Trashëgimi

25 vjetori i eksodit kosovar në Tropojë - Nga Sadri Isufi

1998-2023

Në të gjitha periudhat e historisë, Malësia e Gjakovës (Tropoja) mbetet streha më e ngrohtë për shqiptarët e Kosovës. Nga koha e hershme e dëbimeve të shqiptarëve të Kosovës, vjen kënga që shpreh mbrojtjen, strehimin dhe përkrahjen e këtyre vëllezërve nga tërbimi serbo-sllav:

“Aferim mori Malësi

Mirë i mbajte kët muhaxherri

12 vetë ma e vogla shpi

Ma e madhja njëzet e dy

Bukën n’dorë krypën përmbi

Sa ta kem po e hamë të dy…”

Historia u përsërit prap në vitet 1998-1999.

Jo vetëm gjaku e afërsia gjeografike, por është tradita e historia

“Malësia e Mirë” edhe në këto vite të vështira për Kosovën e kombin shqiptar u gjet si gjithmonë e pakursyer në ndihmën ndaj vëllezërve kosovarë duke çelur dyert e zemrat për ta.

Ajo çfarë ka ndodhur në pranverën e vitit 1998 në Tropojë është unikale dhe e paimagjinueshme. Në ato ditë të fund majit-fillim qershorit 1998, kur eksodi i të shpërngulurve me forcë nga trojet e tyre vazhdonte pandërpreje, mikpritja e tropojanëve demonstrohej mrekullisht dhe të huajt në Tropojë habiteshin me atë që po ndodhte, sepse kjo që po bënin shqiptarët për njëri-tjetrin ishte diçka e harruar dhe e pabesueshme në vende të tjera. Në një trevë tejet të varfer me një popullsi rreth 30 mijë banorë u mirëpriten e u strehuan mbi 20 mijë të ardhur nga Kosova. Gjeneratat e mëparshme e kanë përjetuar dhe janë ballafaquar me situata të tilla, por ne jo. E tërë Malësia e Gjakovës ishte në mbështetje të kauzës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

Në ato vite të vështira shqiptare 1998-1999 kam patur fatin të isha i përfshirë në ngjarjet e asaj epoke të lavdishme, pasi u ndodha në vendin dhe pozicionin që më mundësoi ta përjetoj realisht por edhe të jap kontributin tim modest së bashku me bashkëqytetarët tanë.

Të dëbuarit e parë arritën në komunën e Tropojës rreth datës 28 maj 1998 dhe fluksi i ardhjes së tyre u shumëfishua brenda 2-3 ditësh, saqë u bë i pamundur përballimi i situates vetëm në këtë zonë dhe karvanët e gjatë të fëmijëve, grave e të moshuarve u detyruan të shtonin edhe disa kilometra rrugë të mundimshme drejt qytetit Bajram Curri. Një mobilizim dhe gatishmëri e paparë e banorëve të kësaj treve, që asnjë pengesë nuk mund t’i ndalonte për ta ndarë bashkë edhe kafshatën e bukës, edhe pse të vetëdijshëm se ndoshta pas tri ditëve nuk do të kishin me çfarë të ushqenin fëmijët e tyre.

Ishte ora 8 e mëngjezit të 31 majit, kur në zyrën e Kryetarit të Bashkisë u paraqit perfaqësuesi i një grupi prej rreth 60 vetash të ardhur nga Deçani. Pasi i takuam dhe u njohëm me gjëndjen mjaft të rënduar të tyre, menjëherë i sistemuam në disa familje, pasi në ato momente nuk kishte asnjë mundesi tjetër. Duhet theksuar fakti se infrastruktura por edhe ekonomia në Tropojë ishin totalisht të rrënuara si pasojë e ngjarjeve dramatike të vitit 1997 dhe rendi e siguria publike jashtë kontrollit.

Menjëherë strukturat dhe administratat e pushtetit lokal u vunë në veprim duke ndërmarrë vendimet dhe masat e domosdoshme në kushtet e emergjencës. U ngritën grupet e sherbimit për pritjen dhe sistemimin e të ardhurve duke vazhduar fillimisht në vendosjen e tyre në disa ambiente që u pershtatën për atë qëllim si Pallati i Kulturës, Muzeu, Palestra e shkollës etj., por shumica e tyre u sistemuan në banesat e qytetarëve të Bajram Currit, të cilët të organizuar prisnin në sheshin para Bashkisë ardhjen e kosovarëve.

