian Francesco Rosi. Ka aq shumë, aq shumë histori nga Siçilia, saqë një kolumnë si kjo mbetet vetëm një fusnotë. Këtu ka material për së paku një libër. Ose dy. Shkrimtari skocez Gavin Maxwell ka shkruar se Maria Lombardo, e ëma e Salvatore Giulianos, erdhi më 1922 “me dinamit në trup” nga New Yorku në fshatin siçilian të lindjes Montelepre dhe aty e lindi Salvatore Giuliano-n. Kur Salvatore ishte fëmijë, ai vriste lepuj dhe zogj. Më vonë vrau njerëz. Më 5 korrik 1950 doli lajmi se Salvatore Giuliano është vrarë. Kufoma e tij u shtri në një pllakë mermeri në komunën siciliane Castelvetrano - “si një peshk ton i përgjakur pas peshkimit”. Këso fjalësh mund të formulonte vetëm shkrimtari italian Alberto Moravia.

© Enver Robelli - KOHA