Trashëgimi

In Memoriam Mid’hat Abdyl Frashëri

Plot 72 vjet më parë u nda papritur nga jeta në moshën 69 vjeçare, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mendimtari, shkrimtari, diplomati dhe patrioti zemërzjarrtë i derës së madhe të Frashërllinjve Mid’hat Abdyl Frashëri. Protagonisti i ngjarjeve më kulmore të historisë sonë në gjysmën e parë të shekullit të 20, duke filluar nga Kongresi i Manastirit (ose i njohur ndryshe si Kongresi i Alfabetit), ku Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetar në moshën 28 vjeçare, deri tek përpjekjet për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, në 1949, kur Mid’hat Frashëri në bashkepunim me Aleatët aglo-amerikanë themeloi në Francë më 26 Gusht 1949 Komitetin “Shqipëria e Lirë”, qeverinë shqiptare në emigracion, ai nuk u ndal kurrë së punuari për Shqipërinë. Firmëtari i Pavarësisë, në Vlorë në 1912, do t’a gjente veten në rrebeshet e historisë, ashtu i paepur, duke mbrojtuar Çamërinë që pikonte gjak dhe Kosovën martire. Beteja e tij e fundit, ajo ndaj komunistëve, u provua të ishte më tragjikja, megjithatë.

Komiteti “Shqipëria e Lirë” synonte demokratizimin e Shqipërisë sipas modeleve më të përparuara perëndimore. Mid’hat Frashëri, kryetari i zgjedhur i komitetit u bëri thirrje shqiptarëve nga BBC në Londër ku shpalli programin e Komitetit në 6 Shtator 1949, të shpëtonin Shqipërinë nga komunizmi. Po atë vit, “Komiteti Shqipëria e Lirë” u vendos në Nju Jork, ku nisi veprimtarinë me mbështjen e autoriteteve amerikane.

Fatkeqësisht, në kohën kur faktori antikomunist në mërgim po fuqizohej dhe po ngjallte shpresë në betejën ndaj ideologjisë vrastare staliniste, Mid’hat Frashëri vdiq paprirur më 3 Tetor 1949. Vdekja e tij mbetet e mistershme, dhe ndonëse u njoftua e shkaktuar nga një atak kardiak, mbetet e dyshimtë. Mendohet se vdekja e Mid’hat Frashërit u shkaktua nga një ndërhyrje e Sigurimit Rus, nëpërmjet agjentit Kim Philby, sipas vendimit të qeverisë shqiptare për t’a eleminuar Mid’hat Frashërin (sipas dokumentave të arkivit të Ministrisë së Brendshme). Për më tepër, në kujtimet e veta “Lufta ime e heshtur” (“My Silent War”), Kim Philby e shmang emrin e Mid’hat Frashërit. Philby thotë se komiteti u formua nën drejtimin e Hasan Dostit. Por kjo nuk është e vërtetë sepse Dosti u zgjodh kryetar i komitetit pas vdekjes së Mid’hat Frashërit. Ndaj shtrohet pyetja: A ishte e qëllimshme mospërmendja e Mid’hat Frashërit?

Vdekja e Mid’hat Frashërit ishte një humbje e madhe për lëvizjen antikomuniste në mërgim dhe për mbarë Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe më gjerë. Mid’hat Frashëri ishte padyshim figura më e madhe shqiptare e kohës, dhe sikurse vihet re nga shkrimet e personaliteve të huaja, ai ishte edhe një nga personalitetet më të spikatur të Europës asokohe. Veprimtaria e antikomunistëve vazhdoi edhe pas vdekjes së Mid’hat Frashërit, por si pasojë e shuarjes së Frashërit dhe e faktorëve dhe konjukturave ndërkombëtare, ajo lëvizje u venit, duke shuar kështu shpresat e mbarë antikomunistëve shqiptarë. Për më keq, antikomunistë si Mid’hat Frashëri u shpallën armiq dhe mbetën të anatemuar, pavarësisht kontributeve kombëtare.

Në këtë ditë të trishtë të memories sonë kolektive, ne përkulemi me respekt të thellë ndaj djalit të Abdyl Frashërit, nipit të poetit kombëtar Naimit dhe të filozofit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare Samiut. E si mund të ndodhte ndryshe kur lind në një familje të tillë?!

"Isha pesë vjeç, kur e njoha për herë të parë t'im atë, në Banderma, kur u fal prej burgut, por qe akoma i dënuar në mërgim. Im atë fliste mirë, qe elokuent, i pëlqente bisedimi. Në mërgim, edhe më tepër akoma në Stamboll, me miqtë që vinin ta vizitonin, im atë, subjektin e preferuar të kuvendimit e gjente në të rrëfyer të ngjarjeve të pasluftës ruso-turke, të kujtimeve të Lidhjes e shpresat për të pritnim. Kështu që ca nga ca, në mënyrë inkoshiente, mëmëdheu mori për mua formën e një perëndie dhe kulti i tij mori për mua vendin e një besimi fetar." (Mid’hat Frashëri, AQSH. Fondi 35, d. 11)

Burimi: Profili Facebook Mid'hat Abdyl Frashëri