Komunitet

SPECIALE COVID-19: Na shkruajnë anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, Adriana Bejko dhe Ardian Radovicka

  • Published in Komunitet

Adriana Bejko

Është një situatë që nuk e dimë se sa do të zgjasë. Kemi krijuar një grup-chat me të gjithë kryetarët e shoqatave dhe aty komunikojmë herë pas here.  Mua (si e moshuar që jam) më kanë telefonuar dhe dy familje shqiptare në Calgary për të më ofruar ndihmë nëse kam nevojë për blerje ushqimesh apo marrje ilaçesh në farmaci. Kjo ishtë një mrekulli. Gjithë ditën ndihesha e lumtur. Një gjest i tillë ka një impakt kaq të madh. Do të gjeja çdo forcë për të qenë optimiste... e gjitha kjo nga një telefonatë!  

Secili nga ne ka aftësi të ndryshme. Unë, si mësuese, po fokusohem tek femijët. Dihet që ata do të mërziten gjithë ditën brenda.  Ndoshta ky është momenti më i mirë për të punuar me gjuhën shqipe, për të mësuar kulturën tonë, pasi prindërit janë në shtëpi dhe mund të kalojnë një kohë të këndshme me fëmijët e tyre.

Unë po mendoj të postoj çdo ditë "ditarin" tim me aktivitete gjuhësore dhe lojra, filma për fëmijë apo apo filma shqiptarë që po përdor me nipin dhe mbesën time. Shpresoj që të tjerë të mund t'i përdorin ato me fëmijët e tyre. Mbase do të bëhem si Mrs. Doubtfire (tek ai filmi me Robin Williams) me shpresën që fëmijët të kalojnë sa më mirë dhe prindërit të merren më shumë me fëmijët e tyre. 

Dikush mund të jetë i talentuar në pikturë dhe të japë "mësime vizatimi", dikush mund të tregojë si gatuhet një gjelle shqiptare siç e filluat dhe ju rubrikën në Flasshqip. Pra le të bëhemi krijues dhe ta kthejmë "boring isolation" në favorin tonë. Duke ju uruar shëndet gjithë bashkëatdhetarëve kudo që ndodhen në Kanada, i ftoj të gjithë të mbetemi në kontakt dhe të lutemi për njeri-tjetrin e që kjo situatë e jashtëzakonshme të kalojë sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja për të gjithë pa përjashtim.

Ardian Radovicka

Qeveria Federale Kanadeze pati fatin të nxjerrë mësime nga ata shtete që u përballën me herët dhe më rëndë me pandeminë COVID-19. Ajo zgjodhi qasjen proaktive ndaj situatës dhe duket që deri tani e ka situatën nën kontroll. Mund të përmendim një sëri masash në tre nivelet e qeverisjes, si pezullimin pa afat të fluturimeve në të gjitha vendet, mbylljen e shkollave, mbylljen e shërbimeve jo kryesore, punën në distancë, anullimin e të gjitha aktiviteteve kulturore e sportive si dhe paketën fiskale në ndihmë të bizneseve dhe qytetarëve. Po u kërkohet gjithashtu bizneseve të prodhojnë pajisje mjekësore dhe veshje mbrojtëse për personelin shëndetësor, të cilit duhet t’i mbetemi të gjithë mirënjohës. Ndërkohë po stimulohet kërkimi shkencor në drejtim të prodhimit të vaksinës.

U bënë 10 ditë që po punoj nga shtëpia dhe komunikoj rregullisht me kolegët e bashkisë së Torontos, me shokët e miqtë, të afërmit, përfaqësuesit e komunitetit dhe anëtarët e KKD falë mediave sociale. Javën e shkuar bashkëpunuam si KKD në hartimin e një deklaratë për shtyp drejtuar klasës politike në Shqipëri dhe Kosovë. Në deklaratë kërkohej më shumë maturi, kujdes ndaj biznesit dhe qytetarëve si dhe përfshirje më e madhe e opinionit të specialistëve në komunikimet lidhur me situatën e përballjes me virusin.

Fatmirësisht shteti kanadez po ndjek këshillat e ekspertëve të cilët ndërgjegjësojnë qytetarët. Qëllimi dhe synimi i autoriteteve kompetente është të sheshohet kurba e infektimit nga COVID-19. Ky qëllim mund të realizohet nëpërmjet distancës sociale, higjienës dhe më e rëndësishmja, gjendjes shpirtërore. Nëse dy të parat kërkojnë më pak përpjekje, e treta kërkon më shumë punë individuale. Le të mundohemi ta përjetojmë pozitivisht këtë situatë aspak të lehtë. Le të bëjmë ato gjëra që i duam por i kemi lënë pas dore se s’kishim kohë si p.sh. shëtitje në ajër të pastër, gatim, lexim, lojra, meditim, piktura etj. Edhe rubrika më e re e FlasShqip “Receta nga Kanadaja” e ideuar nga kryeredaktorja, psikologia Jeta Toçila Dedja, duket që është në këtë linjë. Le të kujdesemi të ushqejmë shpirtin dhe të reflektojmë thellë për jetën materiale që kemi bërë deri tani. Ainshtaini do ta përshkruante kështu këtë situatë "Fatkeqësitë serioze natyrore thërrasin për një ndryshim të mentalitetit që detyron të braktisësh logjikën e konsumizmit të pastër duke promovuar respektin për krijimin.”

Mars 2020

©FlasShqip.ca