Kanada

Kanadaja e vitit 2023 në fokusin e Flasshqip.ca

  • Published in Kanada

Me një përmbledhje të përzgjedhur të ngjarjeve kryesore në Kanada për vitin që po mbyllet dhe duke i falenderuar dhe iu shprehur njëkohësisht mirënjohjen për kontributin dhe inkurajimin e pandërprerë, Flasshqip.ca iu uron përzëmërsisht të gjithë bashkëpunëtorëve, mbështetësve dhe lexuesve: Gëzuar Vitin e Ri 2024!

Viti 2023 për Kanadanë, si edhe të mëparshmit, ishte sërish i pasur me ngjarje në çdo fushë, në atë politike, ekonomike, sociale dhe veçanërisht sportive. Të gjitha janë ngjarje që zor se shlyhen nga kujtesa e atyre që i kanë përjetuar drejtpërdrejt apo ndjekur përmes mediave.

Këtë vit popullsia e Kanadasë e kaloi shifrën 40 milionë. Këtë vit transmetuesi publik CBC/Radio-Canada deklaroi se për shkak të deficitit buxhetor do të shkurtojë 800 vende pune. Këtë vit në Kanada u dëmtuan nga zjarret mbi 3,3 milionë hektarë pyje, 13 herë më shumë se mesatarja e 10 viteve të fundit. Këtë viti Kanadaja nënshkroi kontratën 19 miliardë dollarë me kompaninë amerikane Lockheed-Martin për blerjen e 88 avionëve të rinj luftarakë të tipit F-35. Këtë vit u nda nga jeta në moshën 102 vjeç ish-kryetarja e bashkisë Mississauga, legjenda ose “uragani” Hazel McCallion. Këtë vit, për herë të parë Dhoma e Komunave të Kanadasë ka në krye të saj një deputet nga komuniteti më ngjyrë. Ai quhet Greg Fergus. Këtë vit për herë të parë u zgjodh në krye të një province (Manitoba), një kryeministër me origjinë autoktone. Ai quhet Wab Kinew.

Përveçse një vit gjatë të cilit kanadezëve të thjeshtë iu desh të përballeshin më vështirësi jo të pakta ekonomike për shkak të inflacionit, që solli dhe disa rritje të njëpasnjëshme të normave bazë të interesit nga Banka e Kanadasë, viti 2023 do mbahet mend edhe për dorëheqjen për shkak të një lidhjeje jashtëmartesore të kryetarit të Bashkisë Toronto, John Tory, dhe zgjedhjen në krye të metropolit kanadez të Olivia Chow (e veja e Jack Layton), për ndarjen e çiftit kryeministror Trudeau pas 18 vjet martesë, por edhe për gafën monumentale që solli dorëheqjen e kreut të Dhomës së Komunave, Anthony Rota, i cili në prezencë të presidentit ukrainas Zelensky, ftoi të përshëndetej me ovacione nga deputetët në sallën e parlamentit kanadez një ish-ushtar nazist i Luftës së Dytë Botërore me origjinë ukrainase.

Gjatë vitit 2023, Kanadanë e vizituan disa kryetarë shtetesh apo organizatash të rëndësishme, si kryeministri i Japonisë Fumio Kishida, presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, presidenti i SHBA Joe Biden, presidenti i RFGJ Frank-Walter Steinmeier si dhe kryeministri i Ukrainës Denys Shmihal dhe presidenti Volodymyr Zelensky.

Këtë vit u riformatua kabineti qeveritar Trudeau. 7 ministra u larguan nga qeveria (ndër të cilët Marco Mendicino dhe David Lametti), 7 të rinj hynë në qeveri dhe 30 të tjerë ndërruan vendet. Këtë vit u publikua raporti i Komisionit “Rouleau”, që e cilësoi si të arsyetuar vendimin e qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në shkurt të vitit 2022, për shkak të protestave në Ottawa të organizuara nga Freedom Convoy kundër masave sanitare në kohën e pandemisë. Këtë vit Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë CSIS (Canadian Security Intelligence Service) pohoi se ndërhyrja e jashtme e Kinës përbën “kërcënimin më të madh strategjik për sigurinë kombëtare të Kanadasë”. Këtë vit më në fund skandali mbi ndërhyrjen e huaj në proçesin zgjedhor kanadez u vendos t’i nënshtrohet hetimit publik, ashtu siç e reklamonte me insistim opozita.

Këtë vit, pas 5 vjetësh ndërprerje, Kanadaja rilidhi marrëdhëniet diplomatike me Arabinë Saudite. Përveç raporteve të tendosura me Kinën, këtë vit Kanadasë iu desh të përballej me dy situata të vështira në aspektin diplomatik. Së pari kriza me Indinë (e shoqëruar me dëbim diplomatësh) pas akuzave të Trudeau në adresë të qeverisë indiane për eliminimin e një militanti sikh më shtetësi kanadeze në Vancouver. Së dyti lufta Izrael-Hamas dhe konflikti izraelito-palestinez, situatë në të cilën përveçse duhej të organizohej evakuimi i kanadezëve nga rajoni i konfliktit, pozicioni i diplomacisë kanadeze evoluoi në një terren shumë delikat për shkak të presioneve nga të dy palët e interesuara, përfaqësues të shumtë të të cilave jetojnë në vend. Gjithsesi, pas hezitimeve të njëpasnjëshme, në fund Kanadaja e mbështeti Rezolutën e OKB për armëpushim në Gaza dhe ripersëriti qëndrimin e saj në favor të ekzistencës së dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës.

Ky vit ishte veçanërisht i suksesshëm për Kanadanë në fushën e sportit duke ripërsëritur fitore të mëparshme apo duke sjellë dhe surpriza. Për të njëzetën herë Kanadaja u shpall kampion bote në hokej mbi akull për të rinj. Skiatorja Valérie Grenier fitoi medaljen e artë në Slalomin e madh për femra. Alexandria Louttit fitoi medaljen e artë në Kupën e Botës të kërcimit me ski për femra. Ekipi U-18 i hokejit për femra u shpall kampion bote. Në Kampionatin botëror të skive alpine, Laurence St. Germain fitoi medaljen e artë në slalom. Mikaëel Kingsbury fitoi dy medalje ari në Kampionatin Botëror të skijimit akrobatik. Ekipi kanadez i hokejit për meshkuj fitoi për të 28-ën herë kampionatin botëror. Çiklisti kanadez Michael Woods fitoi etapën e 9-të në Tour de France. Notarja Summer McIntosh fitoi medaljen e artë në 400 m stil i përzier në Kampionatin Botëror në Japoni. Në Kampionatin Botëror të Atletikës në Budapest fituan përkatësisht medalje ari: Ethan Katzberg (hedhje çekiçi meshkuj), Camryn Rogers (hedhje çekiçi femra), Pierce Le Page (10 garësh), dhe Marco Arop (800 m). Ekipi kanadez i basketbollit meshkuj u kualifikua për në Lojerat Olimpike Paris 2023 dhe fitoi medaljet e bronzta për herë të parë në historinë e Kanadasë në Kupën e Botës FIBA. Dhe së fundi, ekipi Alouettes i Montréal fitoi për herë të tetë Kupën Grey të Canadian Football League.

Duke vazhduar traditën dhe në përputhje me misionin e vet, Flasshqip.ca pasqyroi me korrektesë dhe profesionalizëm momentet dhe evenimentet më të rëndësishme të realitetit kanadez gjatë 12 muajve të këtij viti, jo vetëm përmes rubrikës Java Kanadeze-Lajme shkurt, por edhe përmes artikujve të veçantë informativë dhe analitikë, duke mbetur kësisoj një burim referimi unikal dhe i plotë në këtë drejtim në gjuhën shqipe.

Më poshtë një përmbledhje e përzgjedhur e ngjarjeve kryesore në Kanada për vitin 2023.

Janar

5 janar - Në Halifax të Nova Scotia u zhvillua finalja e Kampionatit Botëror të Hokejit mbi akull për të rinj. Me fitoren 3-2 ndaj Çekisë, ekipi kombëtar i Kanadasë, i drejtuar nga trajneri Dennis Williams, u shpall kampion bote për të njëzetën herë dhe për të dytin edicion radhazi. Kampionati Botëror i të rinjve nën 20 vjeç në hokej mbi akull zhvillohet çdo vit qysh nga viti 1977 dhe organizohet nga International Ice Hockey Federation. Sipas statistikave, në 47 edicione ekipi kanadez ka fituar gjithsej 35 medalje, 20 ari, 10 argjendi dhe 5 bronzi. Kanadaja është gjithashtu ekipi që e ka fituar këtë kampionat 5 herë radhazi në vitet 1993, 1994, 1995, 1996 dhe 1997.

