Komunitet

SPECIALE COVID-19: Me shqiptarët në Ottawa, kryeqytetin kanadez - Na shkruajnë Kostandin Ristani dhe Alban Rrahmani

  • Published in Komunitet

Kostandin Ristani

Unë po e përjetoj herë herë këtë situatë të jashtëzakonshme si në një gjendje ëndrre sureale dhe herë herë si një eksperiencë pensionisti i mbyllur në shtëpi, megjithëse ende nuk kam dalë në pension. Që të premten e kaluar u njoftova nga Ministria e Mbrojtjes që për tre javë duhet të punojmë nga shtepia. Të martën edhe bashkëshortja u njoftua që duhet të ndërpresë punën për dy javë. Kështu që, si asnjë herë në jetën tonë martesore - 38 vjet, veç “muajit” të mjaltit, 15 ditëshit të pushimeve të martesës - nuk kemi qenë bashkë kaq gjatë pa ndërprerje të mbyllur në një mjedis shtëpie, pa praninë fizike të të tjerëve.

Gjatë kësaj kohe kemi dalë vetëm një herë për të bërë një pazar ushqimesh të shpejtë dhe zbatojmë me disiplinë ushtarake mbylljen në shtëpi - stay home. Veprojmë me disiplinë jo nga frika e infektimit, por nga maturia e kuptimit të situatës dhe vetëdisiplinimi, pa vënë në pyetje rregullin administrativ. Komunikojmë virtualisht me miqtë dhe të afërmit si dhe me kolegët dhe me atë pjesë të komunitetit tonë këtu me të cilën mbajmë lidhje të ngushta. Më erdhi keq që pasi u bëmë mbarë të shihemi për një kafe, katër miq që punojmë në administratën federale, u detyruam ta anullojmë… Uroj me gjithë zemër ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë që kurrë më parë nuk e kishim imagjinuar se do vinte një ditë!

 

Alban Rrahmani

Ne jemi familje 15 anëtareshe këtu ne Ottawa. Të gjithë jemi thuajse të izoluar me botën e jashtme, përveçse me njeri-tjetrin që shihemi çdo ditë.

Une e bashkëshortja kemi fatin të jemi pjesë e administratës federale dhe e kemi mundësinë të punojmë nga shtepia, gjë që na mundëson të kujdesemi për fëmijet dhe të zvogelojmë gjasat e kontaktit me ndonjë të infektuar nga COVID-19.

Komuniteti yne në Ottawa ka disa kanale të komunikimit dhe ne mundohemi që të percjellim lajmërime të rëndësishme përmes këtyre kanaleve. Në rrjetin social Facebook kemi faqen “Komuniteti Shqiptar në Ottawa-Albanian Community in Ottawa” me rreth 600 anëtarë dhe për këtë faqe kujdesem unë dhe Arbnor Krasniqi. Në fakt, kjo faqe është dhe mjeti kryesor i komunikimit tonë këtu. Bashkë me Arbnorin ne punojmë vullnetarisht për të mbajtur të gjallë frymën komunitare pa qenë pjesë e ndonjë organizate apo shoqate dhe pa fonde anëtarësie apo buxhet për organizim aktivitetesh. Gjithashtu kemi edhe një grup në VIBER që e përdorim më shumë për raste emergjente.

Nisur nga situate e pazakontë që po kalojmë, mendoj se një iniciativë me vlerë do të ishtë nësë merr dikush përsipër që ne si shqiptaro-kanadezë të krijojmë një këshill të përbashkët (me dy tre përfaqësues nga çdo provincë) në rang vendi për menaxhimin e emergjencave jo vetëm këtu, por edhe në vendlindje.

©Flasshqip.ca