Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 18 dhjetor 2022

 

Christmas Carol - Campbell House Museum Toronto

 

-British Columbia, Agjencia e Shërbimeve Kufitare sekuestron 2 ton e gjysëm opium

-Manitoba, i jepet lamtumira e fundit ish-ministrit dhe deputetit federal Jim Carr

-New Brunswick, qeveria do vazhdojë të japë ndihmën urgjente për njerëzit në nevojë

-Newfoundland, 1.7 milionë hektarë në dispozicion për centrale eoliane

-Québec, Montreali Metropolitan mbulohet nga 30 cm dëborë

-Ontario, Këshilli bashkiak i Torontos denoncon kompetencat e reja të kryetarit

 

British Columbia - Agjencia e Shërbimeve Kufitare të Kanadasë njoftoi të premten (16.12) sekuestrimin në Vancouver të një sasie prej rreth 2,500 kilogramë opium të fshehur në disa kontejnerë. Hetimi pat nisur qysh në shtator nga seksioni i inteligjencës së agjencisë dhe Njësia e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar e Policisë Federale Kanadeze (RCMP). Bazuar në këtë hetim, në portin e Vancouver vazhdoi kontrolli i dokumentacionit dhe mallrave të përfshira në 19 kontejnerë detarë. Më pas ekzaminimi me rreze X, konfirmoi praninë e afërsisht 2500 kilogramë opium të fshehura në 247 paleta transporti. Kjo është sasia më e madhe e opiumit e sekuestruar deri më sot nga Agjencia e Shërbimeve Kufitare në Kanada. Droga e sekuestruar i është dorëzuar RCMP për hetime të mëtejshme.

Manitoba - Dje (17.12.) në Sallën e Koncerteve Centennial në Winnipeg, u zhvillua ceremonia përkujtimore në nderim të deputetit federal liberal të Winnipeg për zonën South Center, Jim Carr, i cili u nda nga jeta të hënën e kësaj jave në moshën 71-vjeçare. Në ceremoni morën pjesë shumë qytetarë. Prezent ishte dhe kryeministri Justin Trudeau, i cili mbajti dhe një fjalim në respekt të të ndjerit.  Jim Carr, me profesion muzikant dhe gazetar, pas disa viteve deputet në Parlamentin provincial të Manitoba, u zgjodh deputet federal për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2015. Nga 2015 deri më 2019 ai ishte fillimisht ministër i Burimeve Natyrore dhe më pas i Diversifikimit të Tregëtisë Ndërkombëtare, por pas diagnostikimit me kancer në gjak dhe më insufiçiencë renale në fund të vitit 2019 ai u dorëhoq nga qeveria. Dy vitet e fundit ai kreu funksionin e përfaqësuesit special të qeverisë për provincat e prarive si dhe drejtoi Komisionin Parlamentar për Rendin Publik dhe Sigurinë Kombëtare.

Jim Carr (R.I.P.)

New Brunswick - Qytetarët që plotësojnë kriteret për përfitimin e ndihmës emergjente për karburant dhe ushqime nga qeveria e New Brunswick janë njoftuar që ky program do vazhdojë të jetë në fuqi. Bëhet fjalë për një pagesë prej 225 dollarësh për njerëzit me të ardhura të ulëta, përfshi të moshuarit, ose 450 dollarë për familjet. Qeveria provinciale ka miratuar sërish një fond prej 22 milionë dollarësh për këtë qëllim. Ndihma financiare do t'u shpërndahet personave që tashmë përfitojnë nga programet sociale apo programet e strehimit si dhe disa përfituesve të programit të mbështetjes për aftësitë e kufizuara. Qysh kur u shpall kjo masë lehtësuese në qershor 2022, me një fond 20.1 milionë dollarë, prejt saj kanë përfituar deri tani më shumë se 69,000 familje.

Newfoundland - Qeveria e Newfoundland dhe Labrador ka shpallur tender për 1.7 milion hektarë tokë, territor ky i barabartë me trefishin e sipërfaqes së Prince Edward Island, që do t'u ofrohet kompanive të cilat synojnë ndërtimin e parqeve eoliane të prodhimit të energjisë. Deri më tani, 31 kompani kanë shprehur interes të zbatojnë projektë të tillë në ishullin Newfoundland, ku moratoriumi për turbinat me erë u hoq prillin e kaluar. Shumica synon të përdorë energjinë e erës për termocentralet që prodhojnë hidrogjen dhe amoniak për eksport. Në tetor, kompanitë propozuan 73 projekte dhe kërkuan përdorimin e 3.8 milionë hektarëve tokë, por qeveria provinciale përjashtoi nga procesi rreth 55% të tokave të kërkuara, sepse ato përfshijnë parqe, ekosisteme të rrezikuar, toka bujqësore, lugina ujore, miniera ose zona të mundshme shfrytëzimi minerar.

Québec - Reth 30 centimetra dëborë e mbuluan Montrealin Metropolitan dy ditët e fundit, dëborë e shoqëruar më pas edhe me reshje shiu që vazhduan edhe gjatë natës së mbrëmshme (17.12). Qarkullimi rrugor vazhdoi normalisht dhe janë regjistruar vetëm disa incidente të vogla. Transporti ajror u ndikua gjithashtu nga kushtet e motit dhe rreth 30 fluturime të brendshme e ndërkombëtare u shtynë ose u anuluan në aeroportin Montréal-Trudeau. Një operacion i gjerë pastrimi dhe shpërndarjeje materiali abraziv e akullshkrirës në gjithë rrjetin rrugor vazhdoi deri në përfundim të reshjeve. Ndërkohë, në territoret e bashkive vazhdon pastrimi i rrugëve dhe trotuarëve nga dëbora.

Ontario - Një shumicë prej 17 nga 25 këshilltarët e Bashkisë Toronto votuan këtë javë në favor të një mocioni që i bën thirrje qeverisë Ford të mos i japë kompetenca të shtuara kryebashkiakut John Tory. Sipas këtyre kompetencave të reja, kryetari Tory mund të miratojë akte nënligjore që lidhen me prioritete provinciale si strehimi dhe transporti publik me mbështetjen e vetëm një të tretës së këshilltarëve. Ky është një “shpërdorim pushteti”, sipas propozueses së mocionit të opozitës, këshilltares Amber Morley. Projektligji 39 u miratua para një jave në Parlamentin provincial dhe pritet të marrë dhe pëlqimin Mbretëror deri në fund të muajit. John Tory, që e cilësoi mocioni “teatër politik”, i kishte kërkuar këto kompetenca me justifikimin për të ndërtuar shpejt më shumë banesa. Sipas tij, qytetarët nuk shqetësohen për ligjin 39, por për strehimin dhe sigurinë. Ndërsa për kryeministrin Doug Ford është anormale që kryetari të ketë vetëm një votë në këshillin bashkiak. “Është si të drejtosh një kompani të madhe dhe CEO nuk mund të marrë vendime”, është shprehur ai.

John Tory

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press