7 janar - Pas gati 50 vjetësh, një skiatore kanadeze fiton sërish Slalomin e Madh në garat e Kupës së Botës në ski. Ajo quhet Valérie Grenier. Skiatorja 26 vjeçare nga Ottawa u ngjit në podiumin e vendit të parë pasi arriti të fitojë duke realizuar shpejtësinë 1 minutë, 55 sekonda dhe 1/100. Pas saj, e dyta u rendit italiania Marta Bassino, ndërsa e treta sllovakja Petra Vhlova. Kanadezja e fundit që pat fituar medaljen e artë në Slalomin e Madh përpara Valérie Grenier ka qenë Kathy Kreiner në vitin 1974.

9 janar - Ministrja e Mbrojtjes të Kanadasë, Anita Anand, publikoi lajmin e nënshkrimit të marrëveshjes me qeverinë e SHBA dhe prodhuesin Lockheed Martin për blerjen e avionëve gjuajtës F-35, që gradualisht do zëvendësojnë flotën e CF-18 të Royal Canadian Air Force, që është në përdorim prej katër dekadash qysh nga viti 1982. Në bazë të marrëveshjes me një kosto totale të vleresuar rreth 19 miliardë dollarë, që përfshin pajisjet shoqëruese, teknologjinë dhe objektet, Kanadaja do të furnizohet me 88 avionë të rinj të tipit F-35 brenda një periudhë 10 vjeçare dhe flota e re do jetë në përdorim më kapacitet të plotë brenda viteve 2032-2034.

12 janar - Në kuadrin e marrjes së presidencës së G7 për një vit nga Japonia, kryeministri japonez Fumio Kishida zhvilloi një vizitë të shkurtër një ditore në Ottawa, ku u prit nga kryeministri kanadez Justin Trudeau. Gjatë takimit, të dy kryeministrat riafirmuan vullnetin për të forcuar lidhjet mes dy vendeve jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në aspektin e partneritetit të sigurisë në rajonin Azi-Paqësor. Ata diskutuan gjithashtu edhe mbi reformën madhore të strategjisë së mbrojtjes të Japonisë, e cila vitet e fundit ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake. Fumio Kishida ishte kryeministri i parë aziatik që vizitoi Kanadanë që nga momenti kur qeveria kanadeze shpalli një politikë të re për rajonin gjeografik Azi-Paqësor në nëntor 2022 me synimin për të frenuar aty ndikimin kinez. Kjo ishte gjithashtu vizita e tij e parë në Kanada qysh nga marrja e detyrës në tetor 2021.

13 janar - Alexandria Loutitt fitoi medaljen e artë në Kupën e Botës të kërcimit me ski, një rezultat që asnjë sportiste kanadeze e kësaj disipline nuk e kish arritur më parë. 19-vjeçarja nga Alberta triumfoi në Zao të Japonisë, duke kërcyer 98.5 dhe 95 metra për një total prej 240.3 pikësh. Ajo la pas dy austriaket Eva Pinkeling (231.8) dhe Chiara Kreuzer (228.6). Kanadezi i fundit që pat fituar një medalje të artë në këtë disiplinë ka qenë Horst Bulau, fiks para 40 vjetësh, në vitin 1983.

15 janar - Ekipi kanadez U-18 në hokej për femra, nën drejtimin e trajneres Courtney Birchard Kessel, u shpall për të dytën herë radhazi kampion Bote duke fituar kupën dhe medaljet e arta në fazën finale që u zhvillua në datat 9-15 janar 2023 në Östersund (Suedi). Në finale kanadezet shpartalluan formacionin e vendit organizator, Suedisë, me rezultatin 10-0. Lojtarja 16-vjeçare Caitlin Kraemer nga Waterloo (Ontario), e cila në finale shënoi 4 gola, u shpall golshënuesja me e mirë e e kampionatit me 10 gola gjithsej, të realizuar në 5 ndeshje.

18 janar - Ministrja kanadeze e Mbrojtjes Anita Anand, vizitoi Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, ku u takua me homologun e saj Oleksii Reznikov, vizitë gjatë të cilës ajo njoftoi se qeveria Trudeau do t’i dhurojë Ukrainës edhe 200 automjete të blinduara shtesë, të tipit Senator, të cilët ishin blerë nga kompania kanadeze Roshel që operon në Mississauga, Ontario. Kjo ndihmë, me vlerë 90 milionë dollarë, ishte pjesë e ndihmës shtesë për Ukrainën prej 500 milionë dollarësh të shpallur në nëntor 2022 nga kryeministri Justin Trudeau.

20 janar - Gjykata Federale e Kanadasë urdhëroi riatdhesimin e katër kanadezëve që mbaheshin të ndaluar në një kamp paraburgimi në Sirinë verilindore. Lajmin e konfirmoi avokati i tyre, Lawrence Greenspon. Vendimi u mor pikërisht një ditë pas një njoftimi të Global Affairs Canada, sipas të cilit, dikasteri i Punëve të Jashtme do riatdhesonte brenda një kohe të arsyeshme, 6 shtetase kanadeze së bashku me 13 fëmijët e tyre, edhe ato të përfaqësuara nga avokati Greenspon. Sipas pretendimit të autoriteteve federale, shteti kanadez nuk mund t'u ofronte atyre shërbime konsullore në Siri sepse situata ishte shumë e rrezikshme.

24 janar - Një raportim i publikuar në median shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada paralajmëroi që ekonomia e Kanadasë do përjetojë një ngadalësim të ndjeshëm. Raportimi u referohej deklaratave të eskpertëve ekonomistë të ftuar në takimin e mbyllur treditor që kabineti ministror i Justin Trudeau po zhvillonte në Hamilton (Ontario), si fazë përgatitjeje para rinisjes së punimeve të Parlamentit Federal për vitin 2023. Gjatë një konferencë për shtyp, ish-zëvendësguvernatorja e Bankës së Kanadasë dhe drejtuesja kryesore kërkimore në Qendrën Griswold për Studimin e Politikave Ekonomike pranë Universitetit Princeton, Carolyn A. Wilkins, deklaroi se “duhet të jemi të përgatitur që ekonomia do ngadalësohet ndjeshëm dhe shkalla e papunësisë do rritet si këtu në Kanada, ashtu edhe në SHBA, Evropë apo Mbretërinë e Bashkuar”.

29 janar - Ndahet nga jeta Hazel McCallion, e cila shërbeu për 36 vjet si kryetare e Bashkisë Mississauga. McCallion, e cila do të mbushte 102 vjeç më 14 shkurt 2023, me origjinë nga Port-Daniel i Gaspésie (Québec), pat qenë vendosur në Toronto në vitin 1940. Pas disa vitesh punë pranë Kellogg Canada, ku u ngjit shpejt në pozicione drejtuese, ajo vendosi të hynte në politikë. Fillimisht u zgjodh kryetare bashkie e Village of Streetsville në vitin 1969. Më pas shërbeu si kryetare e Bashkisë së Mississauga (qytet që u krijua nga bashkimi i Streetsville dhe Port Credit) nga viti 1978 deri në 2014. E mbiquajtur “Uragani Hazel” për dhuntinë e saj politike, Hazel McCallion konsiderohej nga gratë si një pioniere në këtë fushë.

Shkurt

4 shkurt - Ministrja kanadeze e Mbrojtjes, Anita Anand, njoftoi nisjen nga Halifax në bordin e një avioni transportues ushtarak të tankut të parë Leopard 2 drejt Ukrainës. Kanadaja mori përsipër furnizimin e ushtrisë ukraninase me katër tanke të këtij tipi dhe për secilin prej tyre u planifikua një fluturim më vete. Forcat e Armatosura Kanadeze disponojnë 112 tanke Leopard 2, në disa modele.

4 shkurt - Marit Stiles u shpall zyrtarisht kryetare e NDP (New Democratic Party) të Ontarios. Deputete provinciale që nga viti 2018, ajo ishte e vetmja që kandidoi për të zëvendësuar Andrea Horwath, e cila dha dorëheqjen në qershor 2022 pas humbjes në zgjedhje. Marit Stiles përfaqëson zonën elektorale Davenport dhe prej disa vitesh është përgjegjëse për arsimin në NDP. Para se të zgjidhej deputete ajo ka qenë komisare shkollore në Toronto.

10 shkurt - Kryebashkiaku i Torontos, John Tory, njofton dorëheqjen nga detyra, pasi ka pranuar ekzistencën e një lidhjeje jashtëmartesore me një nga punonjëset e tij gjatë periudhës së pandemisë. “Pranoj se një marrëdhënie e tillë ishte një gabim i rëndë nga ana ime”, deklaroi ai. Deklarata e dorëheqjes së kreut të Bashkisë Toronto u bë në të njëjtën ditë pasi ky skandal etik u publikua nga e përditshmja e metropolit Toronto Star.

11 shkurt - NORAD, Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut, njoftoi se kishte konstatuar në një lartësi të madhe mbi territoret e veriut të Kanadasë prezencën e një objekti fluturues të panjohur. Pak çaste më vonë pas këtij lajmi, kryeministri kanadez Justin Trudeau deklaroi se objekti u asgjësua dhe u rrëzua mbi territorin e Yukon.

