Kolumnist

Qasja meskine e diplomacisë euroatlantike ndaj Kosovës - Nga Fazli Mazreku

Çdo herë kur Serbia i shteron mjetet diplomatike dhe rrenën si “virtyt” nacional për të arsyetuar politikat fashiste kundër Kosoves, shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Serbia nuk e bën këtë në krye të vet. Ajo merr aprovimim e diplomatëve euroatlantikë, për të blerë kohë, meqënëse dihet se, nga momenti kur shpallen zgjedhjet parlamentare të rregullta apo të parakohshme, parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera kufizohen a priori nga vendimet e mëdha në nivel vendi. Këtë e dinë diplomatët euroatlantikë, të cilët qëllim primar kanë perkëdheljen e Serbisë dhe mosndëshkimin e saj për politikat e hapura pro-ruse dhe pro-kineze, me qëllim që ta kthejnë në orbitën e tyre gjeopolitike, apo ta lënë të paprekshme në zonën gri.

Pra, në kohë parazgjedhore, edhe sikur Serbia të pajtohej, nuk mund të arrihet marrëveshje me Kosovën para formimit të qeverisë se re serbe, sepse zgjedhjet mund ta ndryshojnë sagën politike të Serbisë.

Qëllimi i vetëm i bashkësisë ndërkombëtare është të formohet asosiacioni i komunave me shumicë serbe një herë dhe çështjet e tjera të zgjidhen në kohë më të mira, pas njëzet apo në pesëdhjetë vitet e ardhshme.

Qasja e njëanshme e diplomacisë euroatlantike ndaj Serbisë zanafillën e ka që nga fillet e këtij shekulli, kur Kosova administrohej dhe qeverisej nga UNMIK.

Kjo mund të ilustrohet me të dhëna të pakontestuara, madje, edhe nga apologjetët e kësaj qasjeje të dëmshme për shtetin e Kosovës:

-Dhënia e 2 mijë hektarë tokë Maqedonisë pa pëlqimin e Kosovës. Marrëveshja është nënshkruar në mes Serbisë dhe Maqedonisë, kur Serbia nuk ushtronte asnjë pushtet në Kosovë. Marrëveshja është bërë me aprovimin e autoriteteve ndërkombëtare, te cilat nuk e kishin të drejtën dhe as tagrin ligjor të tjetërsojnë dhe të falin tokën e Kosovës në asnjë rrethane. Kosova në kohën e Jugosllavise ishte element konstitutiv i Federatës Jugosllave dhe kufijtë e saj nuk mund të ndryshoheshin pa aprovimin e Kuvendit të krahinës së Kosovës. Ky veprim i bashkësisë ndërkombëtare, besoj thellë se mund të kontestohet, a posteriori, kur Kosova ta përmbyllë shtetësinë e saj në planin ndërkombëtar;

-Bashkësia ndërkombëtare bëri presion të pa precedent mbi autoritetet e Kosovës për dhënien e mbi 8 mijë hektarëve tokë Malit të Zi, me arsyetim hipokrit, duke e kushtëzuar me liberalizimin e vizave për kosovarët. Toka është dhënë dhe vizat akoma janë të diskutueshme politikisht, edhe pse proceduralisht është vështirë të abrogohen retroaktivisht;                 

-Bashkësia ndërkombëtare ka bërë presion të pandërprerë, duke shantazhuar dhe kërcenuar lidershipin kosovar për formimin e gjykatës speciale njëetnike, kinse për “pastrimin” e luftës së UÇK-së nga pretendimet serbe për krimet e kryera ndaj civilëve. Hipokrizia e arsyetimit për formimin e gjykatës shkonte përtej fantazisë se, nëse këtë nuk e formon Kosova, atëherë do ta formojë OKB, edhe pse dihet botërisht se Këshilli i Sigurimit nuk mund të formojë gjykata njëetnike, sepse është në kundërshtim me frymën e Kartës së OKB.

Dhe kërkesa tjetër, por jo e fundit, është formimi i asosiacionit të komunave me shumicë serbe, ku nuk ka siguri se nuk do t’i perfshijë të gjitha komunat serbe në Kosovë. Këtu janë bërë tok të gjithë: SHBA, BE, Vuçiçi, Rama, gjysmë-qeveria shqiptare e Maqedonisë së Veriut, Abazoviçi, e madje edhe disa analfabetë funksionalë në Kosovë, që mëtojnë se duhet domosdoshmërisht të zbatohen pa hezitim “marrëveshjet” ndërkombëtare, pa marrë në konsideratë efektet negative për vendin që prodhojnë ato marrëveshje.

Dhe për më tepër është e diskutueshme, nëse janë vërtetë marrëveshje të gjitha ato dokumente (paperwork) të diskutuara në mes palëve jo të barabarta, për shkaqe objektive të njohura. Parimi i barazisë së palëve (equality of arms) është gurthemel i të Drejtës ndërkombëtare

Përse gjithë ky nxitim i euroatlantikëve dhe orakujve të tyre në Prishtinë dhe Tiranë për formimin e bashkësisë se komunave me shumicë serbe?

Nuk ka fije dyshimi se, Brukseli për një dekadë të bisedimeve ka dështuar duke treguar impotencë politike dhe duke aplikuar politika selektive dhe të njëanshme në dialogun Kosovë-Serbi. BE gjithmonë ka përdorur shkopin për Kosovën dhe karrotën për Serbinë, dhe këtë e ka shprehur haptas duke dënuar hapat e Kosovës për vënien e sundimit të ligjit në Veri të vendit, në një anë, dhe duke heshtur për veprimet agresive të Serbisë ndaj Kosovës, në anën tjetër.

