Profil & Intervista

Anton Brunga, dikur pedagog në Universitetin e Shkodrës, sot me studion e tij ligjore në Toronto  

Intervistoi: Taulant Dedja

Anton Brunga është një emër shumë i njohur për komunitetin shqiptar në Toronto dhe në provincën e Ontarios në Kanada. Ai është drejtuesi dhe themeluesi i Studios Ligjore “Brunga Law”, një zyrë me 4 avokatë dhe 9 punonjës si staf mbështetës. Tre nga avokatët e studios janë me origjinë shqiptare, gjë që u lejon atyre t’u shërbejnë drejtpërdrejt në gjuhën shqipe mijëra anëtarëve të komunitetit shqiptar të Ontarios në shumë aspekte ligjore që ata kanë nevojë.

Para emigrimit në Kanada, Antoni ka ushtruar profesionin e avokatit në Shqipëri dhe ka qenë pedagog i lëndëve “E Drejta kushtetuese” dhe “E Drejta e krahasuar” pranë Fakultetit Juridik në Universitetin e Shkodrës. Ai njihet edhe si person i angazhuar në komunitetin shqiptaro-kanadez të Torontos. Ka qenë anëtar i kryesisë së SHBSHK Toronto për disa vjet si dhe vazhdon të jetë aktiv në organet drejtuese dhe administruese të Misionit “E Shenjta Nënë Tereza”. Ndihmesën e tij e jep gjithashtu edhe përmes donacioneve që ofron për aktivitete të ndryshmë që organizohen nga komuniteti ynë.

Në cilësinë e kandidatit për në Këshillin Koordinativ të Diasporës, i propozuar prej shoqatës RH Scholarship Toronto, avokat Brunga i bashkëngjitet historisë dhe profileve të kandidatëve të pasqyruar në Flasshqip.

Avokat, ju keni qenë pedagog në Fakultetin Juridik në Shkodër, Shqipëri si dhe avokat, që do të thotë kishit një status social-ekonomik të mirë. Pse emigruat në Kanada?

Unë kam emigruar në Kanada në vitin 1998. Arsyet dhe motivi për këtë vendim kanë qenë disa, por dominoi situata zhgënjyese e viteve 1996-199797 në Shqipëri. Gjithashtu dëshira për të vazhduar më tej studimet pasuniversitare juridike (qëllimi në atë kohë ishte për një master në juridik), kjo në vazhdim të specializimeve në Itali dhe Angli, por edhe dëshira në përgjithësi për të jetuar dhe punuar në një vend që të ofron më shumë mundësi për të patur një karrierë profesionale për të cilën mund të ndihesh krenar dhe i plotësuar.

Si arritët të bëheni avokat në Kanada?

Pas ardhjes në Kanada, për të punuar si avokat u bë e domosdoshme kryerja e studimeve të plota juridike. Kështu që, pasi dhashë provimin e pranimit në juridik, ashtu siç veprojnë të gjithë studentët kanadezë, si dhe pasi plotësova disa kushte të tjera pranimi, fillova dhe përfundova studimet e plota në Osgoode Hall Law School në Toronto.

Si avokat në çështjet edhe të emigracionit, cilat janë vështirësitë kryesore me të cilat përballen emigrantët?

Si emigrant vetë në vitin 1998 dhe si avokat për shumë emigrantë gjatë periudhës 11-vjeçare, mendoj se sfidat janë të natyrshme, por edhe unike për çdo emigrant. Disa vijnë si refugjatë dhe përballohen me procesin e marrjes së statusit së refugjatit, e më pas, të banorit të përhershëm këtu. Nga ai moment, sfidat janë të natyrshme dhe kanë të bëjnë me përshtatjen, si profesionale ashtu dhe të natyrave të tjera në një vend të ri. Vështirësitë variojnë edhe në varësi të lokalitetit ku emigranti vendoset. Në vende si Toronto apo qendra të tjera të mëdha, praktika është që mundësitë e punësimit mund të jenë të favorizuara duke marrë parasysh ndihmën që komuniteti shqiptar i jep anëtarëve të rinj, kjo edhe si anëtarë të komunitetit apo për arsye njohjeje personale.

Nga përvoja juaj si e vlerësoni mbështetjen e komunitetit shqiptar ndaj përshtatjes së emigrantëve të sapoardhur?

