Kanada

Operacion policor në Ottawa: një i arrestuar dhe të paktën katër të plagosur

  • Published in Kanada

Një operacion i madh policor u zhvillua mbrëmjen e djeshme tek zyrat dhe ambientet e Salvation Army që ndodhen pranë tregut By në Ottawa. U raportuan katër persona të plagosur me armë të ftohtë dhe një person 33 vjeçar u arrestua. Njoftimin e parë e dha Shërbimi Policor i kryeqytetit kanadez, që shoqëroi në paraburgim të dyshuarin si i autor krimit, në ngarkim të të cilit sot është hapur hetimi për 13 akuza penale. Më saktë, ngjarja ka ndodhur në Qendrën Booth, 171 George Street, e njohur si strehimore për homeless ku ofrohen edhe vakte ushqimore e shërbime të karakterit social.

U konfirmua më pas gjithashtu që katër persona, tre burra dhe një grua, u transportuan në pavionin e traumatologjisë të Spitalit të Ottawa nga shërbimi paramedikal i urgjencës. Viktimat, punonjës dhe klientë të Salvation Army, kanë marrë plagë të shkallëve të ndryshme, dy prej të cilave të rënda, por fatmirësisht askush prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.

David Breau është emri i të arrestuarit, i njohur si person pa adresë të përhershme banimi. Gjatë marrjes në pyetje sot përmes linjës telefonike, ai ka shfaqur shenja çekuilibri mendor, ka deklaruar që i dukej vetja “si në një film, në një ndodhi ireale” dhe për momentin ka refuzuar asistencën e avokatit mbrojtës.

Mathieu Fleury

Ndërkohë, këshilltari bashkiak i zonës Rideau-Vanier (në territorin e të cilës ndodhet dhe Qendra Booth) Mathieu Fleury, në një intervistë për Radio Canada ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me ngjarjen, të cilën e ka shpjeguar në kontekstin e një zone ku vitet e fundit janë përqëndruar disa strehimore për homeless, e ku përveç rritjes së problemeve të shëndetit mendor dhe toksikomanisë u shtua së fundi dhe situata e COVID-19.

Në një qytet ku numërohen rreth 2000 homeless, sipas Mathieu Fleury, ka disa modele që tashmë nuk funksionojnë më dhe që për pasojë mund të krijojnë gjithnjë e më tepër situata të pakontrollueshme e të rrezikshme si për klientelën frekuentuese, ashtu edhe për vullnetarët apo personelin e shërbimit nëpër strehimore.

©Flasshqip.ca (burimi Radio Canada)