Kolumnist

Lajme të sheqerosura - Nga Vangjush Saro

Kolegj i Evropës në Tiranë. Akademia MC. Durrësi si Dubai. Konferencë në Tiranë për Ukrainën (!) Lajme të bukura në dukje, por varet nga mënyra se si i shikon ato. Mendoj që, megjithë bujën dhe protagonizmin e sforcuar të z. kryeministër, pamjet prapë janë të turbullta dhe jo bindëse. Flitet për zhvillim, por një i tillë në kaos dhe në njëlloj pjekjeje me rastin, pra çfarë të dalë përpara, ku të kapet ndonjë lek, si t’u hidhet hi syve njerëzve. Ç’thuhet sot, nuk thuhet nesër. Vendi mund të ketë (formalisht) programe e politika zhvillimi të shkruara në kompjuterat e qeverisë, por ato janë aq të paqarta e të paqëndrueshme. Dhe kështu, herë pas here përcillen në publik lajme të sheqerosura.

Nuk mund të quhen ndryshe lajme të tilla e qasje të tilla, që ngjajnë si parrulla në ajër, gosti me ç’të sjellë rasti, “vepra” që s’ua do askush dhe, për më keq, pa u konsultuar me askënd, madje duke djegur etapat, hallkat, mirëkuptimin tek e fundit. Kujtojmë që u fol (me gjasë, me shumë seriozitet) për “akademinë e barinjve” dhe e gjitha s’ishte veçse një fiasko. Tani, e përsëris; këto ditë ka zëra për një kolegj. Pastaj…që të vijë Zelenski këtu, se e dimë ne si mbyllet lufta. Sa fodullë! Sa naivë! Për Zotin, e shpëtuan Arsimin dhe Edukimin, e shpëtuan edhe botën (!) Propagandë e padurueshme. Njëlloj vaniteti, që shkon kundër të gjitha halleve të vërteta të vendit.

Në këtë lojë lajmesh e paqendrueshmërish, kryeministri është gjithnjë i ndjekur dhe i duartrokitur nga puthadorët e tij, ministra, zëvendësministra, drejtorë, të cilët, në fakt ikin e vijnë, demaskohen e zhduken (ndonjëherë) në një mënyrë qesharake, gjithnjë duke i mbajtur iso-n njëshit. Thënë ndryshe, ata tundin kokën dhe ngrejnë kartonat pa u menduar dy herë, mjaft të jenë të një mendjeje me thurjet, që bëhen në klan. Të tilla si “diskutimi” dhe miratimi i Buxhetit të Shtetit në vetëm 7 minuta. (“Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.” F. Kafka)

Si rezultat i sajesave dhe mungesës së koherencës në programet qeverisëse, zhvillimi mbetet gjithnjë një lloj loje, ndërsa niveli i jetesës së qytetarëve vjen duke u rënduar. Sipas Eurostat, inflacioni vazhdon të rritet e të kërcënojë. Shifrat ndonjëherë vërtet janë të frikshme. Normat e rritjes së çmimeve në Shqipëri dhe në disa vende të tjera të varfëra të Ballkanit - prej 3.4 % e 3.8% - janë tregues poshtë mesatares së Bashkimit Europian. Mjafton të thuhet se vende si Danimarka dhe Belgjika e kanë këtë normë aty tek 0.4% dhe 0.5%, për të kuptuar se si po shkojnë punët dhe pse gjithnjë e më shumë tkurret popullsia e vendit.

Politikat e mbrapshta nuk kanë të përballur. Bie fjala, një nga ekspertët e fushës thotë e shkruan se në kryeqytet rreth 40 apo 50 mijë apartamente janë të pabanuar dhe nuk dalin në treg as me qira as për shitje (!) Po sipas tij, në shitje dalin (vetëm) rreth 50% e apartamenteve të reja. Ndërkaq, kujt i duhen edhe më tej kullat? Po ajo “çudia” (alla Dubai) që po prish Portin e Durrësit? Për më keq, në të gjitha këto “zhvillime”, nuk ka asnjë lloj këshillimi me qytetarë, me ekspertë, nuk ka garë; ka vetëm pëlqime arbitrare dhe… turpi që hahet me bukë nga të gjithë shqiptarët. (“Një fëmijë pyeti: Ç’është bari?” Walt Whitman)

S’është e lehtë ta pranosh dhe as ta gëlltisësh, por nuk e ka askush në konsideratë jetën e qytetarit. Për shembull, edhe pse mund të jetë ndër gjërat e fundit që mund të duan shqiptarët, koha e tyre e lirë, koha e lirë e fëmijëve të tyre, është gjithashtu një makth i vërtetë. Ndërtime pa fund, TV që nuk pushojnë së bëri politikë ose snobizma, trafik i rënduar, etj. por kurrsesi një mjedis për ata, për fëmijët e tyre. Më tregoni (mund t’u drejtohet qeveritarëve kjo pyetje) ndonjë godinë a sallë a nuk di ç’tjetër që është në shërbim të kohës së lirë të qytetarëve. Më tregoni një kënd lojërash për fëmijë, të tillë që të mos të të merret fryma, pra jo ato zgëqet e sajuara përpara banesave; (përveçse disa ndërtime-manovër-reklamë te Liqeni i Tiranës).

Ndërkaq, një problem i madh mbetet vëmendja pa vëmendje e mediave, që natë e ditë bëjnë kryq për politikën, japin e marrin vetëm me analistë që flasin pa pushuar (madje duke u përfytur), por që nuk prekin asnjëherë (ndoshta në raste të rralla) “plagët” e vërteta të vendit dhe të qeverisjes. Rëndom mediat përpiqen të mbulojnë hijet e shumta në qeverisje, duke ngjyrosur me rozë lajmet dhe programet e mundshme. (“Koha e ligë është koha e mediokërve. Shfaqja e tyre bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese.” Azem Shkreli) Trishtimi më i madh është se askush nuk di ç’vjen nesër, a do të mund t’i thuhet ndal (!) arbitraritetit?

© Vangjush Saro