Grupet e pritjes, evidentimit dhe sistemimit të të ardhurve punonin pa ndërprerje ditën dhe natën. Ata bënin regjistrimin me saktësi të çdo personi e familje duke u kujdesur deri në sistemimin e tyre dhe furnizimin me artikujt më të domosdoshëm për momentet e para. Në arkivin e Bashkisë janë ruajtur me qindra faqe materiale dokumentare, që pasqyrojnë gjithë atë aktivitet intensiv si listat e personave, listat e shpërndarjes së ndihmave materiale dhe atyre monetare, të nënshkruara nga perfituesit e tyre të shoqëruara edhe me nr. e dokumentit identifikues të secilit prej tyre, të gjithë praktikën e vendimmarrjes të organeve të pushtetit lokal dhe analizat perkatëse Duke qënë se problemi ishte mjaft kompleks, veprimet e Kryetarit të Bashkisë nuk kanë qënë të veçuara dhe të ndara, por ka pasur një bashkëpunim të ngushtë midis Kryetarit të Bashkisë, Kryetarit të Rrethit, Prefektit dhe të emëruarit nga qeveria si i Plotfuqishëm për situatën emergjente.

Fakti që ne drejtuesit e pushtetit lokal ishim përfaqësues të një force politike opozitare me qeverinë, nuk na ka penguar dhe kemi mbajtur një qendrim mjaft pozitiv, duke mos shfaqur qëndrime partiake aspak dhe në të gjitha diskutimet dhe debatet asnjëherë nuk është vënë në diskutim ana politike partiake. Gjithçka është vënë në funksion të zgjidhjes së problemeve. Dua të shtoj edhe diçka tjetër. Pavarësisht punës së gjithë organeve kompetente që kanë qenë këtu, merita kryesore i ngelet popullit të Malësiësë së Gjakovës.

Pa angazhimin e tij ishte e pamundur që t'i jepej drejtim situatës. Një meritë e veçantë dhe rast unik në raste të tilla është se nuk pati asnjë çadër të vetme të ngritur për strehimin e të dëbuarve, mbi 20 mijë veta u stehuan në shtëpitë e qytetarëve dhe institucionet e Bashkisë.

Nuk mund të anashkalohet fakti se ndryshe nga bashkëpunimi i ngushtë që kishim me stafin e dërguar nga Qeveria në Tropojë, mbështetja financiare, logjistike etj., ishin minimale sidomos në periudhën qershor-korrik 1998, atëherë kur nevojat ishin maksimale për shkak të fluksit në rritje të të ardhurve. I pajustifikueshëm por më shumë keqdashës ishte qendrimi i gjithë strukturave të larta shtetërore në lidhje me situatën e rendit, ku policia ishte inekzistente dhe gjithçka u la në dorën e bandave të armatosura. Qëndrimi më neglizhent, përçmues, jashtë çdo logjike dhe tërësisht i pazbatueshëm ishte një VKM i korrikut 1998, që urdhëronte lëvizjen dhe spostimin e gjithë kosovarëve nga qyteti Bajram Curri për në ambientet e ish-Burgut të Burrelit, vendim që nuk u pranua as nga të ardhurit dhe as nga autoritet lokale. VKM-ja shërbeu vetëm si objekt humori por edhe zemërimi nga të gjithë ata që u njohën me të.

Një rol tepër të rëndësishem në pasqyrimin real dhe në kohë rekord të situatës por edhe në sensibilizimin e opinionit dhe organizmazve të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare, patën mediat e shumta duke filluar nga ato më prestigjiozet si Zëri i Amerikës, Deutche Welle, Reuter, EuroNews, RAI, BBC, CNN etj., si dhe ato vendase, në veçanti mediat lokale si Tv B. Curri dhe Radio Kukësi, Radio Nacional, roli i të cilave ishte i jashtëzakonshëm. Gazetarët e tyre gjëndeshin gjithnjë në terren që nga kufiri, në rrugëtimin e të dëbuarve dhe deri në shtëpitë dhe ambientet ku ata ishin strehuar. Pasqyrimi real i situatës orë pas ore, intervistat dhe reportazhet e transmetuara prej tyre paten një ndikim shumë të madh dhe ishin një ndihmë e çmuar për familjet kosovare, por edhe për organet e pushtetit lokal në evidentimin dhe marrjen në kohë të vendimeve për stabilizimin e situatave që ndryshonin çast pas çasti. Përveç kontributit të padiskutueshëm të momentit, ato mund të shërbejnë si një arkivë me vlera të çmuara për kujtesën dhe evidentimin e saktë të atyre ngjarjeve madhore e të papërsëritëshme për tu shfrytëzuar në çdo kohë nga studiuesit, historianët, organet shtetërore etj.