15 shkurt - Pas 5 vitesh në krye të Policisë Federale Kanadeze (RCMP), Komisionerja Brenda Lucki dha dorëheqjen dhe njoftoi vendimin për të dalë në pension më 17 mars 2023. Ajo e pat bërë betimin si drejtuese e RCMP më 16 prill 2018 dhe ka qenë e para grua që ka ushtruar këtë funksion në mënyrë permanente.

17 shkurt - Publikohet raporti i shumëpritur i Komisionit Publik Hetimor të drejtuar nga gjyqtari Paul Rouleau mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria e Justin Trudeau pas manifestimeve kundër masave sanitare të organizuara në fund të janarit 2022 nga Freedom Convoy. Konkluzioni kryesor i raportit voluminoz me mbi 2000 faqe dhe të paktën 56 rekomandime, e ka konsideruar si të arsyetuar vendimin e qeverisë për dekretimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

18 shkurt - Skiatorja kanadeze me origjinë nga Québec, Laurence St-Germain arriti një fitore të shkëlqyer në garën e slalomit në Kampionatin Botëror të Skive Alpine. Ajo fitoi medaljen e artë pas dy provave në Méribel të Francës. Sportistja e fundit kanadeze që pat fituar një medalje të artë në këtë garë, që eshte dhe më e shpejta, ka qenë Anne Heggtveit në vitin 1960, në Squaw Valley, Kaliforni.

25 shkurt - Auditorja e Përgjithshme e Kanadasë, Karen Hogan, njoftoi Parlamentin Federal se do të nisë hetimin mbi kontratat e dhëna firmës së konsulencës McKinsey nga qeveria e kryeministrit Justin Trudeau. Partia Konservatore e drejtuar nga Pierre Poilievre, pat kërkuar me insistim që të hidhet dritë mbi këto kontrata të cilat janë shumëfishuar qysh nga viti 2015, viti i ardhjes në pushtet të qeverisë liberale Trudeau. Prej atij momenti, qeveria e Justin Trudeau i ka dhënë më shumë se 116 milionë dollarë kontrata firmës McKinsey. Kjo shumë është rreth 45 herë më e madhe se vlera totale e kontratave të dhëna nga qeveria e mëparshme konservatore e kryeministrit Stephen Harper, në pushtet për nëntë vjet, nga 2006 deri në 2015.

26 shkurt - Skiatori kanadez Mikaël Kingsbury realizoi një fitore të dyfishtë në Kampionatin Botëror të skijimit akrobatik që u zhvillua në Bakuriani të Gjeorgjisë. Ai doli i pari edhe në garën individuale edhe në garën më dy konkurentë, të cilën e fitoi ndaj sudedezit Walter Wallberg (kampion Olimpik në fuqi) me pikavarazhin 19-16. Ky ishte titulli i tetë kampion botëror për Kingsbury dhe i katërti në këtë garë. Ai pat arritur gjithashtu një fitore të dyfishtë më 2019 në Deer Valley, Utah dhe 2021 në Almaty, Kazakistan.

Mars

6 mars - Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen vizitoi për here të parë zyrtarisht Kanadanë. Kryeministri Trudeau dhe von der Leyen diskutuan të gjitha temat e rëndësishme dhe prioritetet e përbashkëta të partneritetit transatlantik mes Kanadasë dhe Bashkimit Europian (BE), përfshi promovimin e energjive dhe teknologjive të pastra, stimulimin e rritjes ekonomike, ndër të tjera përmes Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Tregtisë (CETA) dhe Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik (SPA). Marrëdhënia midis Kanadasë dhe Bashkimit Europian, daton që nga viti 1959 dhe është marrëdhënia formale më e vjetër e BE me një vend të industrializuar.

7 mars - Në Dhomën e Deputetëve, kreu i opozitës zyrtare Pierre Poilievre kritikoi ashpër idenë e kryeministrit Justin Trudeau për emërimin e një raportuesi special për të hetuar ndërhyrjen e mundshme të Kinës në procesin zgjedhor kanadez: “Komision sekret, që do të kryeje një hetim sekret me informacione sekrete. Fake job… Çfarë ka për të fshehur kryeministri?”, u shpreh shefi i Konservatorëve. Lideri i opozitës insistoi që ndërhyrja e mundshme e Kinës ndaj demokracisë kanadeze duhet të bëhet objekt i një hetimi publik dhe të pavarur.

12 mars - Lideri i Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilievre, i bëri thirrje kryeministrit Justin Trudeau të ulë taksat, të kufizojë shpenzimet dhe të lehtësojë kushtet për ndërtimin e banesave në vend. Gjatë një konferencë shtypi në Ottawa, Poilievre ia atribuoi koston në rritje të jetesës “deficiteve inflacioniste që rrisin normat e interesit” dhe “taksave mbi karburantet që rrisin çmimet në pompat e benzinës”. Ai theksoi gjithashtu se qytetarët kanadezë, “pas tetë viteve mbretërimi të Justin Trudeau nuk po mund të paguajnë faturat e tyre për strehim, ushqim dhe energji”. Duke iu referuar rezultateve të një studimi të Qendrës Kanadeze për Kërkime të Aplikuara dhe Sociale në Universitetin e Saskatchewan të botuar në tetor 2022, Poilievre i kujtoi kryeministrit se “një në pesë kanadezë nuk arrin të ushqehet si duhet sepse ushqimi kushton shumë të shtrenjtë”, ndërkohë që Banka e Kanadasë, e pat vlerësuar rritjen e indeksit të çmimeve të konsumit gjatë janarit 2023 në 5.9%.

15 mars - Ish-Guvernatorit i Përgjithshëm i Kanadasë, David Johnston, emërohet nga kryeministri Trudeau në rolin e raportuesit special të pavarur, i ngarkuar të përcaktojë nëse duhet krijuar ose jo një komision i posaçem hetimi publik mbi të dhënat e publikuara nga mediat që lejojnë të dyshohet se ka patur ndërhyrje për të ndikuar në rezultatin e dy zgjedhjeve të fundit federale nga ana e shtetit kinez, përmes përfaqësuesve të tij në territorin kanadez.

17 mars - Mediat njoftojnë se prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen dhe filiali i tij PowerCo do të ndërtojnë një uzinë gjigande të prodhimit të baterive për automjetet elektrike në St. Thomas, Ontario. Kjo është uzina e parë e baterive që Volswagen hap në Amerikën e Veriut dhe e treta uzinë afërsisht me të njejtën madhësi, pas atyre të ndërtuara në Salzgitter (RFGJ) dhe Valencia (Spanjë). Vlera e parashikuar e investimit arrin në rreth 20 miliardë dollarë.

17 mars - Përmes një deklarate Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë CSIS (Canadian Security Intelligence Service) pohoi se ndërhyrja e jashtme e Kinës përbën “kërcënimin më të madh strategjik për sigurinë kombëtare të Kanadasë”. Agjencia kanadeze e inteligjencës e bëri deklaratën në përgjigje të një kërkese për koment nga Radio-Canada, media shtetërore, një ditë pasi gazeta The Globe and Mail publikoi një artikull ku thuhej se Konsullata e Përgjithshme e Kinës në Vancouver ka ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve bashkiake të vitit 2022.

23 mars - Presidenti i SHBA Joe Biden mbërriti në Ottawa për një vizitë 27-orëshe. Ishte udhëtimi i tij i parë zyrtar në Kanada që nga zgjedhja president dy vjet më parë. Joe Biden dhe bashkëshortja u prit fillimisht nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon. Një ditë më pas ai u takua zyrtarisht me kryeministrin Trudeau si dhe mbajti një fjalim në Parlamentin kanadez. Vizita u mbyll me një darke zyrtare në ambientet e Muzeut të Aviacionit dhe Hapësirës të Kanadasë.

30 mars - Publikohet në Nova Scotia raporti hetimor mbi masakrën që ndodhi në datat 18-19 prill të vitit 2020 në Portapique dhe zonat përreth. Masakra, e konsideruar si më e madhja në historinë e Kanadasë moderne, ngjarje në të cilën humbën jetën 22 vetë, mes të cilëve dhe një grua shtatzënë, pati për autor Gabriel Wortman. Dokumenti voluminoz prej 3000 faqesh përmbante gjithsej 130 rekomandime, ndër të cilët si më të rëndësishmit përmendeshin rifinancimi i shërbimeve në fushën e dhunës bashkëshortore si dhe rivlerësimi i rolit të policisë. Më shumë se gjysma e rekomandimeve i adresoheshin RCMP, Policisë Federale Kanadeze.

Prill

3 prill - Publikohet emri i astronautit kanadez që do të fluturojë për herë të parë në orbitë rreth Hënës. Ai quhet Jeremy Hansen dhe do të jetë pjestar i ekuipazhit të misionit hënor Artemis II. Njoftimin zyrtar e dha Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA) gjatë një konference shtypi në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston, Teksas. “Është një nder për mua të përfaqësoj vendin tim në këtë mision historik”, deklaroi menjëherë pas publikimit të lajmit, ish-piloti me gradën kolonel, i avionëve CF-18 të Forcave Ajrore Kanadeze.

3 prill - Partia Konservatore-Progresiste e kryeministrit Denis King fitoi zgjedhjet e provincës Prince Edward Island. Ky ishte mandati i dytë radhazi për 52 vjeçarin King, i cili e drejton provincën ishullore qysh prej vitit 2019. Herën e parë ai fitoi në minorancë, më vetëm 12 deputetë nga 27, ndërsa në zgjedhjet e 3 prillit 2023, me 56% të votave në favor të partisë së tij, ai arriti të marrë 22 deputetë (81% e vendeve), duke lënë pas Liberalët me 4 deputetë dhe të Gjelbrit me 2 deputetë.

5 prill - Publikohen të dhënat e raportit të Drejtorit Parlamentar të Buxhetit në Ottawa, Yves Giroux, sipas të cilit, gjatë dy viteve të fundit shpenzimet e administratës federale kanë pësuar rritje si asnjëherë më parë, kryesisht për shkak të shtimit të numrit të personelit në administratën civile, rritjes së pagave dhe kontratave me firmat private të konsulencës. Sipas raporti në fjalë, i titulluar “Shqyrtimi i shpenzimeve të personelit”, në vitin 2022, qeveria Trudeau shpenzoi 115.9 miliardë dollarë dhe i kushtoi takspaguesve kanadezë 28.4 miliardë dollarë më shumë sesa dy vjet më pare, në vitin fiskal 2019-2020, shifër kjo që përbënte një rritje prej 32.5% të shpenzimeve dhe një rritje mesatare vjetore prej 15.2%, që ishte dukshëm më e lartë se norma mesatare historike e rritjes prej 3.6% e regjistruar gjatë periudhës 2007-2008 deri në 2019-2020.

11 prill - Kryeministri Justin Trudeau takohet në Toronto me kyeministrin ukrainas Denys Shmyhal. Dy kryeministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi përfundimin e negociatave për modernizimin e Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë mes Kanadasë dhe Ukrainës si dhe një marrëveshje mbi lëvizjen e të rinjve në të dy shtetet, që do të zbatohet pas përfundimit të luftës.

23 prill - Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier nisi vizitën e tij të parë zyrtare në Kanada. Kreu i shtetit gjerman u prit fillimisht në Rideau Hall nga Guvernatorja e Përgjithshme kanadeze Mary Simon, ndërsa pas takimit zyrtar Trudeau-Steinmeier komunikata qeveritare nënvizoi ndër të tjera se “Trudeau dhe Steinmeier kane vlerësuar progresin e bërë në bashkëpunimin e përbashkët që nga vizita e kancelarit Scholz në gusht 2022, duke përfshirë dhe marrëveshjen për ndërtimit në Kanada të fabrikës së parë të baterive të automjeteve elektrike të Volkswagen jashtë Gjermanisë.”

Maj

4 maj - Vazhdoi debati në Dhomën e Komunave lidhur me skandalin e ndërhyrjes së Kinës në punët e brendshme të Kanadasë. Bëhet publik fakti që një nga figurat më të njohura të Partisë Konservatore, deputeti Michael Chong (ministri në hije i Punëve të Jashtme në kabinetin hije të Pierre Poilievre) si dhe familja e tij e të afërm në Hong Kong, kanë qenë objekt presioni dhe kërcënimesh nga një diplomat kinez i atashuar pranë Konsullatës kineze në Toronto.

6 maj - Qeveria e kryeministres Danielle Smith në Alberta shpall gjendjen e jashtëzakonshme në gjithë provincën për shkak të zjarreve në pyje që përfshinin një sipërfaqe rreth 3900 km katrorë dhe shkaktuan evakuimin e mbi 29,000 banorëve.

8 maj - Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly shpalli persona non grata dhe vendosi dëbimin nga Kanadaja të diplomatin kinez Zhao Wei, i cili dyshohej se kishte tentuar të frikësonte në Hong Kong familjen e deputetit konservator Michael Chong. Sipas The Globe and Mail, që i referohej një informacioni nga Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë (CSIS), deputeti Michael Chong, dyshohej se ka qenë shënjestër e një përpjekje për ta frikësuar dhe për t’i bërë presion atij, pasi ai inicioi në Dhomën e Komunave në vitin 2021 një mocion që dënonte qëndrimin e Pekinit ndaj ujgurëve duke e cilësuar atë genocid.

10 maj - Qeveria kanadeze prezantoi në Ottawa modelin e ri të pasaportës. Versioni i ri nisi të konceptohet prej vitit 2013. Modeli ka një dizajn të ri, më modern dhe me më shumë elementë sigurie të lartë, bazuar në teknologjinë më të fundit në këtë fushë, elementë që e bëjnë akoma më të vështirë falsifikimin. Dizajni i faqes së kopertinës gjithashtu ishte ndryshe nga modeli në fuqi. Kjo ishte hera e parë prej disa dekadash që Kanadaja ndryshon faqen e kopertinës së pasaportës. Faqja e informacionit personal të mbajtësit do të jetë prej polikarbonati, i njëjti material që përdoret për të prodhuar kartëmonedhat dhe patentën e drejtuesve të automjeteve dhe informacioni në këtë faqe nuk do të printohet më, por do të gdhendet me lazer.

15 maj - Dhoma e Komunave miratoi thuajse unanimisht projekt-ligjin C-13, i njohur ndryshe si reforma e Ligjit mbi gjuhët zyrtare. Ministrja e Gjuhëve Zyrtare, Ginette Petitpas Taylor e konsideroi votimin historik, sepse sipas saj, Ligji C-13 plotëson dy objektiva: frenimin e rënies së përdorimit të gjuhës frënge dhe mbështetjen e komuniteteve, gjuha zyrtare e të cilëve është në situatë minorance, në provinca të caktuara. Projektligji i miratuar garanton një të drejtë të re për të punuar dhe për t'u shërbyer në frëngjisht në Québec dhe në rajone me një prani të fortë frankofone në provincat e tjera, veçanërisht në bizneset private nën juridiksionin federal, si bankat, linjat ajrore dhe kompanitë hekurudhore. Ligji i ri detyron emërimin e gjyqtarëve dygjuhësh në Gjykatën e Lartë të Kanadasë.

24 maj - Kanadaja dhe Arabia Saudite rivendosin marrëdhëniet diplomatike, pesë vjet pasi i ndërprenë ato për shkak të mosmarrëveshjeve për çështjen e të drejtave të njeriut. Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve erdhi gjashtë muaj pasi kryeministri Justin Trudeau u takua me Princin e Kurorës saudite Mohammed bin Salman Al-Saud, gjatë ditëve të samitit të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që u mbaj në Bangkok të Tajlandës. Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Arabisë Saudite ishin pezulluar që nga viti 2018, pas arrestimit në Arabinë Saudite të aktivistes për të drejtat e grave, Samar Badawi, motra e Raif Badawi-t, shkrimtar disident, i burgosur atje që nga viti 2012.

26 maj - Këngëtarja më famë botërore Céline Dion anulon të gjitha shfaqjet e saj të planifikuara deri në prill 2024 për shkak të stiff person syndrome, një sëmundje e rrallë neurologjike nga e cila ajo vuan. Më konkretisht, u anulua vazhdimi i turneut botëror Courage, i parashikuar të rifillonte në gushtin 2023 në Amsterdam dhe që do të vazhdonte deri në prill 2024 në Londër. Céline Dion i pat përfunduar 52 shfaqjet e para të Courage World Tour në Amerikën e Veriut përpara shpërthimit të pandemisë dhe e ndërpreu turneun në mars 2020.

28 maj - Kanadaja mund Gjermaninë 5-2 në finalen e Kampionatit Botëror të Hokejit mbi akull për meshkuj, që u zhvillua në Helsinki të Finlandës, duke fituar njëherazi dhe medaljet e arta. Kjo ishte hera e 28-të që Kanadaja fiton titullin botëror për meshkuj dhe gjithashtu podiumi i katërt radhazi për Kanadanë, që e humbi finalen e vitit 2022 kundër Finlandës.

29 maj - Me 52,6% të votave të vlefshme dhe 49 deputetë të zgjedhur nga 87 gjithsej, Partia e Bashkuar Konservatore (The United Conservative Party) e kryeministres Danielle Smith fiton mandatin e dytë radhazi për të qeverisur provincën Alberta. 38 vendet e tjera në Parlament i fitoi New Democratic Party e Rashel Notley. Për kryeministren Danielle Smith, kjo ishte fitorja e parë qysh nga zgjedhja e saj në krye të Konservatorëve të Alberta-s, pas dorëheqjes së Jason Keney.

Qershor

5 qershor - Shumëfishohen zjarret në pyjet e Kanadasë ku janë djegur miliona hektarë, situate që detyruar evakuimin e mijëra banorëve në zonat e prekura. Numri i zjarreve aktivë në vend e kaloi shifrën 400, nga të cilët afro 250 u deklaruan ende jashtë kontrollit. Me rreth 362 milionë hektarë, Kanadaja renditet e treta në botë për nga madhësia e sipërfaqes pyjore. Sipas qeverisë federale kanadeze, në total 2214 zjarre demtuan rreth 3.3 milionë hektarë pyje, rreth 13 herë më shumë se mesatarja e 10 viteve të fundit. Mbi 146,000 banorë u detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

10 qershor - Kryeministri kanadez Justin Trudeau zhvilloi një vizitë të shkurtër në kryeqytetin ukrainas Kiev. Kjo ishte vizita e tij e dytë qysh nga fillimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Për arsye sigurie vizita u planifikua në fshehtësinë më të madhe dhe nuk pati informacion se me çfarë mjeti transporti hyri në Ukrainë kryeministri kanadez, i cili njoftoi, ndër të tjera, një ndihmë të re financiare prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën, zgjatjen e pjesëmarrjes së Kanadasë në Operacionin UNIFIER deri në vitin 2026 për të ndihmuar në trajnimin e ushtrisë ukrainase, dërgesën e municioneve si dhe sanksione të reja kundër 24 personave dhe 17 subjekteve që mbështesin pushtimin rus. Trudeau mbajti edhe një fjalim para deputetëve të Parlamentit ukrainas.

10 qershor - 12-vjeçarja Anthaea-Grace Patricia Dennis bëhet kanadezja më e re që ka marrë një diplomë universitare. Ajo u laureua Bachelor në shkencat biomjekësore nga Universiteti i Ottawa. Programin e studimeve në këtë nivel e nisi kur ishte nëntë vjeç dhe mbështetësja e saj më e madhe ka qenë nëna, Johanna Dennis. Ajo e pat kuptuar që vajza e saj ishte një fëmijë jo i zakonshëm kur Anthaea-Grace ishte rreth dy vjeç e gjysmë.

16 qershor - Në ora 15:00, sipas raportimit të Statistics Canada, popullsia e Kanadasë e kapërceu shifrën e 40 milionë banorëve. Përllogaritjen e saj agjencia federale e statistikave e bazon tek Canada's population clock (real-time model), një software që modelon në kohë reale numrin e lindjeve, vdekjeve dhe ardhjeve të imigrantëve të rinj në vend. Pragu i mëparshëm prej 30 milionë banorësh u arrit pak më shumë se 25 vjet më parë, pikërisht në vitin 1997. Ndërkohë, ekspertët e fushës deklaruan se nëse rritja e popullsisë vazhdon me këtë ritëm, shifra 50 milionë mund të arrihet qysh në vitin 2050.

23 qershor - Bordi i Sigurisë së Transporteve të Kanadasë (Transportation Safety Board of Canada) nisi një hetim për aksidentin e nëndetëses Titan të kompanisë OceanGate, hetim i cili implikonte dhe anijen kanadeze Polar Prince. Ishte pikërisht kjo anije tregëtare që po siguronte mbështetjen mbi sipërfaqen e oqeanit Atlantik për pasagjerët e Titan dhe ajo ndodhej në hapësirën ujore ku u mbyt transoqeaniku Titanik më 15 prill 1912, afërsisht 600 km në Jug-Juglindje të provincës Newfoundland dhe Labrador. Para zhytjes së Titan, që rezultoi fatale, në bordin e Polar Prince ndodheshin gjithsej 17 anëtarë të ekuipazhit dhe 24 persona, ndër të cilët edhe 5 fatkeqët që humbën jetën pas shkatërimit të nëndetëses, mbetjet e së cilës u lokalizuan pranë rrënojave të Titanikut.

26 qershor - Pas zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, Olivia Chow, ish-deputetja federale e NDP dhe e veja e Jack Layton, zgjidhet kryetare e Bashkisë Toronto. Ajo është e treta grua në historinë e metropolit kanadez me rreth 2.6 milionë banorë që merr këtë detyrë. Për Chow kjo ishte hera e dytë që garonte për postin e kreut të bashkisë më të madhe në vend. Në vitin 2014, kur John Torry u zgjodh për herë të parë ajo u rendit e treta. Zgjedhjet e parakohshme erdhën si rezultat i dorëheqjes së John Torry janar 2022, për shkak të një skandali të publikuar nga mediat mbi një lidhje jashtëmartesore të tij me një vartëse.

28 qershor - Pas një takimi dhe votimi virtual shkarkohet nga detyra kryetarja e Asamblesë së First Nations (AFN) në Kanada, RoseAnne Archibald. Mocioni për shkarkimin e saj mori 71% të votave. 163 nga 231 drejtuesit pjesëmarrës në takim votuan kundër Archibald. Pragu minimal për miratimin e mocionit ishte 60%. Ky votim i dha fund më shumë se një viti polemikash të brendshme në këtë organizate, që mbron interesat e First Nations, një nga tre grupet kryesore të popujve autoktonë në vend. Asambleja, institucion i financuar nga qeveria federale, ishte përfshirë në një konflikt dhe situatë mosmarrëveshjesh lidershipi qysh nga fundi i vitit 2020. Ndërkohë, kryetarja Archibald u pezullua nga detyra në pranverën e vitit 2022 në momentin kur ndaj saj nisi një hetim për keqtrajtim dhe presion të ushtruar ndaj vartësve.

Korrik

5 korrik - Ontario hedh hapin e parë drejt ndërtimit të një centrali të ri bërthamor me kapacitet prodhues të lartë - i pari në më shumë se 30 vjet - për të përmbushur kërkesën në rritje për energji elektrike në territorin e saj. Ministri i Energjisë Todd Smith njofton se qeveria Ford ka si objektiv të ndërtojë një central të ri bërthamor në provincë për të prodhuar deri në 4,800 megavat, kapacitet ky i mjaftueshëm për të furnizuar me energji elektrike 4.8 milionë banesa. Ky termocentral i ri parashikohet të ndërtohet pranë centralit ekzistues Bruce Power, në brigjet e liqenit Huron, në Tiverton.

9 korrik - Çiklisti kanadez Michael Woods arrin suksesin më të madh të karrierës së tij sportive, duke fituar etapën e 9-të të Tour de France (edicioni 110), teksa mbërriti i pari në majën e famshme vullkanike Puy de Dôme, në lartësinë 1415 metra. Kjo ishte fitorja e tretë e një kanadezi në një nga etapat e këtij kompeticioni prestigjioz, pas Steve Bauer në vitin 1988 dhe Hugo Houle më 2022. Woods përshkoi distancën 182.4 km midis Saint-Léonard-de-Noblat dhe Puy de Dôme në 4 orë 19 minuta dhe 41 sekonda.

10 korrik - Qeveria kanadeze vendos investimin e 1.2 miliardë dollarë shtesë për të mbështetur misionin ushtarak të NATO-s në Letoni. Kryeministri kanadez Justin Trudeau e bëri publik lajmin gjatë vizitës në kampin ushtarak Adazi, jo larg Rigës (kryeqyteti i Letonisë) së bashku me kryeministrin letonez Krisjanis Karins dhe ministren kanadeze të Mbrojtjes Kombëtare Anita Anand. Shuma iu shtua 1.4 miliardë dollarëve që kanë qenë miratuar në buxhetin e vitit 2022.

21 korrik - Një ish-oficer në pension i Policisë Federale Kanadeze (RCMP), vihet nën akuzë dhe dyshohet së ka transmetuar informacion dhe përdorur shërbimet kanadeze për të favorizuar ndërhyrjen e Kinës në punët e brendshme të Kanadasë. Sipas deklaratës zyrtare të RCMP, 60-vjeçari William Majcher, rezident në Hong Kong, u paraqit me videokonferencë para gjykatës së rajonit administrativ Longueuil (Québec). Atij iu komunikuan dhe dy akuzat me të cilat do të përballet, konkretisht kryerja e veprimeve përgatitore në emër të një subjekti të huaj dhe komplot. William Majcher ka qenë nën hetim prej RCMP qysh nga vjeshta e vitit 2021 dhe ndër të tjera, ka përdorur njohuritë që posedonte dhe rrjetin e gjerë të kontakteve për të marrë informacione dhe shërbime në favor të Kinës. Ai gjithashtu dyshohet se ka favorizuar përpjekjet e qeverisë kineze për të identifikuar dhe frikësuar një individ.

26 korrik - Kryeministri kanadez Justin Trudeau riformaton qeverinë. 7 ministra të larguar dhe 7 ministra të rinj. Rishpëndarje postesh. Vetëm 8 nga 38 ministra nuk ndryshuan portofol.  Qeveria e riformatuar sërish me 38 ministra. Nuk ndryshon pariteti gjinor, 19 femra dhe 19 meshkuj. 7 ministrat e larguar nga kabineti ishin David Lametti (Drejtësia), Marco Mendicino (Rendi Publik), Omar Alghabra (Transporti), Mona Fortier (Këshilli i Thesarit), Joyce Murray (Oqeanet, Peshkimi dhe Roja Bregdetare), Carolyn Bennett (Shëndeti Mendor dhe Varësitë) dhe Helena Jaczek (Shërbimet Publike dhe Furnizimi).

30 korrik - Notarja kanadeze Summer McIntosh fiton medaljen e artë në 400 metra stil i përzier në ditën e fundit të Kampionatin Botëror të Notit që u zhvillua në Fukuoka të Japonisë. Përveçse u shpall kampione, atletja nga Toronto realizoi edhe një rekord të ri botëror me kohën 4 min 27 s 11/100. 16-vjeçarja McIntosh arriti në finish shumë përpara amerikanes Katie Grimes me diferencë 4.30 sekonda, ndërsa australiania Jenna Forrester përfundoi e treta (+5.19).

31 korrik - Merr fund aventura e ekipit kombëtar kanadez të femrave në Botërorin e Futbollit që po zhvillohej në Australi dhe Zelandën e Re. Kampionet olimpike në fuqi (të renditura aktualisht në vendin e 7-të në botë), të cilave do t’iu mjaftonte vetëm një barazim për t’u kualifikuar, u shpartalluan 4-0 para 27,706 shikuesve në stadiumin AAMI Park në Melburn. Për Australinë, fitorja ishte alternativa e vetme për t’u kualifikuar në 1/8 e finaleve.

Gusht

2 gusht - Kryeministri Justin Trudeau dhe bashkëshortja e tij, Sophie Grégoire, deklarojnë se kanë vendosur të ndahen nga njeri-tjetri pas 18 vitesh martesë. “Kjo është një ndarje dhe jo një divorc”, pohoi për Radio-Canada Zyra e kryeministrit. I njëjti burim saktësoi që Sophie Gregoire dhe kryeministri kishin nënshkruar një marrëveshje ligjore për ndarjen, duke ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe etikë në lidhje me këtë vendim.

18 gusht - British Columbia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, për shkak se zjarret në pyje po rrezikonin disa komunitete në të gjithë territorin e provincës. Lajmin e konfirmoi kryeministri David Eby, i cili e cilësoi situatën shumë kritike. Urdhërat e evakuimit përfshinin rreth 15,000 objekte banimi ose aktiviteti.

20 gusht - Në Budapest të Hungarisë, ku nga 17 deri më 26 gusht po zhvillohej Kampionati i 19-të Botëror i Atletikës (2023 World Athletics Championships), atleti kanadez 21 vjeçar nga British Columbia, Ethan Katzberg, fitoi medaljen e artë në hedhjen e çekiçit, duke u bërë kampioni i parë kanadez i botës në këtë disiplinë. Në provën e tij të pestë ai i befasoi të gjithë duke realizuar një hedhje prej 81.25 metrash, që ishte dhe rekord kanadez, duke lënë pas polakun Wojciech Nowicki (81.02 m), kampion olimpik në Tokio dhe hungarezin Bence Halasz (80.82 m).

24 gusht - Sërish në Budapest të Hungarisë, kanadezja Camryn Rogers shpallet kampione bote për femra në hedhjen e çekiçit me rezultatin 77.22 metra, të realizuar qysh në hedhjen e parë, duke lënë pas në vendin e dytë dhe të tretë amerikanet Janee' Kassanavoid dhe DeAnna Price.

26 gusht - Kanadaja koleksionon edhe dy medalje të tjera ari në Kampionatin Botëror të Atletikës, njerën në dhjetëgarësh dhe tjetrën në vrapimin 800 metra për meshkuj. Në dhjetëgarësh beteja për vendin e parë u zhvillua mes dy kanadezëve, ku 27 vjeçari Pierce LePage (204 cm), triumfoi mbi kampionin olimpik dhe fituesin e medaljes së artë në Tokio (2021), bashkëatdhetarin Damian Warner. Medaljen e dytë të artë Kanadasë ia dhuroi 25 vjeçari Marco Arop në 800 m, për të cilin gjithashtu ky ishte titulli i parë kampion në një botëror atletike. Ai e përshkoi distancën në 1 min 44 s 24/100 përpara kenianit Emmanuel Wanyonyi (1:44.53), fitues i medaljes së argjendtë dhe britanikut Ben Pattison (1:44.83), fitues i medaljes së bronztë.

Shtator

1 shtator - Pas Ljubljanës dhe Shkupit, ministrja e Jashtme e Kanadasë Mélanie Joly mbylli në Tiranë turin e vizitave në Ballkan. Njoftimi për vizitën ishte bërë publik nga Global Affairs Canada dhe sipas komunikatës zyrtare, qëllimi i vizitës ishte riafirmimi i mbështetjen dhe solidaritetit të Kanadasë me vendet që preken drejtpërdrejt nga agresioni i paligjshëm i Rusisë kundër Ukrainës. Vizita ishte pjesë e angazhimit të deklaruar nga Kanadaja dhe aleatët e saj në samitin e fundit të NATO-s, të mbajtur në Vilnius të Lituanisë, për të vepruar së bashku kundër autokracisë dhe autoritarizmit. Në Tiranë ajo u takua me kryeministrin Edi Rama, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi si dhe me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja. Gjatë takimeve u fol për partneritetet dhe mbështetjen për prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, diversitetin, aftësitë e kufizuara dhe fuqizimin ekonomik të grave.

3 shtator - Për herë të parë që nga viti 2000 në Sydney të Australisë, ekipi kanadez i basketbollit për meshkuj do të marrë pjesë sërish në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen vitin e ardhshëm në Paris. Ky kualifikim i shumëpritur u realizua falë fitores 88-85 ndaj ekipit të Spanjës, pas një përmbysjeje spektakolare të rezultatit në çerekun e katërt të ndeshjes, duke kaluar kësisoj mes 8 ekipeve më të forta në çerekfinalen e Kupës së Botës FIBA, që po zhvillohej me pjesëmarrjen e 32 shteteve në Japoni, Filipine dhe Indonezi (25 gusht-10 shtator).

7 shtator - Skandali më i madh politik i dekadës së fundit në Kanada i nënshtrohet hetimit publik. Pas presioneve të vazhdueshme disamujore nga ana e opozitës konservatore, por edhe NDP dhe Bllokut të Québec, Liberalët e kryeministrit Justin Trudeau detyrihen të bëjnë një hap prapa dhe Ministri i Rendit publik, Institucioneve demokratike dhe Çështjeve ndërqeveritare, Dominic LeBlanc komunikoi zyrtarisht emrin e kryesueses se hetimit. Ajo quhet Marie-Josée Hogue, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Québec. Gjyqtarja Hogue do ketë si mandat të shqyrtojë dhe vlerësojë ndërhyrjen e huaj në procesin zgjedhor kanadez dhe mbi institucionet demokratike kanadeze, më konkretish nga Kina, nga Rusia dhe aktorë të tjerë të huaj, ndër të cilët dhe organizata joshtetërore. Kryesuesja e hetimit parashikohet të paraqesë një raport paraprak brenda datës 29 shkurt 2024 dhe një raport përfundimtar brenda datës 31 dhjetor 2024.

10 shtator - Ekipi kanadez i basketbollit për meshkuj mund Shtetet e Bashkuara me rezultatin 127-118 në kohën shtesë, në ndeshjen për vendin e tretë dhe të katërt që u zhvillua në Filipine, duke siguruar medaljen e bronztë në Kupën e Botës FIBA 2023. Kjo medalje ishte e para në historinë e pjesëmarrjeve të Kanadasë në këtë kompeticion.

18 shtator - Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Indisë, fuqisë së pestë ekonomike në botë, përfshihen nga një krizë diplomatike pa precedent. Të dy vëndet dëbuan secili nga një diplomat. Shkak për krizën u bërë vrasja në 18 qershor 2023 në Surrey të British Columbia e Hardeep Singh Nijjar, një indipendentist sikh me shtetësi kanadeze. Aktualisht në Kanada jetojnë rreth 1,3 milionë shtetas me origjinë indiane, çka përfaqëson rreth 4% të popullsisë totale në vend. Çështja u bë publike në Dhomën e Deputetëve nga kryeministri Justin Trudeau i cili denoncoi rolin e mundshëm të qeverisë indiane në ekzekutimin e Nijjar.

19 shtator - Një vend fosilesh me rëndësi parësore, Anticosti, ishulli më i madh në Québec me vetëm 200 banorë, iu bashkua listës së pasurive më të çmuara natyrore dhe kulturore në botë. Vendimi u mor nga anëtarët e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), të mbledhur në Arabinë Saudite.

21 shtator - Qeveria kanadeze deklaron se ka prova të forta që lidhin zyrtarët e qeverisë indiane me vrasjen e militantit sikh Hardeep Singh Nijjar në Surrey të British Columbia, madje sipas Ottawa, autoritetet indiane privatisht nuk i kanë mohuar akuzat. Sipas informacionit të marrë nga CBC, këshilltarja e Sigurisë Kombëtare e kryeministrit Justin Trudeau, Jody Thomas, e ka vizituar Indinë dy here, fillimisht nga 16 deri më 19 gusht, më pas nga 6 deri më 11 shtator, gjatë ditëve të Samitit të G20, ku mori pjesë dhe kryeministri kanadez. Gjatë këtyre vizitave, asnjë përfaqësues i qeverisë së kryeministrit indian Narendra Modi nuk i kishte mohuar pretendimet e qeverisë së Kanadasë.

22 shtator - Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi zyrtarisht Kanadanë. Ai u prit në takime të veçanta nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe nga kryeministri Trudeau. Me këtë të fundit ai nënshkroi edhe një marrëveshje për forcimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve. Presidenti ukrainas mbajti gjithashtu edhe një fjalim në Parlamentin kanadez.

26 shtator - Jep dorëheqjen kryetari i Dhomës së Komunave të Kanadasë, Anthony Rota. Dorëheqja e detyruar erdhi pas homazhit që ai i bëri gjatë vizitës së Presidentit Volodymyr Zelensky në Parlament një ish-ushtari ukrainas (Yaroslav Hunka), i cili luftoi përkrah nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Kjo ngjarje, e denoncuar fillimisht nga disa organizata të komunitetit hebre, shkaktoi një valë reagimesh të menjëhershme në radhët e klasës politike kanadeze dhe mori përmasat e një skandali politiko-diplomatik. Gafë monumentale dhe pa precedent e cilësuan aktin e kreut të Parlamentit shumë analistë në media.

28 shtator - Qeveria federale kanadeze dhe qeveria provinciale e Québec njoftuan miratimin e një subvencioni prej 7.3 miliardë dollarë për të tërhequr kompaninë suedeze Northvolt dhe projektin e saj të fabrikës së baterive të automjeteve elektrike. Fabrika do jetë në gjendje të prodhojë celula baterish për të furnizuar rreth një milion automjete në vit. Sipas Ottawa, bateritë e prodhuara do të jenë ndër më të gjelbrat në botë. Fabrika që kompania suedeze Northvolt synon të ndërtojë në rajonin Montérégie do të punësojë rreth 3000 vetë. Me një sipërfaqe të barabartë me 318 fusha futbolli amerikan, ajo do të vendoset në një territor dikur industrial mes bashkive Saint-Basile-le-Grand dhe McMasterville.

Tetor

3 tetor - Për herë të parë në historinë e Kanadasë, Dhoma e Komunave do drejtohet prej një deputeti me prejardhje nga komuniteti me ngjyrë. Ai quhet Greg Fergus, deputet i Partisë Liberale të kryministrit Justin Trudeau, i zgjedhur qysh në vitin 2015 në zonën elektorale Hull-Aylmer (Gatineau, provinca Québec). Zgjedhja e tij u bë përmes një votimi preferencial nga deputetët, për të zevendësuar paraardhësin e tij, Anthony Rota, i dorëhequr pas një skandali politiko-diplomatik të ndodhur gjatë vizitës në Kanada të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

4 tetor - Votuesit e provincës Manitoba largojnë nga pushteti Partinë Progresiste-Konservatore dhe kthejnë në qeverisje pas 7 vitesh Partinë e Re Demokratike (NDP). Me fitoren e Neodemokratëve, kreu i kësaj partie, Wab Kinew, bëhet kryeministri i parë me origjinë autoktone i një province kanadeze.

10 tetor - Pas shpërthimit të luftës Izrael-Hamas, Kanadaja vendos dërgimin e avionëve të Forcave të Armatosura Kanadeze në Tel Aviv për të mundësuar riatdhesimin e shtetasve kanadezë që ndodhen në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gaza. Qytetarët kanadezë dhe rezidentëve të përhershëm kanadezë u bëhet thirrje të regjistrohen në faqen internet të Global Affairs për të marrë informacionin e nevojshëm.

10 tetor - British Columbia bëhet province e pare që nënshkruan një marrëveshje financimi të veçantë me qeverinë federale si pjesë e marrëveshjes shëndetësore prej 196 miliardë dollarësh, të prezantuar nga Ottawa këtë vit. Pas firmosjes, Ottawa tashmë do t’i transferojë 1.2 miliardë dollarë kësaj province për një periudhë tre vjeçare.

13 tetor - Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly viziton Izraelin, ku u takua me homologun e saj izraelit, Eli Cohen. Joly bisedoi edhe me ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad Al-Malik, ndërsa më pas vizitoi Jordaninë. Mélanie Joly takoi gjithashtu stafin e ambasadës kanadeze në Tel Aviv dhe atë të zyrës në Ramallah, në Bregun Perëndimor.

16 tetor - Një avion ushtarak kanadez u provokua mbi Detin e Verdhë nga një avion gjuajtës kinez që po kryente manovra “të pazakonta, agresive dhe të rrezikshme”. Korrespondenti i Radio-Canada në Azi, Philippe Leblanc, i cili ndodhej në bordin e avionit kanadez, raportoi se gjuajtësi kinez ishte aq afër, sa dukej sikur krahët e tij do preknin krahët e avionit kanadez. Sipas Leblanc, distanca në ajër mes dy mjeteve fluturese ishte më pak se 10 metra.

25 tetor - Komisariati i Lartë i Indisë në Kanada njofton se personeli i tij do rifillojë përpunimin e disa llojeve të aplikimeve për viza pranë zyrës në Ottawa, si dhe pranë konsullatave në Toronto dhe Vancouver. Nju Delhi i pat pezulluar këto shërbime një muaj më parë në zyrat indiane në Kanada dhe për qytetarët kanadezë në mbarë botën si pasojë konfliktit diplomatik Kanada-Indi për çështjen e vrasjes së një militanti sikh me shtetësi kanadeze, akt për të cilin qeveria kanadeze akuzoi për implikim të drejpërdrejtë shtetin indian.

26 tetor - Kryeministrja Danielle Smith deklaron se fushata për tërheqjen e mundshme të Alberta-s nga Plani i Pensionit të Kanadasë (CPP) do të vazhdojë, pavarësisht nga paqartësia mbi pjesën që mund t’i kalojë provincës, nëse ajo tërhiqet nga fondi federal i pensionit për të krijuar të vetin. Sipas përllogaritjeve të qeverisë provinciale, pjesa e fondit federal që duhet t’i rikthehet Alberta-s është 334 miliardë dollarë, ndërsa sipas ekonomistëve të Bordit të Investimeve të CPP, në rastin më të mirë, pjesa e kthyer do të ishte gjysma e kësaj shume.

Nëntor

1 nëntor - Qeveria federale e Kanadasë deklaroi se do vazhdojë të ketë si objektiv për vitin 2025 arritjen e pragut prej 500,000 të ardhurisht të rinj, prag i cili nuk do të ndryshojë gjatë viteve në vijim. Ottawa synon t’i përzgjedhë më me skrupulozitet kanadezët e rinj, në mënyrë që të plotësojë mungesën e fuqisë punëtore duke respektuar kapacitetin pritës të provincave. Në konferencën për mediat, ministri i Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Marc Miller, konfirmoi rritjen e kuotës së imigracionit për të ardhurit e rinj vitin e ardhshëm në shifrat 485,000 dhe më pas vendosjen, nga viti 2025, të një maksimumi prej gjysmë milioni banorësh shtesë.

4 nëntor - Zhvillohet kongresi i Saskatchewan Party, partia në pushtet në provincën Saskatchewan, e drejtuar nga kryeministri Scott Moe. Në kongres, ku tema kryesore ishte taksa federale e karbonit, i pranishëm ishte edhe shefi i opozitës zyrtare federale, kryetari i Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilievre. Scott Moe u votëbesua me 87% të votave nga delegatët, të cilët votuan edhe disa rezoluta.

7 nëntor - Nis evakuimi i kanadezëve nga Gaza. 80 shtetas kanadezë nga 450 të bllokuar në Rripin e Gazës, morën autorizimin për t’u larguar nga ky territor palestinez, i rrethuar dhe i bombarduar nga ushtria izraelite qysh nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në territorin e Izraelit një muaj më parë.

12 nëntor - Mijëra protestues pro Palestinës u mblodhën në Montreal për të kërkuar armëpushim në Rripin e Gazës. Ata kundërshtuan mbështetjen që qeveria Trudeau i jep Izraelit dhe kërkuan heqjen e bllokadës në enklavën paslestineze. Kjo ishte fundjava e katërt e mobilizimit pro-palestinez që nga fillimi i sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe përshkallëzimi i konfliktit izraelito-palestinez. Në pankartat që manifestuesit mbanin në duar mbizotëronte slogani “Stop gjenocidit”.

14 nëntor - Me rastin e 75 vjetorit të mbretit Charles III, Royal Canadian Mint, korporata shtetërore me qendër në Winnipeg (Manitoba) që prodhon të gjitha monedhat në Kanada, prezantoi portretin e monarkut të ri britanik (njëherazi dhe kreu i shtetit kanadez) që do të figurojë në pjesën e përparme të të gjitha monedhave kanadeze. Portreti i përzgjedhur mes 350 pjesëmarrësve në konkurim u miratua nga Buckingham Palace dhe ka për autor artistin kanadez Steven Rosati.

15 nëntor - Mediat kanadeze raportuan që kryeministri Justin Trudeau, i cili ndodhej për një vizitë në provincën British Columbia, në dy raste u vu përpara dhe u detyrua të largohej prej dy restoranteve nga grupe protestuesish që kërkonin armëpushim në Rripin e Gazës. Incidentet ndodhën mbrëmjen e të martës 14 nëntor, para orës 22:00 teksa Trudeau ishte duke darkuar në Vancouver, fillimisht në një restorant indian, ndërsa më pas në një tjetër restorant, në zonën e njohur me emrin Chinatown, në Main Street. Në vendodhjen e dytë është dashur ndërhyrja energjike e policisë për ta lejuar atë të largohej nga vendi i ngjarjes.

16 nëntor - Shërbimi Policor i Regina kreu një operacion që synonte të luftonte shfrytëzimin seksual dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 16 persona, mes tyre edhe Ryan Domotor deputet i partisë në pushtet në provincën Saskatchewan. Gjatë arrestimit, ky i fundit ndodhej në një hotel në pjesën lindore të kryeqytetit të provincës. Domotor do të paraqitet para gjykatës në Regina më 4 janar 2024. Ai përfaqëson zgjedhësit e zonës elektorale Cut Knife-Turtleford që nga viti 2020 dhe i pat fituar zgjedhjet me 76% të votave. Me marrjen e lajmit, kreyministri Scott Moe deklaroi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar dhe shkarkimin nga çdo funskion që mbante.

19 nëntor - E zhvilluar para rreth 29,000 spektatorëve në Hamilton të Ontarios, finalja e Kupës Grey të Canadian Football League i hodhi poshtë të gjitha parashikimet e ekspertëve për fituesin e titullit. Në një përballje dramatike, që thuajse gjithë kohën anoi në favor të Winnipeg Blue Bombers, ka qenë Montreal Alouettes, që në fund trimfoi duke rrëmbyer trofeun e 110-të të Grey Cup me rezultatin 28-24, falë një goditjeje të Tyson Philpot në 13 sekondat e fundit të takimit. Kjo ishte Kupa e tetë Grey në historinë e Alouettes, ekip që nuk kishte humbur më që nga 15 shtatori 2023, duke realizuar tetë fitore radhazi, ndërkohë që finalja dhe titulli i tij i fundit kampion datonte në vitin 2010.

22 nëntor - FBI, Zyra Federale e Hetimit të Shteteve të Bashkuara nisi hetime intensive pas shpërthimit në orën 11:30 të një automjeti në urën Rainbow në Niagara Falls, urë e cila lidh SHBA me Kanadanë. Si rezultat i shpërthimit, dy personat që ndodheshin në automjet humbën jetën, ndërsa një agjent doganor amerikan u plagos lehtë. Sipas deklaratës që bëri në mbrëmje guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, të cilës iu referua media shtetërore CBC/Radio Canada, nuk kishte asnjë indikacion se shpërthimi i automjetit ishte një akt terrorist. Nga ana e saj, Policia Rajonale e Niagarës, komunikoi që ngjarja ndodhi në anën amerikane të Rainbow bridge dhe në pjesën kanadeze të kufirit nuk pati asnjë rrezik për ata që prisnin të kalonin drejt SHBA.

23 nëntor - Negocimi i vështirë për kontratat e reja kolektive mes qeverisë provinciale në Québec dhe sektorit publik, arrin kulmin. Sindikatat që përfaqësojnë rreth 570,000 punonjës zhvilluan grevë në të njëjtën kohë. E para Federata Autonome e Arsimit, e cila përfaqëson rreth 66,000 mësues në nivelet fillore dhe të mesme, nisi një grevë të përgjithshme të pacaktuar. dyta, Federata Ndërprofesionale e Shëndetit (FIQ), e cila përfaqëson 80,000 infermierë, ndihmës infermierë, terapistë të frymëmarrjes dhe perfuzionistë klinikë. Gjithashtu, Fronti i Përbashkët Ndërsindikal, i cili përfaqëson 420,000 punonjës publikë përmes katër organizatave të tij anëtare - CSN, CSQ, APTS dhe FTQ.

Dhjetor

2 dhjetor - Kryetarja e Bashkisë së Mississauga Bonnie Crombie u zgjodh në krye të Partisë Liberale të Ontarios. Crombie, e cila do ketë për mision të udhëheqë gjithashtu fushatën e zgjedhjeve të ardhshme provinciale pas 3 vjetësh, ishte në garë me deputetët federalë të Partisë Liberale të Kanadasë Nate Erskine-Smith dhe Yasir Naqvi, si dhe me deputetin provincial Ted Hsu. Rezultati i garës u bë i ditur pasi u zhvilluan tre raunde votimi. Në raundin e tretë Bonnie Crombie arriti të marrë 54,4% të votave, përballë Nate Erskine-Smith me 46,6%.

4 dhjetor - Përmes një deklaratë për shtyp kompania shtetërore kanadeze e informacionit CBC/Radio-Canada njoftoi reduktime të konsiderueshme në stafin dhe programet e saj. Sipas deklaratës, bëhej fjalë për 600 vende pune (të sindikalizuara dhe jo të sindikalizuara) në të gjithë vendin që do shkurtohen gradualisht gjatë 12 muajve të ardhshëm. Po kështu, rreth 200 poste vakante do të suprimohen përfundimisht. Transmetuesi publik ka cituar një presion buxhetor prej afro 125 milionë dollarësh si shkak që e ka detyruar të marrë një vendim të tillë, ndryshim ky që do të pasqyrohet në vitin fiskal 2024-2025.

7 dhjetor - Shefja rajonale e provincës Manitoba, Cindy Woodhouse zgjidhet në krye të Asamblesë së First Nations të Kanadasë, pas tërheqjes nga gara dhe mbështetjes që i dha asaj rivali më i afërt David Pratt, në raundin e 7-të të votimit. Kjo nuk ishte hera e parë që një person arrin në krye të kësaj organizate pa numrin e duhur të votave. Në vitin 2021, RoseAnne Archibald fitoi në raundin e 5-të me vetëm 50.5% të votave, pas tërheqjes nga rivali i saj më i afërt, Reginald Bellerose. Cindy Woodhouse është gruaja e dytë që bëhet kryetare e kësaj asambleje, pas RoseAnne Archibald. Ajo do të qëndrojë në detyrë pak më shumë se tre vjet deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2027.

8 dhjetor - Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi emërimin e Leonard Marchand në postin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të provincës British Columbia. “Kryegjykatësi Marchand i ka kushtuar një pjesë të madhe të karrierës së tij lehtësimit të pajtimit me popujt autoktonë, përfshi dhe mbështetjen për trajtimin e padive civile të ndërmarra në emër të të mbijetuarve të shkollave rezidenciale”, thuhej në deklaratën e kryeministrit. Me origjinë nga komuniteti Syilx dhe anëtar i Fisit Indigjen Okanagan, ai është autoktoni i parë që emërohet kryetar gjykate në provincë. Leonard Marchand ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Provinciale të British Columbia nga 2013 deri në 2017. Ai u emërua më pas në Gjykatën Supreme të British Columbia në vitin 2017 dhe në Gjykatën e Apelit të British Columbia në vitin 2021.

23 dhjetor - Sipas raportit financiar mujor të ministrisë së Financave, qeveria federale kanadeze ka rezultuar me një deficit buxhetor prej 15.1 miliardë dollarësh nga prilli në tetor 2023, duke përfshirë 7 miliardë dollarë për muajin tetor. Deficiti për periudhën e krahasueshme të vitit të kaluar ishte 0.2 miliardë dollarë. Të ardhurat shtetërore u rritën me 3 miliardë dollarë, ose 1.2 për qind, për shkak të rritjes së interesit të të ardhurave të tjera jotatimore, ndërsa shpenzimet e programeve të ndryshme, duke përjashtuar humbjet neto aktuariale, u rritën me 11.8 miliardë dollarë, ose 5.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

27 dhjetor - Pas marrëveshjes në parim me qeverinë e kryeministrit François Legault, përfundon greva e përgjithshme pa limit që zgjaste prej 22 ditësh e Federatës Autonome të Mësimdhënësve të provincës Québec (65,000 anëtarë).

28 dhjetor - Fronti i Përbashkët Ndërsindikal i Québec (420,000 anëtarë nga sektori i arsimit dhe shëndetësisë) dhe qeveria provinciale arrijnë marrëveshjen në parim në tryezën qendrore të negociatave për kontratat kolektive.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada dhe The Canadian Press

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press