Kanada

Ottawa - Manifestim i përkrahësve në pritje të autokolonës së kamionistëve

  • Published in Kanada

Gjatë ditës së sotme (e premte 28 Janar) në rrugët e kryeqytetit federal Ottawa, me postera dhe pankarta në duar kanë manifestuar disa grupe përkrahësish të autokolonave të kamionistëve që janë nisur dhe priten, sipas planifikimit të organizatorëve, të mbërrijnë aty, një pas një, nesër në mëngjes.

Përgjatë rrugës Wellington u parkuan automjete të të gjitha llojeve dhe mes manifestuesve kishte edhe qytetarë nga provinca e Québec. Disa prej tyre, të cituar nga Radio-Canada, janë shprehur që nëse do të jetë e nevojshme, janë të gatshëm të qëndrojnë në Ottawa për ditë të tëra, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet. Ata besonin që pjesëmarrja nesër do të jetë e konsiderueshme. Po ashtu, në një mbikalim të autostradës 416, ishin mbledhur dhjetëra mbështetës të lëvizjes që tashmë është pagëzuar si “Freedom Convoy”. Në posterat e shumtë që u panë sot në Ottawa dhe rrethinat e saj, lexoheshin kryesisht mesazhe falenderimi dhe mireseardhjeje në adresë të kamionistëve, por edhe sharje në adresë të Kryeministrit Trudeau.

Ndërkohë, kujtojmë që vala e protestës lindi fillimisht, për të kundërshtuar detyrimin e vaksinimit të vendosur nga qeveria federale për kamionistët ndërkufitarë, por me kalimin e ditëve, u bë e qartë që motivet e njerëzve të tjerë që i janë bashkuar lëvizjes, janë shumë më tepër se kaq dhe veçanërisht lidhen me kufizimet e forta të imponuara nga qeveria federale dhe qeveritë e provincave për shkak të pandemisë.

Nga ana e tyre, forcat e policisë kanë vijuar me gjendjen e gatishmërisë së lartë. “Nesër gjatë ditës priten gjithsej tetë autokolona dhe deri tani, vetëm njëra prej tyre ka mbërritur në qendër të qytetit”, deklaroi Trish Ferguson, numri dy i Shërbimit Policor të kryeqytetit federal. Sipas saj, nesër llogaritet të mbërrijnë rreth 2000 automjete dhe rreth 5000 manifestues. Policia edhe sot përsëriti mesazhin drejtuar banorëve të Ottawa, sipas të cilit, ata që munden, duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Gjithsesi, për tregëtarët nuk ka patur asnjë mesazh kufizimesh dhe ata jane të lirë ta mbajnë të hapur biznesin nëse e shohin të arsyeshme.

Peter Sloly, kreu i policisë së kryeqytetit kanadez ka deklaruar që organizatorët me të cilët policia është në kontakt, kanë siguruar se manifestimi do të jetë paqësor, duke shpresuar që pjesa më problematike të jetë trafiku.

Peter Sloly

Ndërkohë, Policia Provinciale e Ontarios (OPP) i ka njoftuar qytetarët të jenë të përgatitur për faktin që trafiku rrugor mund të ndërpritet nesër, sepse kamionistët pritet të vijnë nga autostradat 401, 416 dhe 417. OPP ka rekomanduar fuqimisht shmangien e udhëtimit në Ottava nesër, nëse nuk është e nevojshme.

Po sot, Kryeministri Justin Trudeau ka shprehur brengën e tij që nesër potencialisht mund të ndodhin edhe veprime të dhunshme gjatë protestës të planifikuar të zhvillohet para Paliament Hill. “Sigurisht, jam i shqetësuar”, pohoi Trudeau në një intervistë me The Canadian Press. Ndërsa ministri i Shëndetësisë Jean-Yves Duclos, në një adresim të drejtperdrejtë ndaj kamionistëve protestues ka deklaruar se “të gjithë ndodhemi në të njëjtën autokolonë për të dalë nga pandemia”.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Ivanoh Demers, Jean Delisle/Radio-Canada