Për këtë epokë të lavdishme, jam pronocuar vazhdimisht që nga qershori 1998 e deri sot dhe personalisht do vazhdoj ta bëj përsëri që historia te mos harrohet, që ata që kanë detyrime të zgjohen se mjaft kanë heshtur.

Këtu kam parasysh në radhe të parë ato organe të qeverisjes vendore dhe qendrore, të cilat kanë të drejtën por edhe detyrimin e vendimmarrjes në Shqipëri e Kosovë, të cilat për fatin e keq kanë lënë krejtësht në hije, në harresë e mosmirënjohje totale për Malësinë e Gjakovës. Vlerësimi i tyre ka qënë pothuajse në nivelin zero, ndërkohë që kanë akorduar me shumicë deri në teprim dekorata, medalje, tituj, mirënjohje për ngjarje apo persona me apo pa merita. Nga informacioni që unë disponoj më rezulton se asnjë individ, organizëm apo komunitet nuk ka marrë ndonjë vlerësim zyrtar as nga Këshilli i Bashkisë, Qarkut, Qeveria apo Presidenca.

Shpreh keqardhje sidomos për mosimpenjim serioz të gazetarëve apo botuesve tropojanë në mediat e portalet e shumta ku ata kanë akses, që fatmiresisht janë një komunitet i madh, por ata që kanë kontribuar mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Nëse në vitin 1998 kishin vështersitë objektive për të bërë pasqyrimin në kohë reale të ngjarjeve, më vonë mundësitë kanë qënë dhe janë të shumta, pasi ekzistojnë dokumenta arkivore dhe mediatike me vlera të çmuara për kujtesën dhe evidentimin e saktë të atyre ngjarjeve madhore e të papërsëritëshme për t’u shfrytëzuar në çdo kohë nga studiuesit, historianët,organet shtetërore etj.

Mediat e Kosovës, me aq sa mund ti ndjekim as që e kanë patur në prioritetin e tyre qoftë edhe minimal trajtimin e kësaj teme duke shprehur haptazi mungesë respekti dhe mosmirënjohje.

Një përjashtim, shumë pozitiv, përbën takimi i veçantë dhe i paharruar me Presidentin Rugova. Në pritjen që na rezervoi në zyrën e tij, pas çlirimit të Kosovës, ai shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen maksimale për gjithë shqiptarët dhe sidomos për Malësinë e Gjakovës

Unë gjithmonë do të flas për vlerat e familjeve tropojane që priten dhe strehuan nëpër shtepitë e tyre mbi 20 mijë shqiptarë të Kosovës të dëbuar nga dhuna e verbër serbe, fëmijë, gra, të moshuar të rajonit të Deçanit, Junikut, Pejës, Gjakovës, Drenicës, që i dhanë botës dhe gjithë njerëzimit një leksion të jashtëzakonshëm se çfarë e si është mikpritja si institucion, çfarë është mikpritja shqiptare, një virtyt i rrallë dhe jo aq në modë në vende të tjera të botës sa në Tropojë, në Shqipëri.

Përherë do të flas me nderim të veçantë për misionarët e huaj që shërbyen në Tropojë, për drejtuesit e organizatave të huaja, për anglezin e OSBE Bill Foxton, Rupert Neudeck të Kap Anamurit, për Sally Becker, engjëllin e Mostarit, sepse ajo ia lartësoi emrin Tropojës e shqiptarëve dhe diti ta bëjë qartë dallimin e madh mes agresorit dhe viktimës, për Mus Rexhën, përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, makinën e të cilit e bënë shoshë me plumba, për ndihmat e para që kanë mbërritë në Tropojë nga Radio Kontakti me Agron Balën e bashkëpunëtorët e tij. Një falënderim të veçantë për grupin e deputetëve të kryesuar nga të ndjerët Azem Hajdari e Pjeter Arbnori, që na u gjenden pranë në ato ditë tepër të vështira; për gjithë përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe të strukturave ushtarake në Tropojë si dhe për shumë organizma ndërkombetare, shoqata humanitare apo biznesmenë vendas, ndihmat e të cilëve ishin vendimtare në atë situatë të jashtëzakonshme.

