Fëmijët

Dueli kozmik-Kreu 11

  • Published in Fëmijët

Kreu 11 - Dueli kozmik

Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të kuq”

nga Bedri Dedja

Kur u dha alarmi i parë, anija kozmike “X=Jupiter-2” e drejtuar nga presidenti i Planetit të Kuq dhe e mbushur me kalamaj-shkencëtarë nga Toka e Marsi, kishte përshkuar vetëm gjysmën e rrugës drejt Jupiterit, planetit të pestë të sistemit diellor.

Profesor Kriosi kishte shquar me teleskop nga ditarja e vet e vëzhgimit tre objekte në krahun e majtë të anijes. Ata ngjanin si krimba të lëvizsshëm me ngjyrë të kuqe të qymyrit të ndezur. Pasi la në poltronën e vet një shkencëtar-kalama të vëzhgonte me vëmendje tre krimbat e zjarrtë, të cilët nuk duhej t’i shpëtonin syrit të mprehtë, ai vrapoi për te pulti kryesor, nga ku presidenti drejtonte anijen dhe i raportoi për atë që kishte vërejtur. Presidenti ktheu menjëherë objektivin e teleskopit të tij nga e majta, por nuk dalloi asgjë.

Ulu këtu në poltronën time sa të shkoj e të shoh në dritaren tënde të vëzhgimit, -i tha Kriosit.

Nuk vonoi shumë dhe ai u kthye.

-Ata janë, -foli presidenti.-Duket e kanë nuhatur daljen e anijes sonë në kozmos me mjetet e tyre të përgjimit dhe kanë nisur tre bombardues për të na asgjësuar.

Presidenti e ktheu teleskopin e tij majtas, pastaj lëvizi një levë dhe anija u kthye nga ajo anë. Në ekranin e pultit të drejtimit u shfaqën menjëherë krimbat e zjarrtë, që sa vinin e zmadhoheshin.

-Ja! -i tha profesor Kriosit.-Janë drejtuar te ne!

Kaloi një çast. Kaluan dy. Presidenti afroi mikrofonin te goja:

-Vini re! Vini re! A më dëgjon gjithë ekuipazhi? Në ekran u shfaq një P e madhe me dhjetë O nga pas. Ja kështu: Poooooooooo! Presidenti vazhdoi:

-Të ndërpritet urgjentisht të folurit me zë mes anëtarëve të ekuipazhit në anije! Në rast se doni t’i thoni medoemos diçka njëri-tjetrit, përdorni të folurin pa zë me lëvizjet e gishtave, ashtu siç flasin shurdhmemecët! Zërat tanë pas pak do të nisin të regjistrohen nga aparaturat e armikut përmes valëve elektromagnetike. Në anije duhet të mbretërojë një heshtje absolute kozmike! Në ekran u dukën përsëri tre krimbat e zjarrtë, që tani kishin arritur madhësinë e gishtave të dorës së njeriut. Kaloi një cast. Kaluan dy.

-Mesazhet e mia do t’ua jap me shkrim, prandaj mos i ndani sytë nga ekranet tuaja!

Kaloi një çast. Kaluan dy. Kaluan tre.

Përsëri u dëgjua zëri i presidentit:

-Dëgjoni? Kuptoni? Tani të gjithë, bashkë me anijen, do të kthehemi në qënie të padukshme që të mos na diktojë armiku. Mos u trembni që për disa kohë nuk do ta shohim njëri-tjetrin. Duroni sa të kalojë rreziku …

Mbi kokën e vet presidenti shtypi një buton, i cili mbante mbishkrimin “Nix Hominis”

Brenda në anije ra një heshtje që të merrte frymën.

Kaloi një çast. Kaluan dy. Kaluan tre, kaluan shumë çaste…

Diku lart mbi anije u dëgjuan zhurma dhe të folura me një gjuhë të pakuptueshme; Ngap sipru telepesti!

Qetësi. U dëgjuan vetëm këto tri fjalë. Presidenti, brenda në anijen e padukshme, hapi një fjalor dygjuhësh për të marrë vesh ç’u tha. Fjalori ishte i gjuhëve njerëzisht dhe mafiozisht. Pas pak ai e kuptoi se ç’ishte thënë mbi kokat e tyre të padukshme nga agjentët e mafies kozmike: “Këtu qe anija!”

Pastaj u dëgjuan edhe këto fjalë: “Pisi pisi gje hiroptis”, që do të thoshte: “Na shpëtuan edhe kësaj rradhe”. Kaloi një çast. Kaluan dhjetë. Pastaj u dëgjua: “Sipi sipi gje ptishiro”, që sipas fjalorit që kishte në dorë presidenti do të thoshte: “Të ikim urgjent, se mos na kanë dalë prapa shpine”.

Tre krimbat e zjarrtë që dukeshin si tre gjarpërinj gjigandë e që nxirrnin flakë nga goja, tani ndodheshin nën shënjestrën e topit tonë atomik të anijes së presidentit të Planetit të Kuq. Kaloi një çast, dhe nuk e di se sa kaluan të tjerë…

Presidenti shkeli në pultin e vet të drejtimit butonin që mbante përmbi kokë mbishkrimin “Guerre”.

Topi shpërtheu dhe tre gjarpërinjtë e zjarrtë pa një, pa dy u kthyen në pluhur kozmik. Pastaj u shkel susta me mbishkrimin “Si hominis”.

Dhe të gjithë u bënë përsëri të dukshëm. Shpërtheu një “Urraaaaaaa!” e gjatë.

Kalamajtë-shkencëtarë u mblodhën të gjithë në sallonin e madh të anijes. Ata e ngritën presidentin në krahë dhe filluan ta hidhnin përpjetë me brohoritje.

Kur të gjithë u qetësuan, presidenti u tha:

Tani na pret një detyrë edhe më e vështirë. Duhet të zbulojmë sekretin në satelitët e Jupiterit.

-Urraaaa! Urraaaa! Urraaaa!

-Për meritën që zbuloi i pari raketat e zjarrta asgjësuese të mafies kozmike, unë mendoj që profesor Kriosin ta propozoj si zëvendëskomandant të anijes “X=Jupiter-2”. Si mendoni ju?

-E meriton!

-E meriton!

-Ta hedhim në votë!

U hodh në votë: Asnjë kundër.

Pas një gjumi të lezetshëm në kozmos mes planetit Mars dhe Jupiter, anija u nis drejt satelitëve të planetit të pestë, ku siç thoshin, nuk kish shkelur këmbë njeriu asnjëherë. (vijon..)

 ©FlasShqip.ca