Kolumnist

PD si e vetmja parti demokratike shqiptare - Nga Taulant Dedja

Ky shënim nuk ka hapësirë për shumë shtjellime dhe nuk synon të thotë medoemos diçka edhe kur s'ke asgjë për të thënë. Për të dalë drejt e në temë, kemi 30 vjet që kemi përmbysur diktaturën por ende demokracia jonë ngel në klasë. PD, partia që dikur përmbysi komunizmin (sistem që nuk e kanë njohur të gjithë 35 vjeçarët e ata pas tyre) sapo mbylli garën për mandatimin e kryetarit, garë e pashmangshme pas asaj që ndodhi me zgjedhjet e vjedhura me stil të 25 Prillit.

Sipas meje, referuar dhe rezultatit, procesi ishte më shumë një votëbesim për liderin e opozitës dhe Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kjo edhe për faktin se asnjë nga 3 kandidatët e tjerë nuk kishte staturën e tij. Ndërkohë, të tjerë me staturë të përafërt, ose nuk guxuan, ose tashmë ishin larguar nga PD. Disa madje, provuan të garojnë në zgjedhje si subjekt më vete dhe dolën fare huq. Punë për ta gjithsesi.

Kam lexuar me vëmendje gjithë këto kohë shumë komente kritike rreth PD dhe veçanërisht liderit të saj. Një pjesë e atyre që shprehen, kam përshtypjen (ndofta të gabuar) se nuk kanë qenë asnjë ditë anëtarë partie, nuk kanë provuar të kontribuojnë qoftë edhe në një fushatë zgjedhore (mbase nuk ua ka sjellë rasti për shkak se janë larguar prej vitesh), apo qoftë edhe në një komision qendre votimi.

Kjo kategori, sigurisht vështirë se e kupton si funksionon një forcë politike në kushtet shqiptare. Ndaj dhe nuk çuditem që në vend se të merren me Edi Ramën, që është fatkeqësi kombëtare, merren me Bashën që nuk di të sillet si cub, sepse nuk është mbrujtur i tillë. Kjo madje është arsyeja që unë, si qytetar i lirë, e kam mbështetur moralisht atë me bindjen se Shqipërisë nuk i duhet cubllëku në politikë. Sigurisht preferencat janë personale. Nuk paragjykoj asnjë që mendon ndryshe.

Fakti që shumica dërrmuese e Partisë Demokratike, anëtarësia e thjeshtë, të sakrifikuarit, mbështetën Bashën, në sytë e mi do të thotë që PD është e vetmja forcë politike për momentin në Shqipëri, që ka tiparet e një partie me demokraci reale të brendshme, dhe kjo është merita edhe e Lulzim Bashës. Në fund të fundit, për herë të parë në 30 vjet tranzicion, pati një garë me 4 kandidatë që shpalosën platforma dhe patën mbulim mediatik si asnjëherë tjetër. Kujtoj që, si në PD apo edhe në PS, në të shkuarën ka patur “linçime” apo largime të detyruara (nuk është hapësira për këtë lloj retrospektive këtu).

Edhe pse mund të kishte difekte, kjo është e para garë reale në 30 vjet tranzicion pas të vetmes përballje reale që kujtohet nga viti 1999 në krahun tjetër, ajo Nano-Majko që u mbyll në një kongres dramatik me vetëm 34 vota diferencë. Fakti që askush nuk e kontestoi rezultatin e rizgjedhjes së Lulëzim Bashës, ia rrit vlerat garës dhe gjithashtu, fakti që të tre ata që guxuan përballë Bashës do vazhdojnë kontributin e tyre në PD, u rrit atyre vlerat personale dhe e bën investimin e tyre vërtet inteligjent dhe produktiv.

Po t'i referohemi me analizë logjike spektrit tjetër të partive parlamentare aktuale, kuptojmë se hendeku që i ndan ato me PD sot për sot është i madh, shumë i madh madje. Nëse LSI si forcë opozitare e ka të nevojshëm rikonfigurimin në çdo aspekt (në fakt LSI duhet analizuar veçmas njëherë tjetër) dy partitë e tjera të "mazhorancës" Rama-Doshi, janë tashmë një trust dhe një filial i trustit, ku është bashkuar një konglomerat punisto-mafioz që i ka vënë përfund shqiptarët me mbështetje edhe nga qarqe okulte të huaja nga jashtë, me interesa nga më të ndryshmet në raport me Shqipërinë.

Ndryshimin e këtij realiteti të hidhur, unë vazhdoj të besoj që në një masë të konsiderueshme e kanë në dorë shqiptarët proshqiptarë dhe opozita që sot ka rivotëbesuar në krye Lulzim Bashën. Pesha e kryqit mbi supet e tij është më e rëndë se kurrë. Shpresoj dhe uroj që ta mbajë këtë peshë deri në fund, për të mos zhgënjyer as ata anëtarë të PD që e mbështetën, as të gjithë demokratët pa teserë partie që aspirojnë një Shqipëri normale.

Procesi demokratik (qoftë edhe me difekte) i sapombyllur PD është një premisë që mund ta nxisë PD drejt një hapjeje të guximshme për të tërhequr rreth saj gjithë popullin opozitar. Rama është më i dobët se asnjëherë në 8 vitet e fundit... Kryefjala e opozitës tash e tutje duhet të jenë zgjedhjet e parakohshme me qeveri ekspertësh! Modalitetet si shkohet deri atje e tejkalojnë hapësirën e këtij shënimi.

©Taulant Dedja