E nëse flitet për individë tropojanë që meritojnë nderim e mirënjohje të pakufishme, të cilët kanë përballuar shumë më tepër se sa mundësitë e tyre në ato kohë, ata janë aq shumë sa do të duhej të përmend një listë të gjatë, e cila është e njohur dhe e respektuar nga të gjithë dhe nuk e konsideroj të nevojshme ta përseris, por ndër të parët që më vijnë në mendje janë:

Drejtuesit, këshilltarët dhe gjithë stafet e pushtetit lokal, Prefekti i Kukësit, Qemal Elezi, i Plotfuqishmi i Qeverisë, Taulant Dedja, Komandanti i Brigadës, Zenel Kuçana, oficerët si Rakip Sadiku e shumë të tjerë, gjithë punonjësit administrativë shqiptarë si dhe misionarët e huaj e stafet e organizmave ndërkombëtarë që shërbyen në Tropojë, të cilët kanë përballuar shumë më shumë se sa mundej një individ apo organizatë në ato kohë e atë vend.

Do të kujtoj me respektin maksimal dhe të falënderoj, kontributin e çmuar, me vlera të jashtëzakonshme të njerëzve të medias vendase dhe ndërkombëtare, që pasqyruan me një profesionalizëm e përkushtim ekselent madhështinë e shpirtit njerëzor të tropojanëve, që u shfaq me të gjitha përmasat e saj, me gjithë epizmin e saj. Do të kujtohet ndër vite, kontributi i jashtezakonshem i njerëzve të medias si Ismail Buçpapaj, Asllan Osmani, Rexhep Shahu, Flamur Buçpapaj, Izet Duraku, Jonuz Hallaçi, Agron Bala, Sokol Olldashi, Pellumb Sulaj etj.

Shpreh një falënderim për Zotin Besnik Dushaj, ish-Kryetar i Bashkisë Tropojë, për manifestimin e organizuar në qershorin e 2018 me rastin e 20 vjetorit të eksodit. Kishte vite që e prisnim dhe e kërkonim një takim si ky për të ngritur dhe përjetësuar vlerat kombëtare dhe humane të Tropojës në kohën kur Kosova kishte nevojë, asaj ju gjeten motrat dhe vëllezerit e saj per tu bërë një. Le të shërbejë ky takim si një nismë për rivlerësimin serioz të ngjarjeve madhore, të kontributit historik të Malësisë së Gjakovës.

Në vijim të këtij shkrimi do të citoj edhe përcaktimin që ka bërë në media njëri nga gazetarët më të angazhuar në atë kohë por edhe në ditët e sotme, për ngjarjet, tropojanët e Malësine e Gjakovës, Rexhep Shahu: “Asnjë vogëlsi nuk gjendej as shihej atë fillim qershori 1998 në Tropojë. Madhështia e bujaria tropojane ishin sa malet. Ato ditë në Tropojë nuk kishte njeri “të madh”, zyrtar të madh, autoritet të madh, askush nuk binte dot në sy sepse i madh ishte individi i thjeshtë, ai që mikpriste e ai që vinte i dëbuar nga dhuna serbe. Në Tropojë nuk kishte dot “të madh” sepse ishin të gjithë të mëdhenj me atë që bënin e si e bënin aq thjeshtë e aq natyrshëm. Natyrisht që vendasit dinin të nderonin të huajt e mëdhenj që mbërrinin aty nga shtete të mëdha të botës”.

Ne u vumë në sprovë dhe sfiduam edhe më skeptikët e kohës

Në 1998 Tropoja i riktheu Shqipërisë imazhin e dëmtuar padrejtësisht vite e dekada të shkuara. Bota u mrekullua me atë çfarë bëmë në ato ditë të vështira për shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Përfaqësuesit më të lartë të shteteve e organizmave më të rëndësishme si dhe mediave nderkomëtare më të ndjekura, folën me zë e figurë për sakrificën dhe angazhimin e paepur të popullit të Tropojës.

Kemi pasur rastin por dhe privilegjin të takojmë përsonalitetet më të larta që kanë vepruar atëherë në botë. Duke përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Klaus Kinkel, Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hikmet Çetin,  zyrtarë të lartë të OKB, BE,Shefin e OSBE Dan Everts, Shefin e UNHCR Daniel Endres dhe shumë përsonalitete të tjera të larta, të cilët vlerësonin me superlativa kontributin e popullit të Malësisë së Gjakovës, përfaqësuesve të tyre dhe administratave përkatëse për menaxhimin me sukses të situatës së jashtëzakonëshme.

Për këtë, jo vetem ne, por të gjithë shqiptarët në mbarë botën, duhet të ndjehen krenarë me tropojanët dhe ata meritojnë plotësisht të vihen në piedestalin e mirënjohjes së popullit shqiptar. Ne duhet t’i njohim dhe të mos i harrojmë kurrë këto vlera.

Prandaj detyra jonë e madhe dhe përgjegjësia qytetare është: të mos harrojmë! Nuk mund të mos risjell në kujtesë këtë periudhë jo shumë të largët, por fatkeqësisht të lënë jashtë vemëndjes për të mos thënë të injoruar për 25 vjet nga politika por edhe nga qeverisjet qëndrore dhe lokale në unison të plotë edhe me homologët e tyre në Kosovë.

E ritheksoj këtë sot por e kam perseritur vazhdimisht se: Humanizmi dhe sakrifica e familjeve tropojane, janë akoma të pavleresuara si e sa duhet nga shoqëria, mediat si dhe organet shteterore e lokale në Shqipëri e Kosovë.

Janë bërë vazhdimisht vlerësime e përkujtime selektive për atë që gjithë shqiptarët përballuan denjësisht në vitin 1999 (për tropojanët ishte viti i dytë rradhaz), por të neglizhohet, harrohet e injorohet plotësisht viti i veçantë1998, tropojanët e Malësia e Gjakovës më duket jo vetëm një mosmirënjohje e çuditshme por edhe cinike, dashakeqe etj.

Mjafton të sjell në kujtesë një ngjarje të qershorit 2019, kur pas 21 vitesh në ceremoninë e organizuar në qytetin e Kukësit, u shpall lista e personave që Presidenti Thaçi kishte dekoruar për kontributin e dhënë nga punonjës dhe funksionarë të pushtetit lokal, Prefekturës, Qeverisë, ushtarakë, media etj. Në momentin që pritej dorëzimi i tyre personave përkatës (me keqardhje kujtoj se nga rreth 30 veta, vetëm 2 ishin nga Tropoja), Përfaqësuesi i Presidentit prezent në ceremoni, deklaroi se Presidenti dëshiron të dorëzojë personalisht dekoratat dhe në pamundësi për të arritur në kohë, shtyhet për një ditë tjetër rreth 10 ditore.

Në fakt Thaçi e mbajti fjalën për afatin, por çvlerësoi vendimin e tij të shpallur publikisht në Kukës dhe udhëtoi në Tiranë me një listë krejt të re, ku nuk kishte vend për asnjërin nga përfaqësuesit e pushtetit lokal të Qarkut, Prefekturës apo gazetarë etj. U dekoruan me të njëjtin motivacion rreth 40 veta,të gjithë funksionarë të lartë, politikanë, ushtarakë, akademikë etj., që shumë pak ose aspak kishin ndonjë kontribut apo lidhje me motivin e dekorimit.

Malësia e Gjakovës është krenare për mbështetjen që i dha luftës për çlirimin e Kosovës.Tropojanët ishin në vijën e parë të luftimeve. Ata kanë kontribut të çmuar në betejat legjendare të Koshares, me kollosët e qëndresës Agim Ramadani dhe Sali Çekaj etj., dhe shembjen e piramidave të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.Disa ranë deshmorë në fushë të betejës dhe shumë të tjerë u plagosën.

I ftoj të gjithë ata individë politikanë ose jo, organe apo forume e shoqata që kanë mundësi vendimmarrje ose propozimesh ndaj instancave më të larta apo akses në mediat e portalet e ndryshme, që të ndërmarrin nismën dhe të punojnë me seriozitet e përkushtim deri në një konkretizim të suksesshëm të pasqyrimit dhe vlerësimit real dhe të merituar,të kontributit historik të Malësisë së  Gjakovës.

Mirënjohja është e tëra për qytetarët tropojanë, për Malësinë e Gjakovës, që edhe pse pa ndonjë vendim apo dekret, realisht janë “NDERI I KOMBIT”.

© Sadri Isufi, Ish-Kryetar i Bashkisë Bajram Curri (1996-2000)

31 maj 2023