Kanada

Ottawa - Masa të larta sigurie para vizitës së presidentit amerikan Joe Biden

  • Published in Kanada

Në pritje të vizitës dy ditore në Kanada të presidentit amerikan Joe Biden dhe bashkëshortes së tij, vizitë që do të nisë sot në mbrëmje (23.03.), kryeqyteti federal Ottawa prej dje është vendosur nën masa të larta sigurie, si në akset rrugore ashtu edhe në hapësirën ajrore.

Rreth 20 automjete policie lëviznin dje (22.03.) nëpër rrugët e qendrës së Ottawa, ku flamujt kanadezë dhe amerikanë valviteshin në shtyllat e ndriçimit përgjatë tyre. Ndërkohë, punonjës të bashkisë ishin të angazhuar me vendosjen e barrikadave në përgatitje për vizitën.

Kjo është vizita e parë pas 7 vjetësh e një presidenti amerikan në kryeqytetin kanadez. I fundit ka qenë aty presidenti Barack Obama, në fund të mandatit të tij të dytë në qershor 2016, për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Amerikës së Veriut. Paraardhësi i presidentit Biden, republikani Donald Trump, nuk kreu asnjë vizitë zyrtare në Ottawa gjatë presidencës të tij, nga viti 2017 deri në vitin 2021. Ai e vizitoi Kanadanë vetëm kur mori pjesë në Samitin e G7 në vitin 2018, që u organizua në La Malbaie-Charlevoix (Québec).

Sipas RCMP, Policia Federale Kanadeze, vizita zyrtare e Presidentit Biden do të zhvillohet nën mbikëqyrje të rreptë nga forcat e rendit dhe siguria e presidentit Biden dhe bashkëshortes së tij, do të garantohet nga një njësi e integruar e shërbimeve të ndryshme. RCMP ka deklaruar gjithashtu për mediat se në kuadrin e kësaj vizite po bashkëpunon me ushtrinë kanadeze, Shërbimin Sekret të SHBA, Policinë Provinciale të Ontario-s, Shërbimin Parlamentar të Sigurisë si dhe me policinë bashkiake të Ottava dhe Gatineau.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe bashkëshortja, do të priten fillimisht në ora 18:25 në Aeroportin Ndërkombëtar MacDonald-Cartier të Ottawa nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, ndërsa më pas, në ora 20:30 ata do të takohen me kryeministrin Trudeau dhe bashkëshorten e tij Sophie Grégoire Trudeau.

© Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press

Fotot: The Canadian Press/Spencer Colby