Me sa kam vëzhguar unë, ne si komunitet kontribuojmë dhe jemi të interesuar në mirëqënien dhe progresin e anëtarëve të tjerë të komunitetit, ashtu siç veprojnë shumë komunitete të tjera, më pak apo më shumë, pa ndryshime thelbësore. Kjo ka kontribuar në progresin individual, por gjithashtu edhe në progresin si grup. Fuqia e numrave është një nga faktorët që vendosin progresin si grup komunitar dhe kjo mund të reflektohet, shpresojmë në një të ardhme të shpejtë, në angazhimin në institucionet vendase. Duke qenë në shërbim dhe në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin, kam mundësinë të vërej që shumë fëmijë të emigrantëve po arrijnë sukses në shkolla dhe institucione me emër. Kjo, eventualisht, do të pasqyrohet në angazhime dhe role kontribuese të një karakteri më të gjerë kanadez dhe jo vetëm i kufizuar në komunitetin shqiptar.

Faktor tjetër që ndikon në ambientimin dhe suksesin e emigrantëvë është edhe njohja apon niveli i njohjes së gjuhës angleze ose franceze nëse vendosja është në Quebec.

Po në nivel organizimi të brendshëm si e gjykoni komunitetin shqiptar?  

Aftësia për të qenë të organizuar dhe eficient si grup komunitar nuk është e lehtë dhe karakteristikë e jo shumë komuniteteve të vogla apo me histori jo të gjatë emigrimi. Pa pasur nevojë të përmendim komunitete të ndryshme, ne duhet ta pranojmë që ne jemi komunitet relativisht i vogël dhe me pak eksperiencë. Sa më herët që individët dhe komuniteti në përgjithësi, të kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin dhe kontribuimit vullnetar, aq më të menjëhershme do të jenë rezultatet. Ndërkohë që konstatohen shenja suksesi në bashkëpunimin si komunitet, shumë mbetet për të bërë sipas meje. Jam gjithsesi optimist që elementë të suksesshëm do të mund të angazhohen dhe kontribuojnë në organizimin me nivel më cilësor në të ardhmen e afërt.

Mos ndoshta do të ndikojë në këtë aspekt edhe ligji Për Diasporën i miratuar së fundi nga qeveria shqiptare?

Siç u diskutua më sipër nevoja që dikush të angazhohet në organizimin si komunitet apo zhvillimet e fundit të reflektuara në legjislacionin e përmendur, janë një shembull premtues që edhe shteti shqiptar mund të jetë mbështetës  i organizimeve dhe zhvillimeve pozitive në komunitetin shqiptar në diasporë.

Po diskutohet për pjesëmarrjen e diasporës në votime. Si e vlerësoni këtë ide, e cila së shpejti mund të kthehet në fakt?

Duke qenë komunitet i ri dhe me interesa të ndryshme dhe të pashkëputura gjithashtu nga Shqipëria, shumë vetë po shprehin mendimin që diaspora duhet të ketë të drejtë të votojë. Ndërkohë që unë nuk jam në brendësi të detajeve për kushtet që duhet të plotësohen për të pasur të drejtën e votimit. Nëse kjo arrihet, mendoj që ky proces do të kontribuojë pozitivisht në organizimin si komunitet diaspore dhe në interesin e këtij komuniteti për Shqipërinë. Ky interes mund dhe do të jetë në aspektin ekonomik, të investimeve të mundshme në Shqipëri dhe gjithashtu në rrafshin kulturor.

Çfarë mund të bëhet më shumë për ruajtjen e identitetit shqiptar në emigracion dhe për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare për ta bërë atë më të prekshme për shoqërinë kanadeze.

Qendrat e mëdha të vendosjes së emigrantëve shqiptarë u mundësojnë anëtarëve të komunitetit të ruajnë dhe promovojnë identitetin tonë, kjo nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme komunitare, fetare, apo edhe pjesëmarrjes në kurse të mësimit të gjuhës shqipe. Është fat që ne kemi zgjedhur një vend, i cili promovon ruajtjen e identiteteve komunitare. Pavarësisht vështirësive për ta arritur një gjë të tillë, sidomos për brezat e lindur këtu, kjo është e mundur dhe duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për ta realizuar atë. Fruti i këtyre përpjekjeve do të jetë edhe ekonomik edhe kulturor. Sidomos për brezat e rinj që po e kërkojnë ruajtjen e identitetit. E shoh këtë edhe tek fëmijët e mi. Është motivues ky fakt pa dyshim!  

©FlasShqip.ca