Kolumnist

Pse fajësohet Albin Kurti? - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut

Marrëveshja Kurti-Vuçiç, por edhe disa deklarime të fundit të dy liderëve presupozojnë se epilogu i dialogut Kosovë-Serbi është çështje muajsh dhe shkon kah fundi. Kjo edhe për faktin se gjeostrategjia, sidomos ajo amerikane nuk do lejojë prishjen e paqes në Ballkan.

Dakordimi politik në Ballkan mes popujve të konfrontuar, suksesshëm gjer tani është epiloguar me asistencën ndërkombëtare, në veçanti ate amerikane (autori e ka provuar këtë gjatë arritjes së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit). Pra, duhet të jetë analfabet politik Kurti nëse beson se Borell (as hija e bashkështetasit Solana) do të ketë kapacitetin dhe infrastrukturen e mjaftueshme që të pajtojë përfundimisht shqiptarët dhe serbët. Në takimin e fundit Kurti-Vuçiç ishte e papranueshme që Boreli ishte i njëanshëm dhe paragjykoi Kosovën, por edhe mosrespektimi i faktit që Kurti kerkoi zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për targat, e cila në vitin 2011 në prezencë po të BE u nënshkrua nga negaciatori serb.

Gjithsesi, Kurti në veprimet e veta ishte i qartë, edhe ndaj Borell, por edhe me Vuçiçin. Për të dytin duhet ndjekur debati politik kundër Vuçiçit në Serbi, argument i kundert, në favor të Kurtit. Kurti, mendoj se eshte negociator i fortë, me prirje intelektuale dhe konsistente. Kjo kuptohet mirë nga Vuçiçi, por edhe nga shumëkush tjetër. Paralel me këtë, Kurti di edhe të tërhiqet, siç ishte veprimi ndaj kerkesës amerikane, të cilën edhe publikisht para opinionit gjerman me elokuence e referoi si vendim domethënës për sigurinë e Kosovës.

Fundi i fundit, politika nuk kuptohet vetëm nga ajo që shikohet dhe lexohet, por edhe më shumë mes rreshtave, sikur edhe prapaskenës. Vlerësimet negative për Kurtin si antiamerikan janë produkt joreal (jo se është i pagabueshëm), por sepse në Kosovë, sikur gjithkund te shqiptarët, ambienti publik mbahet i kontaminuar, i ndarë dhe i segmentarizuar skajshmërisht. Kurti sulmohet se nuk pritet në Shtëpinë Bardhe dhe ngjajshëm. Harrohet se Amerika e ka boten mbi kokë, se okupimi i Ukrainës dhe kriza në Tajvan janë prioritet mbi prioritetet për Shtëpinë e Bardhë. Maredheniet e saj edhe me partnerët europianë për sa i përket Kosovës, janë të kujdessh me, kërkojnë kultivim të vëmendshëm.

Amerika në thelb, nuk i ndërton qëndrimet e veta në bazë të precedentëve, e aq më pak i kushtëzon me individë, siç është fundi i fundit edhe Kurti, Osmani, Thaçi e të tjerët deri dje. Sikur të ishte kështu, si do mbijetonte Tajvani, apo Izraeli, liderët e të dyja vendeve pothuajse shumë rrallë, apo aspak nuk shkojnë në Shtëpinë e Bardhë si rregull. Duket se shqiptarët-politikanë më shumë dyshojnë në proamerikanizmin e tyre, se sa vetë amerikanë për ta.

Miq te dashur, Kosova dhe Serbia janë të rrethuara nga vëndet anëtare të NATO-s, kurse sigurinë e Kosovës e garanton SHBA me Aleancën Përëndimore. Hapësira ajrore serbe   është e mbyllur për ruset dhe kjo nuk është rastësi. Bile as Sergej Lavrovit nuk iu lejua të zbresë në Beograd. Dimensionet e këtilla gjeostrategjike pothujase e përjashtojnë luftën Kosovë-Serbi. Por, nëse kaleidoskopi politik i dialogut vështrohet realisht, Kurtit i mbeti edhe ndonjë gështenjë e nxehtë në duar për të riparuar, por edhe është në kohën për vendimarrje të mëdha dhe të mirëmenduara.

Politika mbarëshqiptare duhet të ndihmoj ëkëtë objektiv e jo Kurtin. Tërheqja e Kurtit nga vendimi fillestar për targat, ishte zhgënjim si ndjesi dhe u prit në thikë. Fillimisht të gjithëve na dukej zbrapsje, sepse targat anakronike jugosllave, lëshuar nga shteti serb për qytetarë kosovarë është non sens dhe precedent ndërkombëtar. Sidoqoftë, tërheqja edhe pse shtetësisht e pakuptueshme, kishte  triumfalitet, vetëm të cilin mëndjehollët dhe dashamirët e  kuptojnë si porosi: Së pari ishte kërkesë e Amerikës dhe si e tillë nuk duhet të komentohet; Së dyti, Vuçiçi premtoi dhe u detyrua të mos cënojë edhe më tej sovranitetin e shtetit të Kosovës me targa ilegjitime dhe kjo vetvetiu reflekton shtetësi kosovare e substituar nga Serbia; Së treti, marrëveshja dha sinjal të qartë se dialogu Kosovë-Serbi shkon kah hapja e temave thelbësore  në marrëdhëniet mes dy shteteve dhe dy popujve.

Një nga çështjet e nxehta të epilogut në dialog do jetë “Zaednica” që as nuk mund të neglizhohet, por as nuk mund të paragjykohet si element i huaj brenda shtetit të Kosovës. Gjithsesi, Vuciçi do të përqëndrohet në “Zaednicë” dhe për këtë interferojnë edhe ndërkombëtarët. Është mirë që Escobar e elaboroi qëndrimin amerikan se Kushtetuta e Kosovës duhet të respektohet në këtë rafsh. Vuçiçi eposin mesjetar serb për dhe mbi Kosovën deshiron ta ruajë edhe më tej nëpërmjet “Zaednicës” siç veprohet tani me Veriun e Kosovës.

Përkundër kësaj, ndërtimi i një demokracie lokale të avancuar në funksion dhe interes të komunitetit serb në Kosovë është opsioni real i mundshëm, gjithsesi, i përputhshëm me politikën e Europës së Bashkuar dhe Kartën Evropiane për Autonominë Lokale. Në fund të fundit, demokracia lokale, është ndër barometrat konsistentë të demokracisë së çdo shteti. Ky barometer për demokracinë në Kosovë nuk ka pse të jetë më ndryshe edhe për shtetin e Kosovës.

©Xhevdet Nasufi