Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 19.02.2023

  • Published in Kanada

 

Banff Island - Nunavut

 

-British Columbia, Konsullata e Kinës në Vancouver mohon ndërhyrjen në zgjedhjet federale të vitit 2021

-Alberta, qytetarët informohen për vjedhjen e disa uniformave të policisë në Calgary

-Prince Edward Island, në Charlottetown hapet sipari i Lojërave Dimërore të Kanadasë

-Québec, vazhdon çmontimi i urës së vjetër Champlain në Montréal pa dëmtuar lumin Saint-Laurent

-Ontario, John Tory largohet zyrtarisht nga drejtimi i Bashkisë Toronto

 

British Columbia - Konsullata e Përgjithshme Kineze në Vancouver e ka cilësuar dje (18.02.) si “shpifës dhe diskreditues” një artikull gazete që citonte një dokument të Shërbimit Sekret Kanadez, ku flitet për ndërhyrjen e supozuar për të penguar zgjedhjen e disa kandidatëve konservatorë të konsideruar si kundërshtarë të Kinës. Në një deklaratë për shtyp Konsullata ka shprehur pakënaqësinë duke e kundërshtuar “me vendosmëri” lajmin e publikuar. Deklarata pohonte gjithashtu që Kina nuk ka ndërhyrë kurrë dhe në në asnjë lloj forme në zgjedhjet e Kanadasë, apo në punët e saj të brendshme dhe se artikuj të tillë mund të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas lajmit të Globe and Mail të premten (17.02.), dokumentet e Shërbimit Sekret Kanadez raportojnë se Tong Xiaoling, në atë kohë Konsull i Përgjithshëm kinez në Vancouver, dyshohet se ka përdorur një strategji që çoi në humbjen e dy deputetëve konservatorë në 2021. Kenny Chiu, deputete e Steveston-Richmond East dhe Alice Wong, deputete e Richmond Center, nuk u rizgjodhën në vitin 2021, madje duke humbur një përqindje të lartë të votave të fituara në zgjedhjet paraardhëse. Qyteti i Richmond ka një popullsi të madhe imigrantësh kinezë.

Ish-deputetja Konservatore Alice Wong

Alberta - Shërbimi i Policisë në Calgary ka informuar publikun për një vjedhje të disa uniformave të forcave të rendit nga ambientet e një dyqani në verilindje të qytetit të hënën e kaluar (13.02.). Përmes një deklarate është shpjeguar që uniformat në fjalë, që ndodheshin të ekspozuara në vitrinë, përdoren nga shërbimet e policisë në Calgary dhe Saskatoon. Deklarata konfirmon gjithashtu që nuk është vjedhur asnjë armë zjarri, radio, apo pajisje kontrolli që përdoret nga agjentët e policisë. Megjithatë, Shërbimi Policor i Calgary u ka bërë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes në rastet kur kontaktohen nga dikush që identifikohet si oficer policie dhe të kërkojnë gjithmonë distinktivin dhe dokumentin e identitetit me foto si dhe të telefonojnë linjën e shërbimeve policore jo urgjente për të verifikuar identitetin e agjentit në fjalë.

Prince Edward Island - Kanë nisur dje (18.02.) në Charlottetown të provincës Prince Edward Island, Lojërat Dimërore Kanadeze. Pishtari, apo më saktë fari i këtij kompeticioni pankanadez, u ndez nga atleti paraolimpik Mark Arendz. Ceremonia e hapjes u zhvillua në Qendrën Eastlink dhe gjatë spektaklit të konceptuar me një kombinim të teatrit, muzikës dhe humorit, ekipet përkatëse parakaluan me veshjet me ngjyrat dhe flamujt e provincave apo territoreve që përfaqësojnë. Lojërat ku marrin pjesë 3600 sportistë, trajnerë dhe personel ndihmës, do të zgjasin dy javë. Shumica e garave do të zhvillohen në territorin e ishullit, ndërsa disa të tjera në New Brunswick dhe Nova Scotia.

Québec - Çmontimi i urës Champlain, dikur një ikonë e peizazhit të Montréal-it, është një sfidë më vetë. Për muaj të tërë, inxhinierët dhe ekipet operacionale kanë punuar për të realizuar zbërthimin pjesë-pjesë të strukturës së saj masive duke u kujdesur për të rikuperuar betonin dhe panelet e hekurit në mënyre që të mbrohej lumi Saint-Laurent, një ekosistem që strehon dhjetëra specie. Në ballafaqim të vazhdueshëm me dimrat e ashpër të Québec, ura e famshme e ndërtuar në fund të viteve 1950 u desh të përforcohej disa herë gjatë viteve të ekzistencës së saj deri ditën kur u vendos të mbyllej përgjithmonë, pikërisht më 28 qershor 2019. E gjatë 3.4 kilometra, struktura që lidhte Montréal-in me Brossard, nëpërmjet Île des Sœurs, përbëhej nga 200,000 ton beton dhe 25,000 ton çelik, materiale këto që po vazhdojnë të çmontohen dhe rikuperohen, në vend që të liheshin të zhyten në thellësitë e Saint-Laurent. Ndryshe nga rastet e tjera të ngjashme, ura Champlain u vendos të mos shkatërrohej me eksploziv, por me çmontim, duke shmangur çdo manovër që mund të shkaktojë rrëzimin e saj në lumë.

Ontario - John Tory është larguar zyrtarisht të premten (17.02) nga detyra e kryetarit të Bashkisë Toronto. Nënkryetarja e bashkisë, Jennifer McKelvie, do vazhdojë të ushtrojë funksionin e kryetarit deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Raporti mbi organizimin e këtyre zgjedhjeve do t’i paraqitet për miratim Këshillit bashkiak në mbledhjen e ardhshme të 9 marsit. Ndërkohë, zonja McKelvie deklaroi që prioriteti i saj është ofrimi i shërbimeve ndaj banorëve në përputhje me standardet dhe pritshmëritë si dhe ka konfirmuar që nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. John Tory, i cili shërbeu dy mandate si kryebashkiak i Torontos dhe sapo ishte rizgjedhur për një mandat të tretë, shkaktoi një furtunë mediatike kur njoftoi dorëheqjen e tij më 10 shkurt, për shkak të një lidhjeje jashtëmartesore me një nga punonjëset e zyrës së tij. Largimi i tij zyrtar erdhi dy ditë pasi Këshilli bashkiak miratoi buxhetin e vitit 2023 të mërkurën e kaluar (15.02.).

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada