Aktualitet

Një film shqiptar në ‘Welcoming Ottawa Week’

Kanadaja, për shkak të popullsisë së saj multikulturale e ka traditë t’u bëjë vend dhe t’u rezervojë hapësira të ndryshme çdo komuniteti. Kjo nuk ndodh vetevetiu, por qeveria në mënyrë të organizuar dhe planifikuar shpall platforma promovuese herë pas here.

Ja për shembull këtë muaj në Ottawa nga data 17 deri më 30 qershor organizohet aktiviteti “Welcoming Ottawa Week”, çelur nga kryetari i Bashkisë së Ottawa-s Jim Watson. Gjatë kësaj jave festive, qëllimi i së cilës është mikëpritja e të sapoardhurve dhe mbështetja për integrimin e tyre, pritet të ketë pjesëmarrje të gjerë nga diaspora të vendeve të ndryshme të botës.

Ambasadori i Shqipërisë në Kanada Ermal Muça, i ftuar nga kryebashkiaku i Ottawa-s t’i bashkëngjitet javës festive, bën me dije për Flasshqip se ambasada shqiptare do të jetë pjesë e këtij festivali festimesh nëpërmjet shfaqjes së filmit shqiptar “Bota” (i titruar në anglisht) në Galerinë e Arteve të Ottawa-s.

Filmi “Bota” është një produksion i vitit 2014, me regji të Iris Elezi dhe Thomas Logorecit, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Aktorët kryesorë janë Tinka Kurti, Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, etj.

Ambasada shqiptare fton bashkëatdhetarët të takohen në kinema. Të interesuarit mund të regjistrohen në këtë link https://www.eventbrite.ca/e/its-albanian-movie-time-tickets…

 

©FlasShqip.ca