Sot e kësaj dite, akoma nuk është ndërmarrë asnjë masë kundër Serbisë për agresion, të sponsorizuar, të përgatitur dhe të ndihmuar për ndarjen e Kosovës para syve të “pesëshes së madhe” dhe të pranisë së NATO-s, përmes KFOR-it, me arsyetim pervers se po presin përfundimin e hetimeve nga dikush tjetër, sepse hetimet e kryera nga Kosova nuk qënkan mjaftueshëm kredibël?!

Pse ka vështirësi dialogu?

Arsyet themelore të dështimit të dialogut janë paqartësia dhe njëanshmëria e politikës dikotomike të BE, e cila nuk kërkon zgjidhje parimore mbi premisat dhe vlerat e të Drejtës ndërkombëtare. Përkundrazi, BE zbaton politika selektive, me gjuhë dykuptimëshe dhe të paqartë, sepse në gjirin e saj ka pesë shtete që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, megjithatë, ata diktojnë politikat e BE ndaj Kosovës. Këte e fakton angazhimi i dy zyrtarëve të lartë, Borell dhe Lajçak, të cilët pa fije skrupulli, janë në anën e Serbisë. Ata ndëshkojnë Kosovën me masa-sanksione dhe amnistojnë Serbinë për agresion ushtarak të dështuar kundër Kosovës. Ata kërkojnë që Kosova të formojë asosiacionin si “kalë i Trojës” për ndarje, dhe në anën tjetër, nga Serbia kërkojnë vetëm ta dënojë verbalisht aktin terrorist kundër Kosovës.

Arsye tjeter e dështimit të dialogut Kosovë-Serbi, pa dyshim, është ndryshimi i politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor. Siç duket, Shtëpia e Bardhë dialogun Kosovë-Serbi e ka deleguar në DASH, duke dorëzuar në duart e disa diplomatëve mediokër, që prioritet kanë karrierën e tyre në kurriz të përmbylljes jo të drejtë të konfliktit të ngrirë në Veri të Kosovës. Qasja aktuale e politikës pragmatiste amerikane, nuk është heretike të thuhet, mund të prodhojë situata kaotike, të cilat do t’i kushtojnë Kosovës dhe rajonit në dekadat e ardhshme. Këtë e dëshmon Afganistani, Siria, Iraku dhe shume vatra të tjera krizash nëpër botë, që janë braktisur nga amerikanët, pa paralajmërim.

Befasi e madhe për inkursionin serb në Veri është paaftesia apo heshtja e KFOR-it, ku në praninë e tij, nga Serbia ka hyre gjithë ai armatim ushtarak ofensiv dhe nuk eshte “vërejtur” prej tij!? Mbetet enigmë e madhe dhe dyshimi forcohet për një “lojë” të kurdisur të faktorëve të jashtëm, të cilët po bëjnë gjithçka, që Veriu, në një mënyrë ose në një tjetër, sot ose nesër, të shkëputet nga Kosova. Ka arsye ta ngrejmë si dyshim.      

Ka edhe diçka që e dobëson pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë. Partitë politike opozitare të përfaqësuara në Kuvend nuk janë shumë të qarta në qëndrimet e tyre dhe nuk janë këmbengulëse kur është në pyetje integriteti i Kosovës. Ka një mospërputhje mes deklaratave dhe veprimeve të udhëheqësve të tyre, dhe kjo reflekton në analizat e Brukselit për kohezionin politik në Kosovë, për çështjen kruciale, asosiacionin e komunave me shumicë serbe. Ndoshta, arsyeja e një sjelljeje të tillë, gati infantile të opozites zyrtare, është mungesa e lidershipit të partive opozitare, sepse këto parti, aktualisht, udhëhiqen më tepër nga menaxherë politikë, të cilët nuk janë legjitimuar në zgjedhjet e përgjithshme në partitë e tyre.

Sidoqoftë, Kosova po përballet me presion të madh ndërkombëtar për ta formuar asosiacionin e komunave me shumicë serbe, me kompetenca të padukshme ekzekutive, të ambalazhuara si vlera të demokracisë perëndimore, vlera për të cilat Serbia nuk është fare e interesuar. Serbia kërkon territor etnokratik, të drejtuar nga serbët jashtë juridiksionit të autoriteteve të Kosovës. Nëse nuk e arrin këte qëllim, Serbia nuk e vazhdon dialogun, duke tentuar të krijojë situata të reja destabilizuese për Kosovën dhe rajonin. Dhe për këtë barra e përgjegjësisë bie mbi diplomacinë euroatlantike, e cila e ka shndërruar dialogun në odisejadë pa fund.

Në rrethanat e tanishme dhe ato që do vijnë, Kosova ka nevojë për kohezion të brendshëm politik. Kjo nuk nënkupton se na duhet ndonjë homogjenizim nacional, apo formim i ndonjë trupë jashtë institucionale, sepse institucionet e dala nga zgjedhjet kanë përgjegjësi në çdo rrethanë dhe situatë. Neve na duhet qartësi nga pozita dhe opozita zyrtare: se çfarë asosiacioni monoetnik mund të ndërtojmë dhe cilat janë garancitë ndërkombëtare për integrimin e plotë të Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombetare, duke filluar nga OKB dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare.

A është e realizueshme kjo?

Po, është e realizueshme nëse flasim me një zë, nëse interesin publik e vëmë para interesit individual dhe madje sakrifikojmë edhe karrierën politike për të ardhmen e Kosovës, shtet i pavarur brenda kufijve ekzistues.

© Fazli Mazreku - London, Ontario